SHBA-të mbështesin sovranitetin e Ukrainës, thotë Sekretari i Thesarit të SHBA-së

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, riafirmoi mbështetjen e Uashingtonit për sovranitetin e Ukrainës dhe angazhimin e saj për të siguruar një paqe të qëndrueshme.
Këtë ai e ka bërë gjatë një takimi me zëvendëskryeministren dhe ministren e Ekonomisë të Ukrainës, Yulia Svyrydenko, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, Bessent shkroi se ai dhe Svyrydenko ndanë "entuziazmin e tyre për funksionalizimin" e Fondit të Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë.
"Unë riafirmova mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin ukrainas dhe për sigurimin e një paqeje të qëndrueshme. Askush që financoi ose furnizoi makinën ruse të luftës nuk duhet të lejohet të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës", tha Bessent.
Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara më parë ranë dakord për projektet fillestare që përfshijnë grafit, litium dhe titan në kuadër të Fondit të Investimeve për Rindërtim.
Sipas Svyrydenkos, fondi pritet të bëhet funksional deri në fund të vitit. /Telegrafi/




















































