Nga: Aristotel Mici
Me dy librat e tij, “Vallja e Yjeve” dhe “Ylli i Zemrës”, Lasgush Poradeci ndriti si yll i pashuar në qiellin e poezisë shqiptare. Me kohë vargjet e poezisë së tij gjithë frymëzim, u bënë pasuri e trashëgimisë shpirtërore mbarë shqiptare.
Lasgush Poradeci u shfaq e mbetet si një kulm i lartë në poezinë e viteve ’30 të shekullit XX, jo vetëm me frymëzimin e thellë, ndjenjën njerëzore, idetë dhe motivet interesante, po edhe me stilin origjinal e fjalën e figurshme, ashtu si di ta flasë edhe ta shkruaj vetëm “këngëtari finosh”. Dhe, për këtë anë të stilit të tij origjinal dhe brilant, sipas Mitrush Kutelit, Lasgush Poradeci është një “autarkist” i cili i nxjerr të gjitha metaforat ë simbolet vetëm e vetëm prej gjuhës shqipe, prej realiteteve e mundësive të gjuhës shqiptare, prej etiëes shqiptare. As mitologjia indike, përmbi të cilën Lasgushi ka njoftime të thella, as mitologjia greke dhe as mitologjia romake të cilat zotërojnë kaq breza artistësh ne të gjitha çipat e botës, nuk e shtyjnë Lasgushin të përdor ndonjë motiv të huaj në vjersha. Ai përpiqet të vleftësojë e të zhvillojë potencialin shqiptar në art në të gjithë degët e jetës.
Pra, Lasgushi kishte gjetur një tragë të re në fushën e figuracionit e të leksikut, atë që në një vjershë më të vonshme do ta shpreh si kredo poetike:
Hija ime nuk di dhunë,
Di veç frymë lirie
Dhe di punë, punë, punë,
Mund pa fund për art magjije.
Dhe të shoh të pasqyruar
Vetëveten fije-fije,
Fije-fije poezie,
Që mban erë Shqipërie.
Po me gjithë pohimet e Kutelit se në të gjithë vargjet e Lasgushit nuk ka asnjë emër ose fjalë të huaj, se ai mban vetëm erë Shqipërie në vjershëri, ashtu siç e thotë edhe vetë poeti në vargjet e mësipërme, në poezinë “Kush ma njohu dhembshurinë”, gjejmë një dalje nga “traga” ose nga ajo praktika e “autarkistit”. Në këtë vjershë autori parapëlqen të bëjë një krahasim me një emër të madh nga antikiteti grek. Duke shkruar për stoicizmin e vetë ndaj brengave, mundimeve dhe hidhërimeve, poeti pohon së jeta:
Qoftë e ëmbël si një çupë,
Qoftë e mbushur plot me gjak;
Do t` ia pi të shkretën kupë,
Siç e piu Sokrati plak. [1]
Ku ta gjejmë shkakun e daljes së poetit nga kredoja e vetë poetikë, qe vetëm mban erë Shqipërie. Për dekada të tëra këtë gjë e dinte vetëm autori. Po nga fundi i viteve ’80 të shekullit XX në redaksinë e autorëve te traditës pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” filloi puna edhe me veprën letrare të Lasgush Poradecit. Ky botim do të ishte më i ploti i kësaj vepre deri atëherë me një vëllim prej 520 faqesh, ku përfshihej gjithë poezia e tij e botuar, shkrimet në prozë, dorëshkrime dhe letërkëmbimi. Midis dorëshkrimeve ndodhej edhe poema “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, e cila qe përfunduar qysh më 1975.
Kështu pra, në poezinë e Lasgushit na bëhet e pranishme përsëri figura e Sokratit, po tani jo me një varg, po me një poemë prej 24 faqesh. Arsyeja e parë pse figura e Sokratit antik del si personazh në poezinë lasgushiane dhe autori bën kështu një dalje nga traga krijuese është vetë universiteti i figurës së Sokratit, i cili i kishte kaluar prej shekujsh kufijtë e lashtësisë helene. Nga ai kanë ç’të mësojnë të gjithë në çdo vend e në çdo kohë. Duket nga poema në fjalë se edhe Poradecit i ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme si jeta dhe vepra e Sokratit, po edhe vdekja krenare e filozofit të madh. Ai qe i biri i skulptorit Sofraniku. Atëherë, në vogëlinë e tij, atje në punishten e të atit nisi të punonte si gurgdhendës. Po nga viti në vit, gjithnjë e më shumë djaloshi zgjeronte edhe njohuritë e veta duke mësuar me këmbëngulje. Ashtu ai arriti të bëhej filozof. Si njeri i etur për dituri, thoshte: “Di një gjë, që nuk di asgjë”. Si rregull të jetës së tij Sokrati mori mbishkrimin e tempullit të Delfit: “Njih vetveten”. [2]
Si filozof me mendime të thella, Sokrati u ngrit kundër sofistëve, të cilët nga mësues të gojëtarisë ishin kthyer në njerëz të korruptuar dhe përpiqeshin në mënyra të rreme të mbronin ose të rrëzonin si të drejtën ashtu edhe të shtrembrën, sipas interesit.
Qëllimi kryesor i Sokratit ishte të përhapte njohuri dhe të ngjallte tek njerëzit dashurinë për dituri. Në praktikën mësimore ai nuk jepte kurrë përgjigje të gatshme, po përpiqej që me anë të pyetjeve e përgjigjeve ta shpinte bashkëbiseduesin në përfundime logjike të drejta. Kjo mënyrë e të mësuarit do të quhej më vonë në pedagogji “metoda sokratike”.
Nëpërmjet bisedave filozofike me nxënësit e vetë dhe me rininë e asaj kohe antike, Sokreti përhapte idetë e tij të përparuara, që binin ndesh me shumë norma të shtetit, të gjyqeve edhe të fesë shtetërore. Nga dita në ditë ai po kalonte në një konflikt të hapur me shoqërinë e lartë zyrtare të shtetit të Athinës. E qortuan dhe e këshilluan të hiqte dore, po Sokrati s’ tundej nga parimet e tija. Atëherë autoritetet laike dhe fetare e nxorën në gjyq.
Sipas Platonit, “Sokreti qe nxjerrë në gjyq në vitin 399 p.e.s. me akuzën se po shpërfillte perënditë shtetërore dhe po paraqiste përrëndi të reja, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër akuzohej se po korruptonte moralisht rininë, duke e larguar nga principet e demokracisë”. [3]
Në radhë të parë Sokreti deshte që filozofia të merrej me problemet e jetës në tokë dhe jo të endej nëpër qiej, nëpër sferat rrotullore, po të ishte fizike me themele natyrore. Dhe, për këtë ide realiste të heroit të tij filozof, Lasgushi shkruan në poemë:
Filozof Sokrat i vjetër
Kokë e vlefshme e Greqisë
E pat zbritur përmbi tokë
Lëndën e filozofisë
Krahas filozofisë, Sokreti kujdesej edhe për normat morale. Ndryshe nga sofistët e korruptuar, ai deshte të vendoseshin marrëdhënie të ndershme e të sinqerta midis shtetit dhe popullit. Po ashtu donte edhe drejtësi të paanshme për palët në gjyq. Dhe, për këtë anë të prirjeve morale të Sokratit Lasgushi shkruan në poemë:
Përcaktove dhe moralin,
Përcaktove drejtësinë.
Dhe ngarkove për detyrë
Veç njerinë, veç njërinë.
Moral të bukur shumë
Për dobi të gjithësisë.
Që i shërbente drejtësisht
Njerëzisë dhe shoqërisë.
Si vendose paq moralin
Mbi themele të patundur,
Kape zotërit e Fenë
Për t’i tundur, për t’i shkundur.
Ashtu si në jetë edhe në poemën e L. Poradecit, heroi filozof ka përpara shumë kundërshtarë parimorë, të cilëve përpiqet t’u mbush mendjen për të vërtetën dhe t’i bind. Dhe, këta kundërvënës nuk janë vetëm nga radhët e sofistëve, por edhe nga paria e administratës shtetërore, gjyqësore dhe hierarkia klerikale në shtetin e Athinës. Në këtë atmosferë konfliktuose nis atëherë Sokrati ekskursionin e vetë filozofik e teologjik tek personalitetet më të larta të kohës, për të shpjeguar probleme sociale, filozofike e fetare. Në fillim shkoi te kryeshtetasi antik, pastaj të kryegjyqtari dhe, më në fund, në tempull gjeti kryepriftin vetë.
Heroi filozof i poemës së Lasgushit, vërtetë u end nga një personalitet tek tjetri, për të parashtruar shqetësimet e veta, po asgjë nuk zgjidhi dot në këtë ekskursion. Jo vetëm se nuk ia dëgjuan vërejtjet e kritikat, po përkundrazi e qortuan. Së pari, e kërcënuan të mbyllte gojën, sepse përndryshe do ta pësonte keq. Vetë kryeprifti e paralajmëroi se:
Sa për ty Sokrat, që shan
Perënditë shtëtërore,
Dhe përhap ide të reja
Dhe zgjon masat popullore
Thonë së do të dënojnë
Rreptësisht për këtë faj,
Me që do kryeparinë,
Ta rrëzosh nga froni i saj.
Po, Sokreti që kishte një karakter të gurtë, nuk trembej nga paralajmërimet frikësuese. Po edhe kleriku i lartë, nga ana e tij, nuk e la me aq kërcënimin. Për më tepër, ai, duke dashur ta frikësojë me dënimin maksimal, i deklaroi:
Thonë gjyqi dhe tërë Athina
Se ty do të dënojnë,
Të pish kupën e zeherit,
Që kështu të asgjësojnë.
Realisht, siç e trajton Platoni tek “Apologjia”, Sokreti ka qenë jo vetëm filozof i ditur, po edhe trim i patrembur e mbi të gjitha superior ndaj kundërshtarëve e gjyqtarëve të kohës. Me gjithë presionet që iu bënë, ai nuk i mohoi pikëpamjet e tij dhe nuk pranoi të ndërpriste dhënien ë mësimeve të filozofisë: “Burra të Athinës”, flet ai në gjyq, “unë u dua dhe u nderoj, por para jush do të dëgjoj zotin. Dhe përsa kohë që jam gjallë dhe jetoj, unë kurrë s’ do ta ndërpresë dhënien e mësimeve të filozofisë”. [4]
I patrembur nga imazhi i vdekjes, Sokrati nuk pranonte të largohej nga burgu edhe kur shokët e miqtë ia siguronin mundësinë e arratisjes. Në momente të tilla dramatike ai deklaronte se “asgjë e keqe nuk mund t’i ndodh njeriut të mirë as kur jeton e as mbas vdekjes”. [5]
Si filozof krenar e i patundur në bindjet e tij për jetën dhe vdekjen, për të vërtetën dhe mashtrimin, për drejtësinë dhe padrejtësinë, ai u shpreh para trupit gjykues dhe spektatorëve se “e vështirë, o miqtë e mi, nuk është të shmangësh vdekjen, po të shmangësh padrejtësinë”. [6]
Po ashtu, edhe Sokrati i poemës së Lasgushit është njeri guximtar dhe i urtë, i palëkundur në rrugën e tij që s`pranon asnjë kompromis. Kryeprifti mundohet ta josh me shembullin e tij jo të admirueshëm për njeriun e ndershëm:
U bubu, Sokrat, Sokrat,
Filozof që tunde dhenë,
Po si ne or antizot,
Pse s’ bën kompromis me fenë?
Po kjo këshillë e klerikut të lartë qe krejt e papranueshme për heroin e poemës së Lasgushit. Sokrati edhe në poemë nuk del nga bindjet filozofike, nga parimet e jetës së tij dhe as nuk korruptohet. Në mënyrë të prerë Sokrati pohon para klerikut të Zeusit, se ai s’ishte për kompromis me fenë. Pasi për njerëzit e ditur feja unik është përzierje dogmash. Duhet bërë e qartë, deklaron Sokrati, se për ne të diturit:
Feja jonë është trefish,
Shkencë e art e poezi,
Zoti ynë është një fish
Ky quhet Dituri.
Në këtë mënyrë pra, kuptohet nga pushtetarët e kohës në Athinë, se Sokrati nuk po vinte mend. Ai shkonte në popull dhe përsëri predikonte parimet e tij. Kjo i revoltonte qeveritarët e kohës. Ai po shpërndante ide të reja për të ardhmen, gjë kjo që s’u pëlqente njerëzve të regjimit sundues. Ai po u prishte qetësinë qeverisëse, po hapte “punë”, pra po prishte “status quon”. Atëherë të alarmuar ata i thonë:
Prap po i mohon Sokrat
Perënditë shtetërore,
Prap ti me ide të reja
Po zgjon masat popullore.
Më në fund u pa e qartë prej parisë se Sokrati nuk qe thyer nga paralajmërimet kërcënuese, se nuk po pranonte as rrugë kompromisi. Atëherë për atë kishte vetëm një alternativë, ajo e gjyqit.:
Kështu me ndërgjegje të ashpër
Merr vendim gjyqi xhelat,
I jep kupën e zeherit
Të pamposhturit Sokrat.
Kështu djajtë e bestytnisë,
Kështu breshkat e Moçalit
Vranë filozof Sokratin,
Madhështorin dre të malit
Lasgush Poradeci në të njëjtën kohë, kur lartëson figurën e Sokratit, qartëson edhe idenë se ai u dënua për pikëpamjet e idetë e tij progresive, duke u bërë martirë i doktrinës së vetë filozofike.
Që atëherë, që nga viti 399 p.e.s., kur u dënua Sokrati e deri tani, kanë kaluar 24 shekuj, po emri dhe vepra e tij jeton në faqet e historisë, prandaj poeti shkruan për pavdekësinë e tij:
Ti m’ i miri, ti m’ i urti,
Ti m’i drejti gjithë Greqisë
Vdiqe përmes errësirës,
Linde përmes historisë.
Shkuan vjet dhe qindra vjetë,
Shkuan edhe mijra vjet.
Të nderon Sokrat njerzimi,
Mirënjohje jetë pas jete.
Në favor të kësaj ideje se Sokrati rilind përmes historisë është edhe mendimi i studiuesit amerikan J.f. Stone, i cili ne veprën e tij “The Trial of Socrates” shkruan: ”Socrates speaks like a modern civil liberatorian”. [7] Ose, e thënë shqip, Sokrati flet si një liberator modern i qytetëruar. Nga kjo pikëpamje Sokrati nuk është vetëm një filozof dritëdhënës i antikitetit, por edhe një liberator i gjithë kohëve moderne. Nga kjo anë ai është një mendje universale, që ndrin në shekuj për logjikën e hekurt dhe guximin qytetar.
Filozofi Sokrat qe në opozicion me qeverisjen e kohës së tij jo për gjëra të vogla personale, po për çështje madhore, për të drejtën, për të vërtetën, për lirinë. Ai ishte dijetari që donte ndryshime për të mirën e shoqërisë, që nuk dinte të bënte kompromise, që kurrë nuk mund të bëhej vegël e shitur te qeveria. Njerëzit mendjendritur dhe të guximshëm si Sokrati i duhen çdo kohe, po e keqja është se opozitarë të tillë prishin status quo-n dhe nuk u duhen qeverive . Cili filozof shkoi aq i vetëdijshëm drejt fundit tragjik si ai. Për mendimin e thellë filozofik dhe guximin e tij, Sokrati është një sinekdokë; dhe, ashtu siç themi se muzetë kanë nevojë për ciceronë, që të kuptohen nga të gjithë, kohërat kanë nevojë për sokratët, që të ndriçohen.
Lidhur me fatin tragjik të filozofit të madh, si në jetën e tij edhe në këtë poemë, që jemi duke e analizuar, studiuesja Frida Idrizi ka shënuar në parathënien e veprës letrare të Lasgushit se “poeti duke marrë shkas nga figura e Sokratit, demaskon në poemën ‘Ekskursioni teologjik i Sokratit’ hipokrizinë politike, klerikale dhe etike mbi të cilën mbështeten gjithë rendet shfrytëzuese, për të vënë në gjumë popullin e lënë në padije, me qëllim që të zgjasin sa më shumë jetën e tyre”. [8]
Herezia e filozofit krenar ndaj Zeusit sovran si dhe qëndrimi i tij kritik ndaj “parisë” drejtuese është cilësia më dalluese e Sokratit, që i ka tërhequr më shumë vëmendjen poetit në poemë. Kjo për arsyen se edhe vetë Lasgushi në këtë aspekt është një “Sokrat në miniaturë”.
Ai nuk e vuri penën as në shërbim të monarkisë, as në favor të diktaturës komuniste. Shkurt, poeti nuk i përfillte qeveritë edhe sferat e larta drejtuese. Po edhe ata të kabineteve te larta zyrtare e dinin farë mirë këtë gjë, prandaj, pa u ndjerë, qeveritarët e linin në hije. Dhe për këtë veçori të Lasgush Poradecit bindesh kur lexon epistolarin e tij, sidomos letërkëmbimin me Asdrenin, me prof. E. Çabejn, si edhe me prof. S. Luarasin .
“O miku im i dashur dhe atdhetar i urtë, Asdren … Studentët e ardhur nga Shqipëria thonë se arka e shtetit qenka zbrazur nga shkaku i festave të kurorëzimit, prandaj s’ po dorëzohen bursat prej kaq muajsh dhe kush e di se gjer kur do të zgjatet ky martirizim…” [9]
Për ta ndriçuar edhe më shumë alergjinë e Lasgushit ndaj nëpunësve të lartë qeveritarë le të lexojmë edhe letrën që i drejtonte E. Çabejt nga Graci më 29 shkurt 1933: “Me pedantsuan obskurantisht, po un nuk u betova .. Pasi bërë skandalin e mosbesimit, na ardhke edhe për rrogë tani … Unë i ofenduar, dhe gjigand kundër pigmenjve nuk u tremba, po erdha pa rrogë”. (Vep.Letrare, f. 483).
A nuk janë këto shembuj që flasin për një Sokrat në miniaturë? Për një këngëtar “finosh” që nuk u shit te politika, por që qëndroi si princ në mbretërinë e poezisë.
Së fundi, duhet theksuar se mendimet dhe idetë e poemës “Ekskursioni teologjik i Sokratit” janë dhënë përmes një forme tërheqëse nga ana artistike, edhe pse në këtë vepër s’ kemi më atë erotikën e afektuar nga një dashuri zhuritëse, ashtu si tek “ “Ylli i Zëmrës” a po tek “Vallja e Yjeve”. Vendin e heroit lirik në këtë poemë e zë një filozof i ndritur dhe me karakter të fortë. Po edhe kjo dukuri e re në poezinë e Lasgushit., tanimë në moshën të tretë, jepet me frymëzim. Përsëri kemi të bëjmë me një krijim mjeshtëror
Stili Lasgushian, dikur me tone romantike, tani në poemën ”Ekskursioni teologjik i Sokratit” merr ngjyra kritike dhe ironie, po poezia nuk e humbet as natyrshmërinë, as spontanitetin. Vargjet mbajnë gjithnjë veç figuracionit të pasur edhe një tingëllim origjinal, gjë që përftohet edhe më shumë nga efektet akustike që japin anafora, epanostrofeja, aliteracion, përsëritja poetike, dhe gjithë sintaksa poetike e vjershërimit lasgushian.
______________
[1] L. Poradeci “Ylli i Zemrës” , Botimi II, Bukuresht, 1939, f.134
[2] Prof. A. Mushulin, “Histori e Kohës së vjetër”, Tiranë 1950, f.141
[3] Nga Irwing Edman, ”The Works of Plato” f. 67
[4] Nga Irwing Edman, “Platon” f. 74
[5] Nga Irwing Edman, “Plato” f. 74
[6] Nga Irving Edman, “Plato” f.85
[7] Nga J. F. Stone,”The trial of Sokrates”, f. 210
[8] Nga Frida Idrizi, ”Vepra letrare” e L. Poradecit, Parathënia, Tiranë, 1990, f.18
[9] Lasgush Poradeci, “Vepra Letrare”, Tiranë, 1990, f..477
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje