Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea tha se ky shërbim është bërë i mundur në bazë të bashkëpunimit me Postën e Italisë.

"Posta Shqiptare në bashkëpunim me Postën e Italisë, ka hedhur në treg 3 muaj më parë, Çertifikatën Elektronike për Individin dhe Çertifikatën Elektronike për institucionet", tha zoti Gorea.


Sipas drejtorit Gorea, çertifikatat elektronike bëjnë të mundur që komunikimi elektronik të jetë thellësisht i siguruar dhe i pa transkriptueshëm nga të tjerët.

Zoti Gorea theksoi se Posta Shqiptare është vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare, si posta më e mirë në Evropë, për cilësinë e shërbimit postar. Ndërkohë, sfidë sipas tij, mbetet integrimi i saj në strukturat evropiane.

Posta Shqiptare, e dyta në rajon pas Postës së Italisë e mundëson pajisjen me Çertifikatën e Sigurisë Elektronike për të gjithë të interesuarit, qofshin këta qytetarë, punonjës të institucioneve shtetërore apo bizneseve.

Një çertifikatë individuale kushton 15 euro në vit, kurse për kompanitë dhe për Web Serverat 760 euro në vit, me të drejtë rinovimi çdo vit. Posta Shqiptare Sh.a. është ofruesi i parë dhe i vetëm i shërbimeve të çertifikimit elektronik në Shqipëri, raportoi BW./Telegrafi/