Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se është nderi më i madh në jetën e saj, që sot mori besimin e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, për këtë garë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se " Është nderi im, që prej sot, ta shkruajmë bashkë, një epokë të re të historisë së Kosovës".


Postimi i plotë:Sot, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, më dha besimin unanim, që të jem kandidate për Kryeministre të vendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Është nderi më i madh i jetës sime, që sot, mora këtë mirëbesim, që të gjithë së bashku t’ia kthejmë LDK-së dhe Kosovës, primatin në qeverisje, ndërkaq qytetarëve të Kosovës shpresën dhe besimin në shtetin e tyre. Tërë jetën time jam përgatitur, jam shkolluar e kam punuar që në një ditë si kjo, me nderin dhe përgjegjësinë më të madhe, t'i shërbejë vendit tim. Si nënë dhe si grua, kam ndjesinë e domosdoshme, që vendimet për vendin tonë t'i peshoj drejtë, në interes të qytetarit dhe të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës, qe 30 vjet, e shkruan historinë e Kosovës. Është nderi im, që prej sot, ta shkruajmë bashkë, një epokë të re të historisë së Kosovës. FITORE . /Telegrafi/