Samir Ujkani i ka dhënë fund karrierës së tij pas 16 viteve të kaluara në futbollin profesionist.
Ish-kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës kohën më të madhe e ka kaluar në Itali, ku ka luajtur për shumë skuadra.
Torino, Empoli, Palermo, Genoa, Pisa, Cremonese, Chievo, Novara e Latina kanë qenë skuadrat ku ka luajtur portieri kosovar.
Mirëpo në vitin 2013 ai ka qenë shumë pranë ta bëj hapin e madh në karrierë, për t’iu bashkuar gjigantit italian Inter.
Në një rrëfim ekskluziv për Telegrafin, Ujkani ka thënë se i dështoi transferimi te Interi, por jo për faj të tij pasi ai ishte i gatshëm të bashkohet me Neroazzurët.
“Transferimi në Inter më ka dështuar… Nuk është mirë me fol tani, por ka dështuar. Ishte viti 2013 sa isha pjesë e Palermos dhe kisha disa probleme me klubin, derisa në afatin kalimtar të janarit isha pranë Interit”.
@telegrafi ? Si i dështoi transferimi te Interi në vitin 2013 dhe refuzimi që i bëri Sevillës po atë vit, Ujkani flet për ofertat që kishte dhe pengun e madh në karrierë #TelegrafiSport #SamirUjkani #ShqiptarëtNëpërBotë #Ujkani #Kosova #Interi #Sevilla ♬ original sound – Telegrafi.com
“Transferimi te Interi dështoi për pak, por jo për shkak të fajit tim, megjithatë tani nuk ia vlen të flasim”, tregon Ujkani.
Por pengu më i madh në karrierën e tij mbetet që nuk u transferua te Sevilla, pasi ishte vet Ujkani që refuzoi gjigantin spanjoll për t’iu bashkuar Chievos.
“Gabimi më i madh i imi mendoj se është që refuzova transferimin te Sevilla. E kisha ofertën e Sevillës në tavolinë dhe e kam refuzuar. Ky është pengu më i madh në karrierën time, pasi është dashur të transferohem atje. E quaj gabimin më të madh që kam bërë”.
“Transferimi i Interit dështoi jo për shkakun tim, por te Sevilla dështoi shkaku im pasi atë vit vendosa që të transferohem te Chievo që ishte një tjetër gabim pasi nuk shkoi siç e kisha menduar, derisa Sevilla filloi të fitonte Liga të Evropës pa ndalur”, deklaroi ndër të tjera Ujkani. /Telegrafi/