Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet në aksion pas pauzës më shumë e dhjetë ditore shkaku i ndeshjeve të kombëtareve.

E këtë fundjavë do të zhvillohen duelet e xhiros së nëntë në elitën e futbollit kosovar, ku në program janë për tu luajtur tri sfida ditën e sotme dhe dy të tjera nesër.


Vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar është në Gjilan, ku lideri aktual Drita pret Drenicën.

Djelmoshat e udhëhequr nga Ardian Nuhiu kërkojnë të rikthehen te fitoret pas barazimit pa gola ndaj Prishtinës, derisa kuqezinjtë nga Skenderaj synojnë të shkaktojnë një tjetër befasi.

Drita Drenica 1

Nga kjo xhiro ka ndryshuar edhe orari, pasi tanimë ndeshjet do të zhvillohen me fillim nga ora 13:00.

Duel interesant pritet të zhvillohet edhe në stadiumin 'Zahir Pajaziti' në Podujevë ku Llapi pret Malishevën.

Llapjanët në këtë takim vijnë pas fitores 0-1 te Gjilani, derisa Malisheva është në krizë dhe nuk di për fitore në katër sfidat e fundit.

E dueli i fundit, por jo nga rëndësia i ditës së sotme zhvillohet në stadiumin 18 Qershor në Klinë, ku Dukagjini është nikoqir i Ferizajt.

Vendasit ende nuk kanë arritur fitore këtë sezon dhe janë në kërkim të tri pikëve të para pasi kanë mbetur në pozitën e fundit në tabelë.

Në anën tjetër Ferizaj pas humbjes 0-3 nga Ballkani kërkon të rikthehet te rezultat pozitive. /Telegrafi/

telegrafi sport app