Tifozët e Newcastle United mund të kenë një verë emocionuese me klubin që thuhet se synon lëvizje për Harry Kane dhe Neymar.
Të hënën, Magpies siguruan një përfundim në top katërshe me një barazim 1-1 kundër Leicester, që do të thotë se ata do të luajnë në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga viti 2003.
Eddie Hoëe ka bërë një punë fantastike në këtë sezon, me skuadrën e tij që luan futbollin më të mirë në St James’ Park në dekada.
Ajo që ka qenë më mbresëlënëse është se Newcastle ka përfunduar në top katërshe pa shpenzuar shuma të majme për lojtarët që posedon.
Që nga marrja e klubit në vitin 2021, pronarët e Arabisë Saudite kanë rinovuar skuadrën me disa lojtarë me përvojë.
Sipas gazetës spanjolle AS, Newcastle po planifikon një afat kalimtar veror që do të rivalizojë shpenzimet e epokës ‘Galacticos’ të Real Madridit.
Në fillim të viteve 2000, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez shpenzoi shuma të majme për lojtarë si, David Beckham, Ronaldo Nazario, Zinedine Zidane dhe Luis Figo.
Objektivi kryesor i Newcastles është përfolur të jetë Harry Kane, e ardhmja e të cilit në Tottenham Hotspur është e pasigurt.
Një tjetër emër në listën e ngushtë të yjeve është superylli i Paris Saint-Germain, Neymar.
Sulmuesi 31-vjeçar iu bashkua PSG-së nga Barcelona në vitin 2017 dhe ka fituar katër tituj ligë dhe ka luajtur në një finale të Ligës së Kampionëve.
Disa emra pak më pak tërheqës – edhe pse ende të shtrenjtë – në radarin e Newcastle janë James Maddison i Leicester City, mesfushori i Bayern Munichut, Ryan Gravenberch, i huazuari i Chelseat Joao Felix dhe objektivi i Arsenalit – Moussa Diaby.
Në kompletimin e listës së ngushtë me 11 lojtarë janë Eberechi Eze, Mohammed Kudus, Dominik Szoboszlai, Samuel Chukwueze dhe Sergej Milinkovic-Savic. /Telegrafi/