Udhëheqësit e Spanjës, Irlandës dhe Sllovenisë, kanë njoftuar se janë të gatshëm ta njohin shtetin e Palestinës si “mënyra e vetme për të arritur paqe dhe siguri” në rajonin e përfshirë nga lufta.
Krerët e të tri shteteve si dhe kryeministri i Maltës e cila tashmë e njeh Palestinën, janë takuar gjatë një samiti në Bruksel për të diskutuar “gatishmërinë e tyre për të njohur shtetin palestinez”.
“Ne pajtohemi që mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon është përmes zbatimit të zgjidhjes me dy shtete, me shtetin izraelit dhe palestinez që jetojnë krah për krah, në paqe dhe siguri”, thuhet në deklaratën e përbashkët të të katër qeverive.
Ndryshe, nëntë nga 27 shtetet anëtare të BE-së e njohin aktualisht Palestinën sipas të ashtuquajturve kufij të vitit 1967 të cilët përfshijnë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, dhe Jerusalemin Lindor, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Por, edhe pse BE-ja e mbështet zgjidhjen me dy shtete dhe është donatori më i madh i palestinezëve, ajo ende nuk e ka mbështetur unanimisht njohjen e shtetit të tyre.
Që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit, si Irlanda ashtu edhe Spanja kanë shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të njohur Palestinën.
Madje, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, u zotua se qeveria e tij do të bënte njohjen e shtetësisë palestineze prioritetin e saj kryesor në politikën e jashtme. /Telegrafi/