Për vite me radhë, u bulizova në shkollë - vetëm ndërhyrja e mësueses më shpëtoi

Nga: Adam Dance, deputet i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar / Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Në shkollë nuk më quanin “dislektik” - më quanin “dembel”. Mësuesit thoshin se nuk përqendrohesha. Më thoshin se isha shpërqendrim për të tjerët, më nxirrnin jashtë nga klasa ose më linin të luftoja vetëm.
E kujtoj ende veten ulur në bankë, me shkronjat që notojnë mbi faqe, me barkun që më shtrëngohej nga frika ndërsa prisja të më thoshin të lexoja me zë. Zemra më rrihte fort, duart më dridheshin dhe lutesha që mësuesja të shkonte te dikush tjetër.
E jepja më të mirën, por askush nuk e shihte këtë. Nuk mund të lexoja apo të shkruaja si të tjerët dhe kjo më bënte shënjestër. Isha nga fatlumët - mora diagnozën për disleksi që në shkollën fillore - por, në disa mënyra kjo e përkeqësoi situatën. Pak mësues e kuptonin se çfarë do të thotë disleksia dhe akoma më pak nxënësit. Për ta ishte thjesht një tjetër fjalë për “budalla”.
Talljet dhe ngacmimet vazhduan për vite me radhë. Nuk ishte një moment i vetëm që më lëndoi më shumë, por pikërisht ajo rrjedhje e vazhdueshme turpi, të qeshurash dhe përjashtimi që më shkatërronte. Kur shokët e klasës qeshnin sa herë bllokohesha gjatë leximit, filloja të mendoja se nuk isha i zgjuar, se nuk përkisja dhe se nuk do të arrija kurrë asgjë.
Nuk ishin vetëm nxënësit e tjerë. Mungesa e mirëkuptimit nga disa mësues i bënte gjërat edhe më të vështira. Mbaj mend një mësues që, para klasës, më tha me tallje: “Dil jashtë, është koha për tabletat e tua” - një thumbim i egër për mbështetjen që merrja për ADHD-në [Çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes]. Të gjithë qeshën dhe unë doja të më përpinte toka. Ajo ndjesi - nxehtësia në fytyrë, zhurma e të qeshurave rreth meje - më ndoqi gjithmonë.
Kur arrita në adoleshencë, pushova së besuari te vetja. Mendoja se isha budalla, se nuk ka kuptim të përpiqem. Sot, kur kujtoj, kuptoj sa pranë kam qenë që të heq dorë nga gjithë arsimimi.
Po të mos kisha marrë ndihmën që mora më vonë, nuk besoj se do isha këtu ku jam sot. Ndoshta do kisha përfunduar në burg ose mund të kisha humbur jetën - si shumë të tjerë që nuk marrin ndihmën që u nevojitet. Studimet sugjerojnë se rreth gjysma e personave në burg mund të kenë disleksi, krahasuar me një në dhjetë në popullsinë e përgjithshme. Kjo flet shumë për mënyrën se si sistemi po dështon ndaj këtyre fëmijëve.
Arsyeja e vetme që ndryshova rrjedhën e jetës time ishte se një njeri besoi tek unë - një nga mësueset e shkollës së mesme.
Ajo nuk e ka parë një fëmijë problematik - ka parë një fëmijë që kishte nevojë për durim dhe mirëkuptim. I ngadalësoi gjërat, i shpjegoi gjërat ndryshe dhe më bëri të ndihesha se po vërehem. Mirësia e saj ishte shpëtimi im - dhe, për habi, ajo sot punon me mua në Parlament si asistente.
Në këtë Javë Kundër Bulizimit, mendoj se sa shumë fëmijë ende kalojnë atë që kalova unë. Një raport i ri nga Shoqata Britanike për Disleksinë paraqet një tablo të zymtë. Shtatë nga dhjetë të rinj thonë se disleksia i ka bërë të ndihen keq për veten, dhe gjashtë nga dhjetë e fshehin atë për shkak të frikës nga gjykimi. Po aq kanë përjetuar tallje apo ngacmime për shkak të saj. Gati një në pesë nxënës ende nuk ka qasje në teknologjinë ndihmëse në shkollë, megjithëse mjetet e thjeshta, si procesorët e fjalës, softuerët për lexim zanor, audiolibrat ose filtrat me ngjyra (fizikë ose digjitalë) mund të sjellin ndryshim të madh për fëmijët me disleksi.
Për shumë nxënës neurodivergjentë, teknologjitë - si aplikacionet për gjuhë dhe komunikim në tableta apo telefona - mund të transformojnë mënyrën se si mësojnë dhe marrin pjesë në jetën shkollore.
Këto nuk janë thjesht statistika - janë fëmijë në klasa që ndihen po aq të turpëruar, të zhgënjyer dhe të vetmuar sa ndihesha unë dikur.
Prandaj, kam paraqitur projektligjin Dhjetë-Minuta në Parlament që kërkon kontroll të përgjithshëm për karakteristika neurodivergjente në shkollat fillore, si dhe trajnime të detyrueshme për mësuesit mbi disleksinë dhe çrregullimet neurodivergjente. Nuk bëhet fjalë për t’u vënë fëmijëve etiketa - por, për t’u dhënë mësuesve aftësitë dhe vetëbesimin për të mbështetur çdo fëmijë që në fillim.
Identifikimi i hershëm mund të ndalojë ngacmimet para se të nisin. Kur mësuesit kuptojnë pse një fëmijë mund të ketë vështirësi, ata mund të përshtatin mësimin dhe të parandalojnë frustrimin dhe turpin që shpesh çojnë në bulizim. Kur nxënësit mësojnë të vlerësojnë dallimet e njëri-tjetrit, turpi zëvendësohet me empati.
Bëhet fjalë edhe për drejtësi. I njëjti raport tregoi se nëntë nga dhjetë fëmijë nga familje me të ardhura mbi 100 mijë paundë [afro 114 mijë euro] kanë diagnozë formale, krahasuar me vetëm katër nga dhjetë në familjet me të ardhura nën 30 mijë paundë [34 mijë euro]. E ardhmja e fëmijëve nuk duhet të varet nga të ardhurat apo zona ku jetojnë prindërit.
Në këtë Javë Kundër Bulizimit, dua t’ia kujtoj çdo fëmije që mëson ndryshe se nuk është vetëm - dhe nuk është i thyer. Me mirëkuptimin dhe mbështetjen e duhur, çdo fëmijë mund të zhvillohet.
Le ta bëjmë këtë brezin që më në fund i jep fund turpit dhe keqkuptimit rreth disleksisë - dhe ngacmimeve që shpesh shoqërojnë këtë. /Telegrafi/

















































