Raporti më i fundit i Pentagonit mbi (objektet e paidentifikuara fluturuese) UFO-t ka publikuar qindra pamje të reja të fenomeneve ajrore të paidentifikuara dhe të pashpjegueshme, megjithatë nuk ka asnjë indikacion që sugjeron një origjinë jashtëtokësore.
Ky dokument përfshin një numër të madh rastesh, përfshirë balona, zogj, dhe satelitë të keqidentifikuar, që janë shpjeguar si objekte të zakonshme.
Megjithëse raporti nuk ofron zgjidhje për debatet mbi ekzistencën e jetës jashtëtokësore, ai pasqyron interesin e shtuar të publikut dhe përpjekjet e qeverisë për të siguruar përgjigje lidhur me këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar studimet për identifikimin e objekteve misterioze, duke u përqendruar kryesisht në kërcënimet për sigurinë kombëtare dhe jo aspekte fantashkencore.
Në vitin 2022, Pentagoni krijoi një zyrë për ndjekjen e këtyre fenomeneve, shkruan nbcnews.
Për periudhën nga 1 maji 2023 deri më 1 qershor 2024, 757 raste u përfshinë në analizën e Pentagonit, të raportuara nga autoritetet amerikane.
Nga këto, për rreth 300 raste u gjetën shpjegime të mundshme. Shumica e objekteve të paidentifikuara ishin balona, zogj, avionë, dronë ose satelitë. Megjithatë, qindra raste të tjera mbeten ende të pashpjegueshme. /Telegrafi/