Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka realizuar një kontroll rutinore tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit). Zyrtarët kanë gjetur se përveç personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoolike pa autorizim nga Dogana e Kosovës, veprim ky që është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave.
Në njoftimin për media thuhet se gjatë të mërkurës disa media kanë cituar postime me pretendime të rrejshme të një zyrtari të Qeverisë së Serbisë për gjoja veprime të një anshme të Doganës së Kosovës me konfiskim të pijeve alkoolike, të prodhuara në mënyrë jo-legjitime.
“Personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës për mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave. Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra.
“Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit”, thuhet më tej.
Dogana e Kosovës njofton se në fshatin e njëjtë operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetar të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore. Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurrencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme.
Veprime të tilla kontrolli që rezultojnë në gjetje të proceseve të pa autorizuara prodhimi Dogana ka hasur edhe në qytete tjera, si në Gjakovë dhe madje ka bërë publike edhe rastin e rreth 15 mijë litra alkool në tetor të viti të kaluar. /Telegrafi/