Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim të thellë për siç thonë raportimet lidhur me përfshirjen politike të ambasadores së Republikës së Kosovës në Norvegji, Nita Luci në kampanja të partive politike.

Në reagim thuhet se prezenca e ambasadores së Kosovës në Norvegji në një takim të një partie të vetme politike mund të krijojë perceptimin e anshmërisë politike gjatë ushtrimit të shërbimit diplomatik në të mirë të një subjekti të caktuar.


“Kjo prezencë, sidomos në prag të zgjedhjeve, rrezikon të interpretohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe bie ndesh me parimin e neutralitetit diplomatik. Për më tepër, ky rast ka potencial të dëmtojë imazhin dhe besueshmërinë e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës.

Audienca kryesore e ambasadorëve janë institucionet e shtetit pritës, organizatat joqeveritare, bizneset dhe qytetarët e huaj. Përfshirja e ambasadorëve në ngjarje partiake shkon kundër praktikave diplomatike dhe parimit të mosndërhyrjes, si dhe dëmton frymën e një gare demokratike të lirë dhe të ndershme. Gara mes partive politike nuk është hapësirë ku diplomatët duhet të gravitojnë”, thuhet në reagim.

OJQ-të theksojnë se ky rast nuk duhet lejuar të bëhet praktikë.

“Për të mbrojtur integritetin e përfaqësimit diplomatik, respektimin e ligjit dhe procesin zgjedhor, duhet të ndërmerren masa të qarta institucionale në pajtim me ligjin, duke forcuar llogaridhënien.

Në aspektin ligjor, ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili në Nenin 32 parasheh qartë obligimet e nëpunësve të shërbimit të jashtëm. Sipas këtij neni, nëpunësi i shërbimit të jashtëm është i obliguar ‘të pezullojë aktivitetin e tij në një parti, organizatë ose shoqatë politike gjatë periudhës së shërbimit të jashtëm’. Çdo përfshirje në aktivitete partiake nga një ambasador përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe cenim të rëndë të parimit të paanshmërisë dhe profesionalizmit të shërbimit diplomatik”, thuhet tutje.

“Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të reagojë pa vonesë, të sqarojë rastin publikisht dhe të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë dhe pa përjashtime. Mosveprimi institucional në raste të tilla përbën tolerim të shkeljes së ligjit dhe rrezikon normalizimin e politizimit të diplomacisë”, thuhet në reagim.

Ky reagim është i disa organizatave të shoqërisë civile, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti EPIK, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Youth Initiative for Human Rights Kosova (YIHR KS), Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë (QKSS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). /Telegrafi/