Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një komunikate dërguar mediave dënon ashpër sjelljen dhe qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj gazetares së televizionit, Klan Kosova, Arbëresha Uka, gjatë një deklarimi publik.

AGK njofton se gazetarja Uka e ka pyetur Kurtin për mungesën e barnave në QKUK, teksa ai i është përgjigjur me ton arrogant, duke i thënë “lej ti albuminat. Thuj pronarit tuaj, televizionit tuaj le t’ia kthejnë 62 milionë Telekomit”.


"Kjo është një qasje e papranueshme e Kurtit ndaj medieve dhe gazetarëve, dhe përpjekje e hapur për të minuar punën e tyre, dhe për të fshehur mungesën e transparencës së qeverisë që ai ka udhëhequr në këto vitet e fundit", thuhet në reagimin e AGK-së.

Më tutje, në reagim thuhet se sulme si këto të Kurtit, qeverisë dhe partisë së tij, kanë kontribuar në masë të madhe që Kosova të bie drastikisht në indeksin e lirisë së medieve./Telegrafi/