Site icon Telegrafi

Serwer: Zbutja e Serbisë nuk po funksionon, SHBA-ja duhet të jetë më e vendosur ndaj ambicieve irredentiste të Vuçiqit

Profesori amerikan Daniel Serwer, njohës i thellë i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka folur ndaj masave të fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq kundër Kosovës.

Të premten, Vuçiq njoftoi masa që synojnë të minojnë pavarësinë e Kosovës, duke shfaqur dëshirën për të rimarrë të paktën një pjesë të saj.

Megjithatë, Ambasada Amerikane në Beograd vazhdon të shprehë optimizëm se Vuçiq është ende në rrugën drejt integrimit perëndimor të Serbisë.

Eksperti i politikave ballkanike, Jasmin Mujanoviç, shprehu në Twitter qëndrimin e tij kritik ndaj qasjes së SHBA-së në rajon.

“Politika e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor është e qartë si balta. SHBA mbështet Vuçiqin pavarësisht lidhjeve të tij pro-ruse, ndërsa kundërshton Kurtin, edhe pse ai mban qëndrime properëndimore.”

Mujanoviq e kritikoi më tej administratën amerikane për qasjen e saj ndaj vendeve si Bosnja dhe Mali i Zi, duke thënë se SHBA kundërshton përfaqësuesit e Vuçiqit në Bosnje, ndërsa përkrah ata në Mal të Zi që rrëzuan një qeveri pro-NATO.

Serwer gjithashtu theksoi nevojën për një qasje më të qartë dhe koherente nga SHBA.

“Objektivat afatgjata të SHBA-së në Ballkan duhet të jenë të qarta: qeverisje demokratike dhe sovranitet pa kërcënime të forcës,” tha ai.

Sipas Serwer, politika amerikane aktuale është jo koherente dhe bie ndesh me qëllimet e saj afatgjata në rajon.

Në lidhje me zhvillimet në Kosovë, Serwer vuri në dukje se kryeministri Albin Kurti, megjithëse është në anën e Perëndimit, shpesh vepron pa konsultuar SHBA-në dhe BE-në.

“Kurti është në rreshtim me Perëndimin, por ai duhet të tregojë më shumë përkujdesje në veprimet e tij për të mos irrituar serbët e Kosovës dhe Beogradin,” tha Serwer.

Në përfundim, Serwer dhe Mujanoviq shprehen se qasja aktuale e SHBA-së ndaj Serbisë dhe Kosovës nuk funksionon dhe kërkojnë një rivendosje të politikës amerikane në rajon.

“Zbutja e Serbisë nuk po funksionon. SHBA duhet të jetë më e vendosur ndaj ambicieve irredentiste të Vuçiqit dhe të përkrahë fuqishëm Kosovën dhe vendet e tjera që kërkojnë integrimin perëndimor,” përfundoi Serwer./Telegrafi/

Exit mobile version