“Sfidat” e TikTok-ut po vazhdojnë ta sfidojnë mirëqenien e fëmijëve në Kosovë. Bëhet fjalë për “Sfidën e Supermenit” – një trend i ri në TikTok që raportohet se ka nxitur vetëlëndime te të rinjtë në disa komuna të Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Kosova përballet me një dukuri të tillë. Muaj më parë, disa shkolla ngritën alarm duke raportuar për raste të vetëlëndimit të nxënësve si pasojë e disa lojërave në TikTok.
Por, vetëlëndimi i fëmijëve nuk ishte i vetmi fenomen i rrezikshëm që buroi nga “sfidat” e kësaj platforme. Në prill të vitit që lamë pas, një shtetas i Kosovës u arrestua si i dyshuar për abuzim seksual me një të mitur – e ngjarja kishte ndodhur pikërisht gjatë një sfide në TikTok.
Psikologia Violeta Zefi, njëherësh edhe profesoreshë e Psikologjisë në UBT, thotë se këto raste që kanë ndodhur përbëjnë një shqetësim jashtëzakonisht të madh.
“Mendoj se fatkeqësisht nuk është adresuar ashtu si duhet, pra nuk janë marrë masat e nevojshme që me u pa se çfarë efektesh psikologjike ose çfarë pasoja emocionale mund të ketë përfshirja në një sfidë të tillë, dhe këto kritikat kryesisht i adresohen institucioneve të cilat e kanë për detyrë të merren me këtë gjë, duke filluar nga Ministria e Arsimit, edhe shkollat gjithashtu”, thotë Zefi për Telegrafin.
Tutje, psikologia Zefi ka theksuar se është e rëndësishme që këtyre fëmijëve t’ju ofrohet ndihmë profesionale fillimisht nga psikologët e shkollave, teksa ka u ka bërë thirrje edhe prindërve të jenë më të vëmendshëm në këtë aspekt.
Përdorimi i tepruar i TikTok-ut prek funksionet njohëse, thotë psikologia.
Por, vetëlëndimi i fëmijëve nuk është e vetmja pasojë që mund të vijë si rezultat i përdorimit të tepruar dhe të pamonitoruar të TikTok-ut. Duke iu referuar të dhënave aktuale, Zefi thotë se koha që fëmijët e kalojnë në TikTok është shumë e madhe dhe kjo ndikon në disa aspekte, sikurse përqendrimi.
“Fillimisht, ajo çka është shumë shqetësuese, është që përdorimi i tepruar i TikTok-ut i prek funksionet njohëse, sidomos, duhet theksuar që përqendrimi është një prej aspekteve që dëmtohet më së shumti”, ka thënë Zefi.
Tutje, psikologia ka përmendur edhe pasoja të tjera që mund të vijnë si shkak i përdorimit të TikTok-ut nga fëmijët, sikurse bullizimi kibernetik dhe performancë më e ulët në shkollë.
Që rrjetet sociale po ndikojnë në përqendrimin dhe performancën e nxënësve në Kosovë, e mbështetë edhe një hulumtim i realizuar së fundmi nga Departamenti i Gazetarisë i Universitetit të Prishtinës.
Hulumtimi “Ndikimi i mediave sociale te nxënësit në Kosovë” ndër të tjerash nxori në pah se “nxënësit janë më të shpërqendruar (65.6%), më pak të disiplinuar (57.3%) dhe më pak të lexueshëm (46.6%)”.
Po ashtu, sipas këtij hulumtimi, 40.1% e nxënësve në Kosovë qëndrojnë online më shumë se tri orë gjatë ditës.
Duke marrë parasysh ndikimet negative të TikTok-ut dhe rrjeteve sociale në përgjithësi, psikologia Zefi këshillon që fëmijët të mbahen larg këtyre platforma. Por nëse përdorimi i tyre nuk mund të shmanget, ajo u bën thirrje prindërve që t’i monitorojnë fëmijët dhe përmbajtjet që i ekspozohen.
“I inkurajoj prindërit që të jenë shumë të kujdesshëm, që të shikojnë se cilat janë përmbajtjet të cilave fëmijët i ekspozohen. Është shumë e rëndësishme që përmbajtja që fëmija i ekspozohet në rrjete sociale ose në TikTok respektivisht të jetë e përshtatshme për moshën në të cilën është fëmija”, ka bërë thirrje Zefi.
Psikologia po ashtu sugjeron që të organizohen kampanja vetëdijësuese që të informohen prindërit për rreziqet që vijnë si pasojë e përdorimit të TikTok-ut. Njëherësh, ajo u ka bërë thirrje edhe shkollave që të organizojnë aktivitete edukative lidhur me këtë temë.
“Është shumë e rëndësishme po ashtu që shkollat të ndërmarrin hapa specifikë, edhe psikologët shkollorë këtu mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm, të organizojnë ligjërata të ndryshme dhe të diskutojnë me fëmijët për rolin që ka teknologjia dhe përdorimi i saj”, ka shtuar Zefi.
Ndërkaq, profesoresha e gazetarisë Remzie Shahini-Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e futjes së Edukimit medial si lëndë obligative nëpër shkollat e Kosovës. Shahini-Hoxhaj, e cila është edhe Prodekane për projekte dhe infrastrukturë në Fakultetin e Filologjisë në UP, ka vite që angazhohet dhe avokon për këtë çështje.
Përmes një pilot projekti me UNESCO, INDEP dhe SBASHK, Shahini-Hoxhaj ka treguar se deri më tash janë trajnuar rreth 3500 mësimdhënës në aspektin e edukimit medial. Megjithëse Edukimi medial është bërë lëndë zgjedhur në disa shkolla, Shahini thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte nëse Edukimi medial bëhet lëndë obligative.
“Çështja e Edukimit medial do të duhej të targetohej prej disa niveleve. Njëra dhe shumë e rëndësishme është futja e lëndës së edukimit medial në kuadër të shkollës, sepse ne do ta kemi shumë të vështirë që t’i detyrojmë nxënësit që të mos i përdorin telefonat e tyre, domethënë telefonat e mençur, për shkak se kjo do të jetë pjesë e ABC-së tonë, domethënë do të jetë mjet i punës qysh është edhe sot”, ka thënë Shahini-Hoxhaj për Telegrafin.
E pyetur se a do të ndikojë projekti i mësimit gjithë-ditor në përdorim më të ulët të rrjeteve sociale, Shahini-Hoxhaj ka thënë se kjo do të realizohej nëse shkollat vendosin vendosin filtera që nuk i lejojnë nxënësit të kyçen në rrjete sociale gjatë kohës sa janë në objektet mësimore.
“Në qoftë se shkollat qesin filtra në internet ku fëmijët nuk do të kenë qasje për shembull në rrjete sociale gjatë kohës sa janë në shkollë, atëherë po, kjo do të ishte një prej zgjidhjeve më të mira, sepse fëmijët do të ishin të angazhuar me mësimnxënie dhe nuk do të futeshin në rrjete sociale”, ka thënë Shahini-Hoxhaj.
Përderisa TikTok-u është ende i qasshëm në shkolla, kjo nuk vlen edhe për institucionet shtetërore. Më saktësisht, Kosova e ka ndaluar përdorimin dhe funksionimit e platformës TikTok në institucionet publike përmes një vendimi në qershor të vitit 2024.
Ndërkaq, sa i përket rasteve të vetëlëndimit të nxënësve në shkolla, Policia e Kosovës përmes një komunikate u ka bërë apel fëmijëve që t’i shmangin lojërat e rrezikshme në TikTok.
Lidhur me këtë dukuri ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me ç’rast u ka bërë thirrje mekanizmave mbrojtës që të angazhohen lidhur me këto raste. /Drenusha Morina Çetaj/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Ish-ambasadori i Kosovës në Tajlandë: Vizita e Maqedoncit në Tajvan, lëvizja më e dëmshme në historinë e politikës së jashtme

“NISMA është për qeveri të opozitës”, Zafir Berisha: Koalicioni me Albinin është koalicion me Serbinë

Hulumtuesja e TPNJ, Tromp: Serbia e uritur - s’e ngopi as Gjykata Speciale

Berisha nga "Vatra": Qeveria e re e Kosovës të jetë shumë më e kujdesshme në marrëdhëniet me SHBA-në

Sakrifikimi për më shumë vota, numri i deputetëve të LVV-së, partisë Guxo dhe Alternativës

Përqindja e votave të partive politike – në sa komuna prijnë LVV, PDK e AAK-Nisma?

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Transferim rekord në histori të futbolli: Arabia Saudite shkon te Real Madridi me ofertë të re për Viniciusin

Ylli i Udineses mori përsipër penalltinë pa pëlqimin e ekipit – realizoi, por askush nuk festoi me të

Trump tërhiqet nga ideja për ta marrë Gazën: Plani im funksionon, por nuk do ta imponoj

Uka: Maurizio Salustro na kërkoi 500 mijë euro, ose përfundonim 54 vjet dënim burg

Rozana fsheh “Valixhen e Tundimeve” teksa Gjesti shpërndan biletat e fatit