Shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP), Dardan Sejdiu gjatë seancës së jashtëzakonshme ku po diskutohet për raportin e Komisionit Evropian (KE) për Kosovën ka thënë se në lidhje me këtë raport ka mungesë të theksuar të informacionit nga shumica e deputetëve, pasi një pjesë e tyre nuk e dinë gjuhën angleze.

Sejdiu theksoi se deputetë duhet të presin 10 ditë e më shumë Qeverinë e Kosovës, për të bërë përkthimin e 90 faqeve të raportit të Komisionit Evropian (KE), për Kosovën


“...Ka një mungesë të theksuar të informacionit për të gjithë. Më duket që sot po e zbatojmë atë që njihet në ekonomi si ‘asimetri e informative’. Pra ka deputet që kanë pasur mundësi ta lexojnë raportin për vendin po dhe që e dinë gjuhën angleze, ka të tjerë që duhet të presin datën 26-të, meqë qeverisë i duhen 10 ditë apo më shumë për të përkthyer një raport 90 faqesh. Në këtë  lloj situate mendoj që nuk i bëjmë mirë diskutimit mbi të gjeturat e raportit. Ka shumë prej nesh që janë ekspert dhe në mungesë të dijes të gjuhës angleze nuk mund të shpërfaqin qoftë kritikën, rekomandimet sa i përket rrugës përpara. Rrjedhimisht këtu kemi deputetë që do të qëndrojnë në sallë, do të dëgjojnë për raportimin telegrafik të dikujt që ka lexuar raportin dhe në fund një numër i vogël i joni  do të thotë që kanë diskutuar për raportin për vendin. Ka edhe deputet që nuk e kanë lexuar pasi nuk e dinë gjuhën angleze dhe nuk kanë munduar ta lexojnë raportin”, u shpreh Sejdiu.

Ai po ashtu tha se në këtë asimetri të informatave janë duke e zhvlerësuar rëndësinë që ka raporti i Komisionit Evropian (KE), për Kosovën.

“Në këtë asimetri të informatave po e zhvlerësojmë rëndësinë që ka ky raport që vjen nga  një institucion që ka shumë rëndësi për Republikën e Kosovës”, ka thënë Sejdiu. /Telegrafi/