LAJMI I FUNDIT:

Pandemia po na “sëmur” edhe gjuhën

Pandemia po na “sëmur” edhe gjuhën
Ilustrim

Nga: Ndue Dedaj

Po dëgjohet përherë e më shumë fjala fatalitet për të vdekurit nga Covidi-19. Raportohet se gjatë 24 orëve të fundit, në Shqipëri ka pasur kaq apo aq fatalitete (!?) më shumë apo më pak se një ditë më parë. “Kosovë, vihet re një ulje e numrit të fataliteteve”. “Rritet numri i fataliteteve në Maqedoninë e Veriut”. “Në Itali ka pasur një rritje të lehtë të fataliteteve…” e plot fraza të tilla që e shmangin fjalën vdekje, ku me fatalitete nënkuptohen viktimat.

Prirja për të krijuar eufemizma është në natyrën e gjuhës dhe përdoruesve të saj, për të mos i quajtur me emrin që kanë gjërat e trishta, aq më tepër vdekjen. Por, a është fjala fatalitet/fatalitete eufemizmi i duhur në këtë rast? Vështirë të thuash se po. Fatalitet, sipas fjalorëve të shqipes, do të thotë fatkeqësi e madhe, fatalizëm etj. Fatkeqësi nuk është vetëm vdekja, po dhe tërmetet, përmbytjet, zjarret, luftërat, epidemitë, aksidentet etj. Për një njeri thuhet fatkeq, fatzi dhe kur nuk ka lidhje me vdekjen e tij. Aq më tepër që fjala fat përdoret dhe për një gjë të mirë që i ndodh njeriut. “Ishte njeri me fat” etj.


Habitesh se si fjalë të tilla të ligjërimit libror përhapën aq shpejt nga mediat këtu dhe në Kosovë, duke fituar qytetari, ndonëse në përdorime të diskutueshme. Zakonisht është ligjërimi libror që përfton trajta gjuhësore nga ai publik dhe jo e kundërta. Dita-ditës flitet jo për fatalitetin e aksidenteve rrugore, si një rrezik i vazhdueshëm që nuk po mundim ta shmangim, por për fatalitete njerëzore (viktima) shkaktuar prej tyre. “Verë e përgjakshme nga aksidentet me fatalitet”. “Pamje nga aksidentet me fatalitet”. “Rritet numri i aksidenteve me fatalitet në qarkullimin rrugor”. “Aksidentet me fatalitet gjatë dekadës së fundit” etj. Siç shihet, këtu fjala fatalitet ka zëvendësuar fjalën vdekje. Pak rëndësi ka nëse “covidi” e huazoi këtë fjalë nga “rrugori” apo e kundërta. Ashtu siç nuk ka ndonjë rëndësi nëse kjo fjalë hyri nga ligjërimi mediatik i Prishtinës apo ai i Tiranës, përderisa anomalia i përket së njëjtës gjuhë, shqipes.

Por, nuk është vetëm kjo fjalë “pandemike”. Virusi ka prekur dhe të tjera fjalë të shqipes. Kohë më parë, kur u hap spitali Covid-4 në Tiranë, një gazetar i terrenit raportonte se ky spital do të ishte për të sëmurët me koronavirus që prisnin të negativizoheshin. Bëhej fjalë për ata të sëmurë që ishin trajtuar më parë në spitalet e tjera anti-Covid dhe do të qëndronin aty dhe ca ditë deri sa të shëroheshin plotësisht, d.m.th. të negativizoheshin. Mund të jetë një term i përkthyer nga mediat e huaja apo i sajuar nga ekspertet e menaxhimit të Covid-19 pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Aq më keq nëse është fjalë me origjinë “ministrore”. Askush nuk mund të fusë terma të rinj zyrtarë në përdorim publik pa u këshilluar me gjuhëtarët dhe institucionet akademike. Si mund të thuhet të negativizohen (të bëhen negativë, gjithnjë në kuptimin klinik), kur vetë fjala negativ nuk është shqipe. Sipas logjikës së këtij fjalëkrijimi, ne lirisht mund të themi dhe të anasjellën, jo të sëmurë pozitivë, por… të pozitivizuar?! Por, a mund të kemi një fjalë të tillë? A e lejojnë ligjësitë e shqipes dhe pse do të na duhej ajo?

Dihet që në kontekstin mjekësor, fjalët pozitiv dhe negativ kanë kuptim të kundërt nga kuptimi i parë (pozitiv – i mirë, negativ – i keq), duke përcaktuar gjendjen klinike të pacientit. Në këtë qasje, ato janë dy fjala të ngurta, që nuk kanë të prejardhura prej tyre, si në kuptimin e parë: pozitivisht, negativisht, pozitivitet, negativitet apo pozitivizëm etj. Përndryshe, pa lejen e “gjuhës”, kemi krijuar një fjalë të vrazhdë – negativizim/negativizuar, që nuk na thotë asgjë tjetër nga i shëruar apo klinikisht i shëndoshë. (“Rastet e lehta, të moderuara të Covid, tashmë mund të negativizohen për dhjetë ditë”. “Gjatë kësaj periudhe, dy mijë e treqind persona kanë mundur të negativizohen nga Covid-19”. “Po presim që të negativizohen laboratikisht…”) Pasi të ikë pandemia, vështirë që kjo fjalë të ketë përdorim përtej-spitalor. Pa harruar se si do të keqtingëllonte e ndërsjella: pozitivizohen?!

Për të ndryshuar orarin policor të lëvizjes së njerëzve apo të qëndrimit hapur të bareve dhe restoranteve, vendos qeveria dhe ai zbatohet menjëherë nga qytetarët, Policia dhe institucionet, kurse për të futur në ligjërimin publik dy apo disa fjalë të diktuara nga pandemia nuk vendos askush. Fjalët që i “prodhojnë” ngjarjet e pazakonta, natyrisht që nuk kanë si futën në përdorim me vendim qeverie, po kurrsesi pa këshillimin e duhur gjuhësor. Shteti është përgjegjës për gjuhën si pasuri kombëtare, aq më tepër kur vërehen deformime e sakatime të saj.

Nuk është vetëm “pandemia” gjuhësore problemi i gjuhës, shqetësimi është se ajo merret me lehtësi nga administrata, rrjetet sociale e jo pak dhe nga mediat. Se nga ka hyrë fjala i mllefosur (njeri me mllef) hajde e merre vesh, ama, e kemi dëgjuar ta përdorin jo vetëm njerëz të thjeshtë, pa ndonjë kulturë gjuhësore, po dhe politikanë të lartë për të fshikulluar kundërshtarët e tyre politikë, duke i etiketuar si të mllefosur. Gjenden edhe plot fjalë të tjera të stisura, si supervajzë, superkëngëtare, supershoku etj. Në njërin nga tekstet shkollore të arsimit 9- vjeçar haset titulli i një proze: “Koni, Filipi dhe supervajza”, nga një përkthim gjerman. Se si ndër dy a tri vajza adoleshente, njëra mund të jetë supervajzë e të tjerat jo, këtë zor ta rrokësh me mend. Ashtu siç, për një artiste të njohur, prezantuesi i një show televiziv nga më të shikuarit, thotë se ajo është një superkëngëtare. Po pse ajo është “super” dhe simotrat e saj, po aq të dëgjuara, nuk janë të tilla, aq më tepër që ndonjëra sosh kishte përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision”? Super përdoret rëndom në botën e shoubizit për fotomodelet etj., ku të rinjve u serviren veçse yje dhe superyje etj. Nuk mund të mos qeshësh dhe njëherësh të hidhtohesh me këtë soj “madhështie” të rreme me supernjerëz gjithandej.

Por, a është ky një fjalëkrijim i rregullt? Fjalori i Gjuhës Shqipe, Tiranë 2006, e jep kështu kuptimin e super – formë i ligjërimit libror; parashtesë e fjalëve të prejardhura, të cilat shënojnë diçka që ndodhet mbi diçka tjetër, që është e cilësisë më të lartë, më e fundit, më e fuqishme etj., ose diçka që i kalon caqet e zakonshme, e nevojshme e të lejueshme, si: superçmim, superfuqi, superprodhim, superstrukturë, supermodern etj. Sipas këtij shpjegimi akademik, kjo parashtesë nuk përdoret për njerëzit, as për kafshët, pasi, për analogji me supervajzë, nuk mund të thuhet, ta zëmë: superlopa, supermacja e aq më pak supermiu etj. Dëgjon dhjetëra herë në ditë fjalën superofertë, në reklama të ndryshme, po a është gjuhësisht korrekte të thuash edhe superfemër?!…

Si për të mos qenë “super” vetëm gjinia femërore, kemi dhe “supershoku”, që e hasim në fletët e para të një teksti shkollor, ku një vogëlush 11-vjeçar, letrën drejtuar një bashkëmoshatari, për t’i treguar aventurën e tij verore, e nis me fjalët: “I dashur supershoku im, Andi” dhe e mbyll: “Supershoku yt, Miri”.

Siç shihet edhe nga këta pak shembuj, nuk është vetëm pandemia e koronavirusit që e ka “sëmurur” gjuhën tonë, por pandemia më e madhe e saj është lehtësia dhe papërgjegjshmëria e mjaft prej lëvruesve dhe keqpërdoruesve të saj në administratën shtetërore, rrjetet sociale, media, tekste shkollore etj.