Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri deklaroi se për muajt nëntor-dhjetor të këtij viti, do të aplikohet çmimi 42 lekë [0.35 euro] për kilovat mbi fashën 800 kW konsum në muaj, në krahasim me 9.5 lekë që është çmimi aktual.
Përmes një njoftimi, ERE bëri të ditur se çmimi i furnizimit me energji elektrike për konsumatoret që konsumojnë mbi fashën e konsumit 800 kW, do të mbetet objekt rishikimi periodik.
Ditën e djeshme, Bordi i ERE rrëzoi kërkesën e deputetes demokrate, Jorida Tabaku për heqjen e fashës 800 kW, për mungesë argumentesh.
Më 30 shtator, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të hynte në fuqi në tetor fasha prej 800kw për konsumatorët familjarë dhe disa ditë më vonë, ERE mori vendimin.
Rama tha se kërkesa për energji nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), është më e ulët sot sesa në 1 shtator, kur u njoftua fasha mbi 800kw.
Në lidhje me aplikimin e kësaj fashe në muajin nëntor, Rama nënvizoi se do të shiheshin parametrat, ose do të kishte sërish diskutim për shtyrje të aplikimit të saj. /Telegrafi/