LAJMI I FUNDIT:

Problemi i bullizmit te të rinjtë, flet psikologia Sumea Ramadani

Problemi i bullizmit te të rinjtë, flet psikologia Sumea Ramadani

Intervistoi: Aroma Aliti

Një nga fenomenet më shqetësuese për vite me radhë njihet si i ashtuquajturi “bullizëm”. Më të prekur nga ky fenomen janë të rinjtë që janë pjesë e ambienteve arsimore ku zakonisht është prezent bullizmi. Në intervistë për Telegrafi Maqedoni psikologia Sumea Ramadani flet për këtë problematikë dhe shumë të tjera që shfaqen sot te të rinjtë.

Ajo gjithashtu përmendi edhe qasjet me të cilat duhet ti drejtohet një psikolog personave që ka përballë. Sipas saj këto kohë, ndoshta me ndikimin e rrjeteve sociale të rinjtë kanë arritur të thyejnë barrierat dhe të kenë një perceptim pozitiv për psikoterapinë dhe vizitën e një psikologu.


Ajo iu drejtua rinisë me shumë mesazhe ndër të cilat ishte, të mbrojnë shëndetin emocional dhe psikologjik duke krijuar lidhje të shëndetshme me njerëzit dhe duke u distancuar nga lidhjet sipërfaqësore dhe toksike.

Kush është Sumea për ata që se njohin?

Unë jam psikologe këshillimi me pasion të flaktë për identitetet, ekzistencializmin, kulturat dhe disa nga personalitetet. Më pëlqen të eksploroj jetën dhe botën nga perspektiva të ndryshme. Kam zgjedhur të punoj në shëndetin mendor që të bëj botën e dikujt vend më të vlefshëm për të jetuar.

Cili është çelësi i të qenurit një psikologe e mirë?

Çelësi i të qenurit psikolog/ profesionist i shëndetit mendor i mirë dhe cilësor është inteligjenca e lartë kognitive dhe emocionale. Psikologu duhet të jetë në gjendje të sheh probleme abstrakte të cilat nuk janë të prekshme dhe as të dukshme mirëpo rezultojnë me probleme të dimensioneve të ndryshme tek pacienti ose personi i cili vjen në këshillim. Psikologu i mirë është empatik. Homo Sapiens është duke u shndërruar në Homo Empaticus. Shërimi i tjetrit bëhet vetëm duke e kuptuar dhimbjen e tij, duke e mos gjykuar, duke e përjetuar bashkë me të mirëpo duke qëndruar objektiv për të bërë orientim dhe ballafaqim. Psikologu i mirë është ai/ajo që ka informata të thella dhe kupton gjenezën e psikopatologjisë pra burimin e shqetësimeve psikologjike. Të mirë dhe cilësor psikologun e bëjnë aftësia për të dëgjuar, observuar tjetrin dhe për të krijuar sintezë, dëshira për ndihmë të të tjerëve dhe dashuria për njerëzimin.

Cilat janë problematikat kryesore që kanë të rinjtë sot?

Më shumë se kurrë më parë, të rinjtë sot janë të përfshirë në një botë shumë dinamike , në disa aspekte më të ndërlikuar se ajo e të rriturve. Kjo mund të sjellë sfida me vetëvlerësimin, ndjenjën e përkatësisë, shumë ankth dhe kriza të ndryshme. Tek të rinjtë ndodhin ndryshime hormonale të cilat vështirësojnë pranimin e vetes dhe imazhit të trupit. Pranimi dhe perceptimi i vetes si i/e bukur mes të rinjve pozicionohet në hierarki të lartë. Gjithashtu, të rinjtë ballafaqohen me kriza ekzistenciale dhe të identitetit. Ata vazhdimisht janë në kërkim të ‘un-it’ të tyre dhe kjo është një procedurë shumë e vështirë e ndonjëherë edhe e dhimbshme. Adoleshenca është urë kalimi prej fëmijërisë në pjekuri, i riu si i pafuqishëm dhe i pa informuar nga sistemi të gjithë këtë periudhë ndjen nevojë të madhe për mbështetjen e prindërve, familjes dhe mësuesve në shkollë. Të rinjtë më shumë se të gjithë grup moshat kanë nevojë për mbështetje që të investojnë energjinë e tyre në rrafshet e ndryshme të jetës.

Cilin trajtim e konsideroni si më të rëndësishmi që duhet ta kenë terapistët?

Trajtimi më i rëndësishëm që një psikoterapeut duhet ta zbatojë është të respekton botën subjektive të personit që vjen në këshillim. Në raste kur historia e personit dhe të vërtetat e tij mbesin në hije psikoterapia mundëson që t’i kthehen reflektorët dhe personi të sheh rëndësinë e vetes dhe jetës. Shërimi realizohet vetëm kur njeriu e sheh të vlefshëm dertin e tij. Psikoterapeuti nuk guxon të paragjykon, gjykon ose të projeksionin mbi personin i cili vjen në këshillim. Qëllimet ose arritjet duhet të jenë plotësisht në iniciativën dhe vullnetin e lirë të personit i cili vjen në këshillim psikologjik. Përgjatë seancës e gjithë vëmendja e psikoterapeutit është e përqendruar tek personi i cili ka ardhur në psikoterapi ky është trajtimi më i mirë i cili merret në psikoterapi. Përkushtim i gjithë kohës dhe vëmendjes.

A janë të shumtë të rinjtë që i shprehin problemet e tyre te psikologu?

Të rinjtë janë shumë të guximshëm, rrjedhimisht, ata kanë guxim që të kërkojnë ndihmë në psikoterapeut. Në kulturën tonë Ballkanike, shërbimet e psikoterapisë janë të m veshura me paragjykime mirëpo nga avantazhet e globalizmit këto paragjykime janë duke u shkrirë me intensivitet të shpejtë në mes të rinjve. Adoleshentët janë grup mosha e cila më së shumti ka guxim të vizion psikoterapeutin dhe të përfiton nga shërbimet e shëndetit mendor.

Një ndër problemet më të shumta që haset sot në shoqëri është bullizmi, veçanërisht nëpër shkolla, çfarë mund të thoni për këtë?

Bullizmi është termi i cili përdoret për abuzimin psikologjik në shkolla dhe ky fenomen për vite me radhë është shkaktar i anktheve, depresioneve dhe çrregullimeve psikologjike. Gjendja është shumë më alarmante se sa një tallje dhe shaka. Ndikimi i rrjeteve sociale në bullizëm është i madh. Është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm në atë që postojmë dhe si e komentojmë publikimet e të tjerëve ngaqë fëmijët marrin shembull në shtëpitë e tyre pastaj e reflektojnë këtë në bankat shkollore. Bullizmi është një problem serioz që mund të ndikojë negativisht në shëndetin emocional dhe psikologjik të viktimave. Me rëndësi të veçantë është të parandalojmë bullizmin duke promovuar respektin dhe tolerancën ndaj të tjerëve. Duhet shpjeguar fëmijëve dhe nxënësve dallimet ndër njerëzore. Në botë ekzistojnë gjatësi të ndryshme, pesha, fytyra dhe gjendje të ndryshme socio-ekonomike. Diversiteti është atributi më i bukur në botë dhe fëmijët janë më se të gatshëm të shohin këtë bukuri, kjo në dozë të madhe do parandalon bullizmin.

Ka shumë të rinj që i druhen këshillimit me psikologun ngaqë mund të fyhen nga shokët dhe të tjerët, veçanërisht në vendin tonë. Cila është zgjidhja për këto raste?

Nga përvoja në teren, nuk mendoj që të rinjtë në përgjithësi tallen me bashkë moshatarët e tyre të cilët vizitojnë psikoterapeut ose psikolog. Serialet e ndryshme dhe influencerët e rrjeteve sociale kanë kontribuar që të ketë perceptim pozitiv të psikoterapisë. Në mes të rinjve shkuarja në psikoterapeut veçse është ‘cool’. Mirëpo psikoterapia është proces i bazuar në parimin e fshehtësisë kjo do të thotë që askush nuk do të kupton nëse një person shkon në psikoterapeut ose përmbajtjen e seancave. Fshehtësia është themeli i etikës së psikoterapisë.

Një mesazh apo sugjerim nga ju si psikologe për rininë?

Si psikologe këshillimi iki shumë nga këshillat e drejtë për drejta pasi që njeriu më mirë mëson duke eksploruar dhe duke përjetuar njëjtë sikurse vetëbesimi i tyre ndërtohet vetëm me përjetime. Ndoshta kjo është këshilla më e madhe që mund t’ua japim rinisë. Të mos frikohen të eksplorojnë jetën e cila ndonjëherë sado që e rëndë të jetë përsëri është e bukur. Të qënurit i ri është gjendja më e bukur jetësore. Mbrojtja e shëndetit emocional dhe psikologjik duke krijuar lidhje të shëndetshme me njerëzit dhe duke u distancuar nga lidhjet sipërfaqësore dhe toksike. Në këtë pikë marrja pjesë në aktivitete dhe hobi që ngjallin kënaqësi dhe krijojnë lidhje pozitive me veten dhe të tjerët. Gjithashtu është me rëndësi jetësore të jemi në gjendje të kërkojmë ndihmë dhe mbështetje në raste krizash ose problematikash të ndryshme, duke u konsultuar me profesionistë të shëndetit mendor. Nëse nuk ju pëlqen psikoterapeuti nuk duhet të sforcohet lidhja, në çdo minutë mund të kërkoni profesionist tjetër. Diçka tjetër me shumë rëndësi nëse ndihemi të ndjeshëm ndaj ndikimit të rrjeteve sociale, është mirë të përpiqemi të menaxhojmë më mirë me rrjetet sociale dhe me paraqitjen në botën virtuale. Jo çdokush pasqyron imazhin e vërtetë aty. Mos të harrojmë të marrim kohë për të qenë të lumtur dhe të kënaqur me jetën tonë duke venduar veten në prioritet dhe vazhdimisht duke qenë të hapur për përvoja dhe fillime të reja.

Në trend Lajme

Më shumë
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Lajme
Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Siguri
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori