Site icon Telegrafi

Përfaqësues nga institucionet e Kosovës e Gjermanisë diskutojnë për tranzicionin e Energjisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë

Me qëllim të theksimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, Balkan Green Foundation dhe organizata partnere Germanwatch organizuan punëtorinë e radhës, duke mbledhur kështu akterë të ndryshëm për të diskutuar në lidhje me Tranzicionin e Energjisë në Kosovë, me fokus të veçantë në Sigurinë e Furnizimit.

Punëtoria e sotme mblodhi përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit, Agjencia së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, Agjencia për Efiçiencën e Energjisë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Kuvendi i Kosovës, KOSTT, Shoqata për Energji të Ripërtëritshme, Ambasada Gjermane në Prishtinë, Agora Energiewende, Zyra e KfW dhe shoqëria civile.

Ata diskutuan mbi rëndësinë e koordinimit në mes institucioneve sa i takon fushës së energjisë dhe kontribuan në formësimin e kornizës praktike të rekomandimeve për përshpejtimin e tranzicionit të energjisë në Kosovë. Sfidat e ndryshimeve klimatike dhe furnizimit të qëndrueshëm me energji mund të përballohen me sukses vetëm me bashkëpunim të akterëve nga të gjithë sektorët.

Drejtori Ekzekutiv i Balkan Green Foundation, Visar Azemi, theksoi se definimi i sfidave dhe bashkëveprimi i palëve relevante për një Tranzicion të Energjisë dhe Sigurinë e Furnizimit në Kosovë, si dhe përcaktimi i aspekteve thelbësore për bashkëpunim për një Tranzicion të Energjisë në Kosovë është i rëndësishëm.

“Balkan Green Foundation dhe organizata partnere Germanwatch arritën të prezantojnë praktikat më të mira të aplikuara në Gjermani në fushën e energjisë. Projekti në zbatim sherben si urë lidhëse për akterë të ndryshëm në definimin e rrugës për një tranzicion të drejtë të energjisë në Kosovë. Andaj, procesi i tranzicionit të energjisë duhet të shihet nga një perspektivë më e gjerë dhe bashkëpunimi rajonal dhe roli i tij në tranzicionin e energjisë duhet të fuqizohet dhe shndërrohet në praktikë të vazhdueshme.” tha Azemi.

Ndër të tjerë, pjesë e punëtorisë ishin edhe Jan-Axel Voss, zëvendës Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë dhe René Eschemann, Drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë të cilët shënuan rëndësinë e bashkëpunimit Gjermani-Kosovë dhe reflektuan mbi progresin që është bërë deri më tash në fushën e energjisë në Kosovë.

Ata po ashtu theksuan rëndësinë dhe potencialin për adoptimin e energjisë së ripërtëritshme dhe energjisë efiçiente në tregun energjetik në Kosovë.

Christian Redl nga Agora Energiewende, instituti kërkimor lider në Evropë për tranzicionin energjetik, prezantoi mbi Sigurinë e Furnizimit në një Tranzicion të Energjisë, duke nënvizuar sfidat dhe opsionet. Ai theksoi se

“Bashkëpunimi rajonal është një ndër elementet kryesore për rritjen e sigurisë së furnizimit me kosto më të ulët, siguron përshtatshmërinë e sistemit elektrik dhe lejon zhvillimin e infrastrukturës më efikase”.

Vlen të përmendet se rekomandimet e hartuara nga grupi punues janë konsideruar nga Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës (NECP) dhe do t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës që të jenë bazë për dokumentet strategjike dhe të politikave. Kjo ka treguar se një partneritet midis akterëve relevantë sjell rezultate të frytshme.

Në pjesën e diskutimit në mes të palëve pjesëmarrëse u pajtua se agjenda e veprimit të konsensusit që del nga këto procese do të marrë mbështetje nga një gamë e gjerë akterësh.

Kjo do të çojë në një politikë kuptimplote dhe ndryshime programore për të adresuar çështje të rëndësishme në lidhje me sektorin tonë të energjisë dhe do të kontribuojë në hapjen e rrugës për tranzicion të qëndrueshëm të energjisë.

Projekti “Partneriteti me shumë aktorë (MAP)” është financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Qëllimi i projektit është të nxisë një partneritet lokal në mes akterëve relevant për një tranzicion të qëndrueshëm të energjisë. /Telegrafi/

Exit mobile version