Ndonëse jemi dëmtuar në numrin e deputetëve që i kemi nxjerrë brenda koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Alternativën, në jemi rreshtuar në këtë anë për ta ndërprerë qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kështu ka deklaruar në një intervistë për Telegrafin, nënkryetar i Aleancës për Kosovë të Re (AKR), Korab Sejdiu, duke shtuar se “ata i kanë fituar vetëm katër deputetë, edhe pse po të hynin vetëm do të fitonin më shumë”.


“Qëllimi ynë ka qenë që ta ndryshojmë këtë pushtet, ndoshta edhe në dëm të vetvetes. Tash përfaqësohemi vetëm me 4 deputetë, derisa po të hynim vetëm do të merrnin më shumë”, ka shtuar Sejdiu.

Sipas tij, është fatkeqësi për vendin tonë, nëse shumica shqiptare mbetet në opozitë, sepse që shqiptarët ta kenë rolin dhe fuqinë vendimarrëse është sakrifikuar shumë.

“Nëse dikush mendon se do të arrij sukses duke lënë shumicën shqiptare në opozitë, po bën gabim elementar. Shpresoj që kushdo që e themelon Qeverinë, ta ketë shumicën e votave të shqiptarëve”, ka shtuar Sejdiu.

Sipas tij, “nëse një koalicion nuk mund ta formojë Qeverinë, duhet me leshu rrugë, që mos me na sjellë në një pozicion të palakshmueshëm, sikurse rasti i Maqedonisë”./Telegrafi/