Nga: Refik Kadija
Shtetari, filozofi i shkencave dhe eseisti i famshëm i Rilindjes, Sir Francis Bacon, është i njohur për thëniet e mençura në shumë fusha të jetës të shprehura në esetë e tij. Për librat ai shprehet se “disa libra janë për t’u shijuar, të tjerë për t’u gëlltitur, dhe pak prej tyre për t’u përtypur e për t’u asimiluar”. Sigurisht, nuk bëjnë përjashtim këtu as librat me përshkrime e shënime udhëtimi.
Kurse për udhëtarët që ndërmarrin udhëtime përtej vendlindjes së tyre, Baconi jep dhjetë këshilla të vlefshme në trajtë aforizmash, të shprehura në esenë e tij “Of Travel” (“Mbi udhëtimet”), të cilat po i përmbledhim si më poshtë:
1. Bëje udhëtimin pjesë të edukimit të jetës tënde. Udhëtimi është pjesë e edukimit për të rinjtë dhe pjesë e përvojës për të moshuarit.
2. Mbaj ditar udhëtimi në det ose në tokë.
3. Kërko pamje interesante si: në sallone të princërve (sidomos kur presin në audiencë ambasadorët); në gjykata, kisha e monastire (me monumentet që janë ruajtur atje brenda); në muret dhe fortifikimet e qyteteve e kështjellave; portet, antikitetet e rrënojat; thesaret e gurëve të çmuar dhe rrobave, mobilet dhe gjërat e rralla; mjetet e lundrimit; shtëpitë dhe kopshtet për punë shtetërore dhe çlodhje, pranë qyteteve të mëdha; depot e armëve, arsenalet, magazinat etj.
4. Kërko veprimtari interesante si ushtrime kalorësiake, duele me shpata, stërvitje ushtarake, shfaqje, biblioteka, triumfe, maska, festa, dasma, funerale, ekzekutime me vdekje, e gjëra të tjera si këto.
5. Merr me vete ndonjë libër a gjësendi të shkruar që përshkruan vendin ku do të shkosh, i cili do të jetë një çelës i mirë për hulumtimet tuaja, dhe merr rekomandim për ndonjë person me vlerë në vendin ku do të shkosh që mund ta përdorësh mbështetjen e tij për gjërat që dëshiron të shohësh ose të dish.
6. Kërko larmi përvojash edhe brenda një vendi të vetëm.
7. Tako ose vizito persona eminentë (të shquar) të të gjitha llojeve, të cilët kanë emër të madh jashtë vendit. 8. Shmangu nga udhëtimi me bashkudhëtarë grindavecë.
9. Kur kthehesh në shtëpi, mbaji të gjalla udhëtimet tuaja me ushtrim intelektual (shkëmbim letrash, shkrime, etj.).
10. Kur të kthehesh në shtëpi mos u mburr para njerëzve për përvojat tuaja të udhëtimeve.
***
Duke lexuar librat e udhëtarëve anglezë që eksploruan trojet shqiptare kuptohet qartë se ata i kanë ndjekur këto këshilla të urta të tij. Të gjithë vizituan “persona eminentë që kishin emër të madh jashtë vendit”, mbajtën “ditare udhëtimesh në tokë e në det”, lexuan paraprakisht librat e paraardhësve ose bashkëkohësve të tyre, vizituan kisha e monastire, kështjella e fortifikime, antikitete e rrënoja arkeologjike etj. Thuajse të gjithë i vizituan sarajet e Ali Pashë Tepelenës dhe u takuan me të (Bajroni, Hobhauzi, Liku, Hjuzi, Kokerelli, Dr. Hollandi); David Urquharti u takua me Mustafa Pashë Bushatliun; Henri Tozeri u takua me Car Nikollën në Cetinë dhe me konsujt anglezë e francezë në Shkodër etj. Pastaj, përveç këtyre fakteve, ata nuk ishin udhëtarë të rëndomtë, por personalitete të shquar në vendin e tyre; nuk udhëtuan si turistë, por ndërmorën udhëtime të vështira me misione të paracaktuara. Bajroni, Hobhauzi, Liku, Robert Grejvsi u dërguan me misione politike, diplomatike e ushtarake. Bajroni dhe Hobhauzi u dërguan nga Shoqëria e miqve të Britanisë për të organizuar kryengritjen greke kundër Turqisë dhe më vonë Bajroni vdiq duke marrë pjesë aktive në revolucionin grek; kurse Hobhauzi u bë një nga anëtarët më aktivë të Komitetit për Çlirimin e Greqisë; Kolonel Liku, përveç hartimit të imët topografik të terrenit të gjithë Greqisë dhe Shqipërisë së Jugut, u dërgua me mision politik nga Mbreti i Anglisë tek Ali Pasha për të negociuar për paqe midis Anglisë e Turqisë; David Urquharti ishte diplomat e personalitet politik, i cili u dërgua me mision diplomatik në Stamboll për të zgjidhur konfliktin greko-turk për kufijtë. Robert Grejvsi erdhi nga Stambolli në trojet shqiptare për inspektim me një ekip prej shtatë vetash që drejtohej nga Ministri i Luftës i Perandorisë Osmane etj.
Shekulli XIX, si shekull i ‘lulëzimit’ të letërsisë së udhëtimeve, nëpërmjet udhëtarëve anglo-saksonë, në Ballkan fillon dhe mbaron simbolikisht me Shqipërinë, e cila në imagjinatën anglo-saksone vazhdonte të përfaqësonte pjesën më misterioze dhe më ballkanase të Ballkanit. Tema shqiptare u bë më e prekshme dhe më dominuese pikërisht nëpërmjet poemës liriko-epike të Bajronit “Udhëtimet e Çajld Haroldit”, të cilën e citojnë në veprat e tyre disa prej udhëtarëve anglezë si T. S. Hughes, R. Walsh, H. Holland-i, H. F. Tozeri etj. Studiuesja dhe autorja (me origjinë serbo-malazeze, por martuar në Angli dhe me banim të përhershëm atje) Vesna Bjelogrliq/Goldsworthy e përshkruan Bajronin si “Kolombi i Ballkanit” kryesisht ngaqë shumë nga pasuesit e tij, teksa vizitonin Ballkanin që nga gjysma e parë e shek. XIX e deri në mes të këtij shekulli, duket qartë se ata po ndiqnin hapat e tij, duke konfirmuar, kontestuar ose përditësuar përshtypjet e tij.
Udhëtarët e palodhur anglezë e vazhduan këtë traditë bajroniane edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX e më tej. Bile eksplorimi i trojeve shqiptare dhe i njerëzve të saj, i historisë së tyre, gjuhës, folklorit, zakoneve e traditave dhe karakterit të tyre u pasurua edhe me udhëtare – gra të guximshme si Edith Durham, Margaret Hasluck, Rose Lane, Fanny J. Blunt, Georgina Mackenzie e Paulina Irby etj. Pas vdekjes së Ali Pashës dhe pas konsumimit gradual të potencialit dramatik që u ushqye nga fundi tragjik i vezirit shqiptar të Janinës, vëmendja e udhëtarëve anglosaksonë u shtri gjithnjë e më shumë drejt veriut të Shqipërisë që po e trazonte gjithnjë e më shumë pellgun letargjik të Perandorisë Osmane, drejt viseve ende të pashkelura ose pak të eksploruara nga udhëtarët anglo-saksonë.
Një nga udhëtarët britanikë më të njohur të gjysmës së dytë të shekullit XIX është Henry Fanshawe Tozer (1829-1916), i cili udhëtoi shumë nëpër Greqi dhe krahinat shqiptare të Perandorisë Osmane. Përveçse udhëtar, ishte edhe shkrimtar, filolog e gjeograf. Është vazhdues i grupit të udhëtarëve anglezë të 3-4 dekadave të para të shekullit XIX. I studioi veprat e tyre, u frymëzua prej tyre dhe udhëtoi në gjurmët e tyre. Në njohuritë e përshtypjet e tij mbi shqiptarët ai u ndikua në mënyrë të veçantë nga poema e Bajronit “Shtegtimet e Çajld Haroldit”. Kjo vepër u redaktua nga H. F. Tozeri dhe u pajis prej tij me një “Parathënie” prej 26 faqesh mbi jetën, karakterin dhe opinionet fetare të Bajronit, mbi veprën e tij, karakteristikat letrare të saj, ndikimin e saj në letërsinë botërore, si dhe me “Shënime” historike, topografike, letrare e gjuhësore. Kështu kjo pati tre botime: më 1885, 1898 dhe 1916. Me interes për ne janë shënimet e hollësishme të Tozerit në “Këngën e Dytë” të kësaj poeme për Shqipërinë dhe shqiptarët, Skënderbeun dhe Ali Pashën.
Vepra e tij madhore në dy vëllime “Kërkime në malësitë e Turqisë, përfshirë vizitat në malet Ida, Athos, Olimp e Pelion, te shqiptarët e Mirditës dhe në fise tjera të largëta” (“Researches in the Highlands of Turkey, Including Visits to Mounts Ida, Athos, Olympus, and Pelion, to the Mirdite Albanians, and Other Remote Tribes”) u botua në Londër më 1869 nga botuesi i famshëm John Murray, botues ekskluziv i veprave të shumë shkrimtarëve të shquar të shekullit XIX. Por, autori më i shquar ishte Bajroni i cili u bë mik i ngushtë dhe korrespondent i tij. Murray botoi shumë nga veprat e tij kryesore dhe ishte pikërisht ky botues, i cili më 10 mars 1812, botoi librin e dytë të Bajronit, “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, i cili u shit për pesë ditë dhe e bëri Bajronin të deklaronte: “U ngrita një mëngjes dhe e pashë veten të famshëm”.
Vepra e Tozerit është padyshim një nga ata libra për të cilët filozofi Bacon thotë se janë “për t’u përtypur e për t’u asimiluar”. Kjo vepër përfshin përshtypjet e tre udhëtimeve të Tozerit nëpër trojet shqiptare midis viteve 1853-1865 dhe përmban përshkrime të hollësishme veçanërisht të Elbasanit, Beratit, Tepelenës, Gjirokastrës, Shkodrës, Mirditës, Prizrenit etj. Por, herë pas here udhëtari anglez e ndërpret itinerarin e udhëtimit dhe përshkrimin topografik e gjeografik të terrenit për të përfshirë edhe mjaft të dhëna me interes të historisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.
Gjatë udhëtimit të tij të parë në verën e vitit 1853 mblodhi mjaft të dhëna historike, filologjike e folklorike (legjenda, fabula, balada, këngë e gjëegjëza), të cilat i shtjelloi në tre kapitujt e fundit (28, 29, 30) të vëllimit II të veprës së tij. Në kapitullin XXVIII, f. 238-239, Tozeri tregon legjendën e Urës së Artës, të cilën e krahason me legjendën Rozafës të Kalasë së Shkodrës:
“Ndër pjesët imagjinative që rrëfejnë disa ndodhi romantike, qofshin imagjinare ose jo, ato që tregohen për Urën e Artës meritojnë të përmenden të parat. Historia duket se është sugjeruar nga dridhjet e harqeve të urës dhe shtjellohet si më poshtë: Disa muratorë kishin kohë që merreshin me ndërtimin e urës së Artës, por ajo çfarë ndërtonin gjatë ditës shembej gjatë natës. Kur ishin mërzitur në kulm e s’dinin ç’të bënin tjetër, u dëgjua një zë që dilte nga ura, që thoshte se puna nuk mund të kryhej nëse nuk flijohej jeta e gruas së bukur të mjeshtrit murator. Kur e dëgjoi këtë mjeshtri murator në fillim u pushtua nga pikëllimi, por më në fund fitoi dëshira për ta kryer projektin e tij, dhe ai i çoi fjalë asaj që të vinte e veshur me rrobat më të shtrenjta dhe me stolitë e saj. Kur ajo arriti, e pyeti të shoqin pse e kishte thirrur dhe ai iu përgjigj se unaza e tij e martesës i kishte rënë në gropën e njërës prej skelave (shtyllave) që po ndërtonin dhe ajo ishte njeriu i duhur për t’ia nxjerrë. Ajo menjëherë pranoi që ta zbritnin poshtë në gropë por, sapo arriti në fund, ata filluan ta mbulonin me llaç e gëlqere. Kurse vetë i shoqi hodhi gurin e parë. Kur ajo po vdiste, u dëgjua një klithmë dhe në atë çast iu dridh zemra. Qysh atëherë harqet e urës vazhdojnë të dridhen për jetë të jetëve”. Këtu Tozeri jep shënimin në fund të faqes ku tregon për legjendën e murimit të Rozafës: “Një gojëdhënë e ngjashme tregohet edhe për kështjellën e Shkodrës”.
Në Kapitullin XVII (f. 390-391), përveç të tjerave, Tozeri vlerëson lart ndërtuesit dibranë: “Ne e kemi përmendur tashmë se banorët e Dibrës, krahinës rreth luginës së Drinit të Zi, ishin karpentierët e druvarët më të famshëm në Turqi. Një numër i madh i këtij fisi të shqiptarëve emigronin për pjesën më të madhe të vitit, pjesërisht për të prerë dru në male, dhe pjesërisht për të ushtruar profesionin ë tyre si karpentierë. Shumë prej tyre kalojnë pranë Selanikut dhe bile udhëtojnë deri në Azinë e Vogël, por ata gjithmonë kthehen në shtëpi për verë, ku arrijnë jo më vonë se muaji maj … Përsëri Hahni përshkruan ekzistencën e grupeve të muratorëve shëtitës midis shqiptarëve dhe i krahason ata me stërgjyshërit e tyre pellazgë, të cilët punësoheshin për të ndërtuar disa nga veprat e mëdha në Athinë, dhe shumica e mureve të lashta masive të Greqisë dhe Italisë duhet t’i referohet punës së dorës të bërë nga ata (Hahn, ‘Reise’, f. 43)”.
Në Kapitullin IX, Tozeri e ndërpret këtu përshkrimin e udhëtimit dhe jep shënimet e tij filologjike e historike për origjinën pellazgjike të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre të lashtë e unike (duke u mbështetur në veprën e Hahnit e Boppit), të karakterit të shqiptarëve dhe heronjve të tyre.
“‘Albanezët’ e quajnë veten ‘skipetar’ (shqiptarë) dhe ka dëshmi të konsiderueshme që tregojnë se ata janë një komb i lashtësisë së madhe (antikitetit të largët). Emri ‘arnaut’, i cili iu është vënë nga turqit, është në fakt vetëm një shtrembërim i ‘albanian’. Procesi i ndryshimit ndiqet qartësisht në greqishten e re, ku fjala origjinale ‘albanites’ (e shqiptuar nga grekët ‘alvanites’), nga një ndryshim i shtegoreve (bashkëtingëlloreve rrëshqitëse) bëhet ‘arvanites’, dhe që andej, nga ndërrimi i vendit të shkronjës, ‘arnavites’, nga e cila kalimi është i lehtë në ‘arnaut’. Gjuha e tyre, e cila për një kohë të gjatë ka qenë enigëm për filologët, vitet e fundit është analizuar (ekzaminuar) me kujdes nga Profesor Boppi, i cili shprehet se ajo është një degë e pavarur e familjes indo-evropiane. Shumë nga sistemi i fleksioneve (parashtesa, prapashtesa, mbaresa) dhe shumë nga fjalët janë shumë të ngjashme me latinishten e greqishten, megjithatë ngjashmëria nuk është e atillë që të na bëjë të hamendësojmë (supozojmë) se ato janë huazuar nga njëra apo tjetra. Në shumicën e karakteristikave, sipas Boppit, mund të shpjegohet më lehtë me anë të sanskritishtes se me anën e atyre dy gjuhëve. Dr. Von Hahni, i cili ka jetuar për disa vite midis shqiptarëve, dhe nga vepra shkencore e të cilit ‘Albanesische Studien’, janë nxjerrë shumë nga këto shënime, beson se ata janë përfaqësuesit ekzistues më të afërt të pellazgëve. Ai mendon se ngjashmëritë e mëdha që ekzistojnë në zakone, karakteristika kombëtare dhe çështje të tjera, si edhe në gjuhë, midis shqiptarëve dhe romakëve e grekëve të lashtë, mund të shpjegohen në mënyrë shumë të natyrshme me hamendësimin se ata të gjithë kanë qenë në origjinë nga e njëjta racë, dhe me qenë se shqiptarët kanë qenë më pak të qytetëruar, si dhe pozicioni i tyre pak i shkelur, i kanë ruajtur këta institucione origjinale. Është e vërtetë se pellazgët shpesh janë përdorur për të shërbyer si bazë e teorive etnografike të paargumentueshme dhe se përmendja e tyre ka prirjen të shkaktojë një buzëqeshje; mirëpo këtu duket se ka shumë më tepër për të thënë se në rastet tjera. Sepse të dhënat që na kanë lënë autorët e lashtë duket se tregojnë që banorët e sotëm janë e njëjta racë që ka banuar në këtë vend në kohra të lashta dhe nënkuptojnë një lidhje të ngushtë midis këtyre fiseve epirote dhe ilire dhe atyre të Maqedonisë, etj.
Këto deklarata, të marra së bashku me ekzistencën e orakullit të madh pellazg të Dodonës në këtë vend, si dhe me fakte të tjera të kësaj natyre, duket se e bëjnë të mundur këtë teori. Ekziston gjithashtu midis tyre një alfabet, me sa duket i një lashtësie të madhe (antikiteti të largët), që Hahni beson se e ka pasur prejardhjen nga disa alfabete pellazge që vinin nga fenikasit – ndoshta nga vendbanimet fenikase në veri të Egjeut – dhe që duket se ka lidhje si një motër me alfabetin grek. Mirëpo, çfarëdo që mund të mendohet për këto pikëpamje, subjekti është i tillë që meriton më shumë vëmendje sesa është treguar për të deri tani; dhe unë nuk mund të mos besoj se një studim i kujdesshëm i gjuhës mund të hedhë dritë të konsiderueshme mbi gjuhët klasike. Për sa i takon karakterit të shqiptarëve, ata janë përshkruar nga Finlay si krenarë, të pacipë, të rrëmbyer dhe të etur për fitim, por të ndershëm dhe të besës.
Poezitë dhe legjendat e tyre tregojnë se ata janë njerëz të zgjuar dhe mendjemprehtë. Kjo dëshmohet akoma më qartë nga gjëagjëzat e tyre me të cilat Hahni ka bërë një koleksion të madh. Kemi zgjedhur për ilustrim disa prej tyre që formulohen përgjithësisht në formë krahasimi dhe duhet t’i përgjigjen pyetjes ‘Ç’është?’: ‘Ara e bardhë, fara e zezë, mbillet me dorë dhe korret me gojë’ (shkrimi); ‘babai i gjelbër, i biri i kuq’ (karafili), ‘majmuni hidhet e përdridhet, ndërsa lopa e bardhë milet’ (furka e druga), ‘S’është lopë por ka brirë, s’është gomar por ka samar, dhe kudo që shkon lë argjend mbrapa’ (kërmilli), ‘Ç’është ajo gjë që mbështjell lesh përbrenda e dhjamë përjashta?’ (qiriu).” (v. I, k. IX, f. 209-212)
Në katër faqet e fundit të Kapitullit IX “Nga Ohri në Elbasan” (214-217), Tozeri ka vënë shënimet e tij historike mbi Shqipërinë, të cilat lidhen kryesisht me Skënderbeun, duke shprehur fillimisht edhe një opinion jo-vlerësues për Ali Pashën:
“Heronjtë historikë të Shqipërisë janë Aleksandri i Madh, Pirroja dhe Skënderbeu; dhe në kohrat moderne, nëse është e lejueshme të përmendet një që qëndron shumë poshtë në krahasim me ata emra të mëdhenj – Ali Pasha. Gjithçka që është interesante në historinë e këtij vendi sillet rreth tyre; gjithçka tjetër është një seri fitoresh të përkohshme dhe sulme barbare, efektet e të cilave kanë qenë kalimtare dhe nuk kanë ndikuar në mënyrë të përhershme as në vetë popullin shqiptar, as në racat fqinje. Aleksandri ishte i lidhur me Shqipërinë nëpërmjet nënës së tij Olimpia, e cila ishte princeshë epirote: megjithatë ekspeditat e tij ushtarake i takojnë historisë universale, si ato të Pirros që i takojnë asaj të Romës. Për të tretin, Skënderbeun, do të ishte mirë që të bënim një përshkrim të shkurtër, sepse pak luftëtarë kanë lënë mbrapa tyre një famë aq të qëndrueshme ose një admirim aq entuziast sa ai me të cilin shihet e vlerësohet ky hero nga bashkatdhetarët e tij. Gjergj Kastrioti, sepse ai ishte emri i tij i vërtetë, lindi në veri të Shqipërisë në vitin 1404 dhe, me qenë se babai i tij u detyrua t’i jepte haraç turqve, ai bashkë me tre vëllezërit e tij u dërguan si pengje të Sulltan Muratit II. Ata u vendosën me banim në pallatin e atij princi (Muratit II) dhe, në kundërshtim me marrëveshjen e qartë të bërë nga babai i tyre, ata u edukuan në fenë muhamedane. Vëllezërit e tjerë vdiqën herët, por Gjergji u rrit si favorit (i preferuar) Sulltanit, i cili e rekrutoi midis rojeve të tij dhe e caktoi me detyra ushtarake të rëndësishme: aftësitë dhe trimëria e tij u dukën qartë qysh në moshë të re dhe si rrjedhojë e kësaj ai ori nga turqit emrin Iskender Beg, ose Lord Aleksandër. Pas vdekjes së babait të tij, kur pronat e familjes së tij ishin pushtuar dhe administroheshin nga Murati dhe një officer turk ishte dërguar për t’i qeverisur, Skënderbeu bëri planin për t’i rifituar (rimarrë) ato dhe për të shpallur pavarësinë e vendit të tij Shqipërisë. Ai e zbatoi planin e tij në mënyrën që vijon. Kur u dërgua në një fushatë kundër Huniadit, ai bëri një marrëveshje të fshehtë me atë komandant dhe duke dezertuar, në një moment kritik, kontribuoi në disfatën e ushtrisë turke në Nish.
Gjatë rrëmujës që pasoi ai mori me forcë nga sekretari i Sulltanit një ferman (urdhër me shkrim) me anën e të cilit guvernatori i Shqipërisë urdhërohej t’ia dorëzonte Krujën, kryeqytetin e atij vendi, bashkë me komandimin e krahinës fqinj. I armatosur me këtë mandat (urdhër), ai nxitoi për të shkuar në vend dhe kur e kishte marrë në dorë pushtetin me këtë mënyrë, ai e hoqi maskën, e deklaroi veten armik të Sulltanit musliman dhe u njoh nga bashkatdhetarët e tij si udhëheqës i tyre në luftën për pavarësi. Për njëzet-e-tre vitet që mbetën nga jeta e tij ai u angazhua në armiqësi thuajse të përhershme (të pandërprerë) me turqit dhe u bë i famshëm për aftësitë e tij si gjeneral, për disiplinën që zbatoi tek ushtarët e tij dhe për trimëritë e jashtëzakonshme që bëri me dorën e tij. Më se një herë armiqtë e tij hyn në Krujë, por ata vazhdimisht u sprapsën, dhe kur vetë Sulltan Murati e rrethoi atë vend më 1450, ai u detyrua të tërhiqej, dhe vdekja e tij që ndodhi një vit më vonë, thuhet nga disa se u shkaktua nga disfata që pësoi. Në një periudhë Skënderbeu u tërhoq nga skena e luftës kur, pasi kishte bërë një marrëveshje armëpushimi me Mehmetin II, ai shkoi në Itali, me kërkesën e Papë Piut II, për të ndihmuar Mbretin e Napolit kundër kundërshtarit të tij Kontit Anzhu. Si rrjedhojë e shërbimeve të tij që I bëri në atë rast, ai mori si shpërblim toka të mëdha në Itali, të cilat u zunë më 1460 nga një numër refugjatësh, duke u bërë e para e kolonive të shumta që kaluan nga Shqipëria në atë vend. Gjatë fundit të jetës së tij ai hyri përsëri në armiqësi me armiqtë e tij të dikurshëm dhe përsëri doli fitimtar. Më në fund ai vdiq në Lezhë në moshën 63 vjeçare dhe me vdekjen e tij u shuan edhe shpresat e bashkatdhetarëve të tij. Ai nuk prehet midis tyre, sepse, pasi u varros, turqit e coptuan trupin e tij dhe nga eshtrat e tij bënë hajmali, të cilat supozohej se e mbushnin me guxim në fushën e betejës këdo që e vinte. Aq i madh ishte nderimi supersticioz për njeriun i cili gjatë gjithë jetës së tij nuk i kishte lënë t’i afroheshin dhe i kishte mundur vazhdimisht! Por emrin e tij e kanë të gjithë në gojë në të gjithë Shqipërinë, bile edhe shqiptarët e Italisë Jugore, pasardhësit e atyre që u larguan nga atdheu i tyre pas vdekjes së tij. Ai është ende heroi i këngëve popullore.
Pas përshkrimit të Elbasanit autori e ka ndërprerë udhëtimin e parë dhe ka vazhduar me udhëtimin e dytë duke filluar me Beratin. Në Kapitullin X të vëllimit I me titull “Nga Berati në Korfuz” Tozeri ka përshkruar segmentin e fundit të udhëtimit të dytë, më 1861, duke ndaluar në qytetet kryesore – Berat, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë e Butrint para se të hidhej në Korfuz.
Pasi bën një përshkrim të hollësishëm gjeografiko-etnografik të qytetit të Beratit, Tozeri kalon në disa të dhëna historike të kalasë së Beratit, duke u ndalur konkretisht te humbja e Skënderbeut në rrethimin e saj: “ Kështjella e Beratit është e famshme (e njohur) në histori si skena e një rrethimi të rëndësishëm të drejtuar nga Skënderbeu, kundër të cilit ajo mbrohej nga turqit, në fillim të sundimit të Muhametit (Mehmetit) II. Duke marrë guxim nga një seri fitoresh kundër kundërshtarëve të tij, heroi shqiptar vendosi ta vinte nën zotrimin e tij atë pozicion të rëndësishëm. Prandaj ai bëri përgatitje serioze për këtë qëllim; në të njëjtën kohë ai u dha zemër pasuesve të tij duke u kujtuar atyre mbrojtjen e famshme të Belgradit serb nga Huniadi i madh bashkëkohës. Më në fund, rrethimi u ngushtua aq shumë, sa që garnizoni u detyrua të pranonte për t’u dorëzuar, nëse nuk i vinin në ndihmë mbrenda gjashtëmbëdhjetë ditëve. Por përpara se të mbaronte ai afat, u shfaq gjenerali turk Sevali me një ushtri të madhe në fushën në veri të qytetit dhe i sulmoi rrethuesit shqiptarë. Pas një beteje të ashpër, Skënderbeu u mund duke humbur pesë mijë nga trupat e tij më të mira, si dhe Muzakën, njërin prej miqve të tij më të ngushtë e një prej komandantëve më të zot. Në këtë rast, biografi i tij na thotë, nga zemërimi për këtë mos-sukses, iu ça buza e poshtme dhe i rrodhi gjaku çurg, siç i ndodhte zakonisht kur ishte shumë i zemëruar në këshillë ose në kampin e luftës: dhe kur i pa turqit që po ua prisnin kokat shokëve të tij të vrarë në fushën e betejës, ai u dha urdhër 7000 ushtarëve të tij, pavarësisht nga prania e armikut fitimtar, që të shkonin e t’i varrosnin të vrarët pa marrë parasysh asnjë rrezik. Megjithatë, efekti i kësaj tërheqjeje ishte vetëm i përkohshëm, sepse ne e gjejmë Skënderbeun duke ndjekur karrierën e tij fitimtare tjetërkund.” (f. 222-223)
Në fillim të kapitullit XIII të vëllimit I, me titullin ”Shkodra dhe Mirdita” Tozeri ka bërë një përshkrim të detajuar të Shkodrës ashtu siç e gjeti kur e vizitoi gjatë udhëtimit të tij të tretë më 1865. Më tej, pasi përfundon përshkrimin gjeografik të vendit, Tozeri vazhdon me rrëfimin historik të qytetit: “Lartësia e kështjellës mbi të cilën po qëndrojmë ka qenë vend-ndodhja e qytetit origjinal të Skodra-s (Shkodrës), sepse ky emër, i cili është transformuar në ‘Scutari’ nga italianët, ka kuptimin “mbi kodër”. Në periudha të ndryshme të historisë Shkodra ka qenë një vend me rëndësi të konsiderueshme dhe është përballur me shumë rrethime. E para prej tyre përmendet nga Livi, i cili e përshkruan vendin si të vështirë për t’u pushtuar dhe si qyteti më i fortifikuar në vend, i rrethuar nga dy lumenj, Clausula (Chiri=Kiri) në lindje dhe Barbana (Boyana=Buna) në perëndim; ky i fundit rrjedh nga Palus Labeatis (liqeni i Shkodrës). Me këtë rast përmendim se Genti, mbreti i fundit i Ilirisë, pasi kishte provokuar armiqësinë e romakëve me piratëritë e tij, u sulmua dhe u rrethua nga pretori (nënkonsulli) romak Anicius, dhe pas një sulmi të pasuksesshëm, u detyrua të pranonte dorëzimin me kusht, pas të cilit Iliria u bë provincë romake ( në vitin 168 para Krishtit). Të kapërcejmë një numër rrethimesh të vogla dhe të kalojmë përsëri në skenën e një konflikti të rëndësishëm në vitin 1478, kur venecianët, të cilëve u ishte dorëzuar Shkodra nga Skënderbeu me anë të një marrëveshjeje të fshehtë e cila vihej në zbatim (kishte fuqi vepruese) pas vdekjes së tij, u bllokuan atje nga Mehmeti II për nëntë muaj dhe ia dorëzuan kështjellën atij si rrjedhojë e nënshkrimit të një traktati paqeje. Dhe tani të vijmë më afër, në kohën tonë, kjo kështjellë ishte selia qëndrore e Mahmud Pashës, apo Mahmudit të Zi, siç e quajnë zakonisht, i cili në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë kishte një pozicion të ngjashëm në Shqipërinë Veriore me atë që Aliu i Janinës mbajti pastaj në jug; dhe i cili, pasi i sfidoi për një kohë të gjatë otomanët, kundër të cilëve ishte hedhur në revoltë, dhe i kishte shpartalluar (i kishte bërë copë-copë) detashmentet që dërguan kundër tij, më në fund u mund dhe u vra nga malazezët nën udhëheqjen e vlladikës së tyre Petar I, në malet e të cilëve kishte depërtuar në një orë të ligë për të (më 1796). Një nga pasardhësit e tij, Mustafai, një burrë me më pak aftësi, por për një kohë jo më pak i frikshëm, gjithashtu e shpalli veten të pavarur nga qeveria qëndrore otomane, dhe duke përfituar nga koha kur pushteti i Sulltan Mahmudit ishte dobësuar nga lufta e tij me Rusinë dhe nga pakënaqësia popullore për shkak të reformave të tij të mbrendshme, i nxiti një numër të madh prijësish fqinjë që t’i bashkohen flamurit të tij dhe të marshojnë kundër forcave turke. Por gjenerali që u dërgua kundër tij, Mehmet Reshid Pasha, ndonëse forcat nën komandën e tij ishin shumë më të pakta, ishte një njeri me aftësi shumë më të mëdha. Fillimisht Mustafai u mund në fushën e betejës, dhe pastj u detyrua të mbyllej në kështjellën e tij, ku, pasi i bëri ballë rrethimit e bombardimit, u detyrua të dorëzohej nga shpërthimi i depos së tij të barutit (më 1832). Që nga ajo kohë flamuri ottoman është valëvitur paqësisht mbi muret e kështjellës.”
Pas Shkodrës Henry Tozeri niset drejt Mirditës, të cilës i kushton 40 faqe (I., f. 287-326). Këtu, përveç përshkrimeve të hollësishme topografike e gjeografike të krahinës, shpjegon strukturën administrative të Mirditës si një aristokraci ushtarake, përshkruan dinastinë e Preng Bib Dodës dhe marrëdhëniet e tij e të paraardhësve të tij më Pashallëkun e Shkodrës dhe me qeverinë qendrore osmane. Gjithashtu, ai jep të dhëna antropologjike e etnografike të mirditorëve, të zakoneve e traditave laike e fetare të tyre si gjakmarrja, krijimi i miqësive me anë të traditës së vllamit (probatinit), zakonet e martesës, sidomos funksionimin e ekzogamisë, e cila, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, e ndalonte martesën brenda gjinisë. Për të mbajtur të pastër traditën fetare të familjes, sidomos atë të krishterë, ushtrimi i ekzogamisë ishte vendosur deri në pesë breza. Në Mirditë, meqenëse martesat brenda fisit ishin të ndaluara, ato kryheshin duke rrëmbyer gra nga fiset e tjera, bile shpesh gra muslimane. Tozeri vë në dukje se “Mirdita ishte ndër të vetmet vende në Evropë ku fenomeni i ekzogamisë ende ekzistonte”. (Kap. XIV,f. 319). Këtu Tozeri e lidh traditën e respektimit të ekzogamisë me traditën e rrëmbimit të grave nga fise tjera. Hulumtimet në ‘Etnologjinë Përshkruese’ të Z. Latham, thekson Tozeri, “tregojnë se ekzogamia është, ose ka qenë, thuajse universale. Ajo gjëndet si në Amerikën Veriore ashtu dhe në atë Jugore, në Australi, në ishujt e Paqësorit, në Afrikë, në Indi dhe Afganistan, ndër Kalmukët dhe Cirkasianët. Në shumicën e rasteve që janë mbledhur ajo shoqërohet nga praktika e rrëmbimit të grave dhe zakonisht martesa mbrenda fisit ndalohet si incest”. (ibid, 321).
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje