LAJMI I FUNDIT:

Nëntëmbëdhjetë shprehjet që shqiptarët nuk i përmendin më

Nëntëmbëdhjetë shprehjet që shqiptarët nuk i përmendin më

Kuptimi që kishin dikur dhe përse nuk janë më pjesë e fjalorit “Nëse një të riu sot, do ta uronim me fjalët “t’u bëftë gjak e dhjamë”, do kuptojë se po i urojmë më të keqen e mundshme.

Kjo frazë e dalë nga zhargoni i vjetër, sot e përkthejmë fjalë për fjalë: t’u bëftë kolesterol. Nëse një të riu do t’i thoshim se, x person të merr gjak në vetull, natyrisht ose do ta marrë atë për kanibal ose ne pëlqejmë kanibalët. Dikur, kjo fjalë kishte kuptimin e zotësisë, trimërisë dhe që arrinte gjithçka. Por sot, kjo fjalë është zhdukur nga fjalori dhe ke shumë pak shanse ta dëgjosh.

Pas rrëzimit të komunizmit, janë me dhjetëra e qindra fraza që nuk përdoren më. Ato kanë mbetur fosile të atij regjimi që shoqëria jonë u mësua t’i përdorë në komunikim. Por në rrethanat e sotme, nuk kanë vlerë. Ja shprehjet më tipike, të cilat nga viti 1990 e deri më sot, ose janë rralluar në përdorim ,ose nuk përdoren fare.


T’u bëftë gjak e dhjamë!

Kishte kuptimin që, ushqimin që po haje, të shërbente për t’u shëndoshur. Dhe kjo frazë përdorej kur uroje dikë që hante. Nëse sot, kjo frazë do përdorej, do kishte kuptimin se do të bëhej kolesterol. Një problem që sot është kaq shqetësues për masën e shoqërisë. Ndryshe ishte dikur. Popullsia që në përgjithësi ishte e dobët, kishte nevojë ndoshta edhe për kolesterol.

Të merr gjak në vetull!

Përdorej për dikë që ishte i zoti dhe bënte gjithçka. Sot, nëse dikujt do t’i drejtoheshim me këto fjalë, do na merrte për kanibal. Në fakt, nëse e mendon si veprim fjalë për fjalë, është shprehje e tmerrshme, por në atë kohë, përdorej shpesh, por madje edhe në letërsi dhe këngë.

Si veshka në mes të dhjamit

Përdorej për njerëzit që jetonin shumë mirë. Dikush që jetonte mes të mirave dhe për ta treguar këtë, artikulohej veshka, që në këtë rast është e rrethuar me dhjamë. Në ditët e sotme, vetë fjala dhjam, ka kuptim negativ.

Përsërisim këngët në tre interpretime të reja

Deri në fillim të viteve 80-të, festivali i RTSH-së kishte një strukturë tjetër nga e sotmja. Një këngë këndohej dy herë, nga këngëtarë të ndryshëm. Kështu, pas interpretimit të tre këngëve të para, spikeri dhe drejtuesi i festivalit, thoshte: Përsërisim këngët, në tre interpretime të reja. Një nga interpretimet ishte kënga, “Shoqet ilegale”, kënduar nga Vaçe Zela dhe Myfarete Laze. Ishte edhe një lloj konkursi, sepse dilnin në pah diferencat. Por më pas, kjo traditë u ndryshua dhe kënga këndohej vetëm nga një këngëtar.

Banja e të dielës

Deri në vitin 1990, çdo shqiptar lahej vetëm një herë në javë. Kjo ishte e diela. Sot është turp ta dëgjosh, por në atë kohë ishte rregull i pashkruar. Ironia është se, kontrolli i pastërtisë bëhej nëpër shkolla çdo ditë të hënë dhe, në përgjithësi, shkolla dilte e larë. Por sikur, ai kontroll të bëhej të shtunën, shkolla dilte blozë. Ishte kthyer në një normalitet, që sot na lë pa fjalë … Ishte banja e së dielës.

Më jep pak farë kosi

Sot nuk e beson kush që dikur ishte më se normale që të shkoje te fqinja dhe të kërkoje një filxhan me kos, për ta përdorur si farë për të zënë qumështin për kos. Fëmijët dhe të rinjtë e sotëm, do na quanin anormal me këtë frazë që nuk e kuptojnë fare. Por, në atë kohë, ishte më se e zakonshme. Një zakon dhe e folur që nuk ka më vend, edhe për shkak të raporteve të reja sociale, por edhe për shkak të produktit të kosit që është i gatshëm …

Më dërgoi mamaja për mullirin e kafesë

Deri në vitin 1990, ishte më se e nevojshme të kishe në shtëpi kafe dhe ta piqje, por nuk ishte e domosdoshme që të kishe mullirin që e bluante atë. Mund të shkoje te fqinja dhe ta kërkoje dhe kjo ishte e zakonshme. Prindërit urdhëronin fëmijët dhe ata i binin ziles: Më dërgoi mamaja për mullirin e kafesë dhe ishte e sigurt që do ta jepnin. A ju kujtohet filmi, “Udhëtim në pranverë”, në të cilin djaloshi protagonist ngacmonte fqinjën, duke kërkuar mullirin e kafesë? Ishte më se normale kjo kërkesë.

Nuk kam çupë për të martuar

Ishte një shprehje që përdorej nga babai i një vajze, të cilit dikush i kishte propozuar për t’u martuar me të. Për t’u treguar kategorik, babai i vajzës në vend të fjalës jo, thoshte nuk kam vajzë për të martuar. Kjo lidhej edhe me moshën e vogël të vajzës, por mënyra kategorike ishte, kur ai thoshte nuk kam vajzë për të martuar.

E kam ndërgjegjen e pastër

Një nga cilësitë e njerëzve gjatë komunizmit, ishte ndërgjegjja që në fakt u shkatërrua. Por, teorikisht, komunizmi e quante që komunisti e kishte ndërgjegjen të pastër. Pra, ishte i çiltër dhe i sinqertë. Një shprehje që degjeneroi deri në kuptimin e kundërt. Aq sa, nëse dikush mund ta thotë këtë, mund ta marrë me kuptimin e kundërt

Kjo sjellje nuk i ka hije

Kur dikush sillej me edukatë, shprehja më tipike ishte që sillej mirë. Por e kundërta? Përdorej fjala, kjo sjellje nuk i ka hije. Shprehte befasi dhe një lloj ironie. Edhe për faktin se, për personin që e përdorte, kishte një opinion të mirë dhe do ishte zhgënjim një sjellje ndryshe nga ajo që mendohej.

Këtë djalë e poqi ushtria

Gjatë komunizmit, ushtria zgjaste tre vjet dhe më pas dy vjet, ndërkohë që në marinë, ishte gjithmonë tre vjet. Për të rinjtë ishte një provë zjarri, por edhe dalja e parë dhe përballja e parë me një realitet komplet tjetër. Imagjino një 18 apo 19-vjeçar, që e dërgonin në kufi, marinë, reparte ushtarake dhe i thoshin se mbronte atdheun në skalionin e parë. Kishte vështirësi që nisnin nga stërvitja, rregulli e deri tek ushqimi i pamjaftueshëm. Ushtria ishte një lloj urë kalimi e adoleshencës dhe kur një i ri mbaronte ushtrinë, ai merrte një lloj pjekurie që më shumë lidhej me moshën. Por ama, lagjja dhe mjedisi përreth, thoshte e paska pjekur ushtria, sepse kur ishte këtu, ishte çapkën i madh.

Është aq i urtë, sa do e martojë lagjja

Djalin e sjellshëm dhe të tërhequr, nuk para e preferonin gjatë komunizmit. Duhej ai djali i lëvizur, çapkën, i hedhur, mundësisht me muskuj dhe boksier. Por ai i urti ishte jashtë mode. Aq sa doli shprehja se do ta martonte lagjja. D.m.th. do mblidhej këshilli i lagjes dhe do t’i caktonte një nuse.

O goce, më fal një minutë!

Brezi i viteve 70-80, kishte një karakteristikë. Lidhja dhe dashuritë lindin nga një mënyrë që sot, pothuajse, nuk ekziston. Një djalë në fillim e pëlqente fizikisht një vajzë dhe më pas, djali hidhej në aksion. E niste me daljen përpara të vajzës në rrugë, teksa ajo ecte dhe i drejtohej: O goce, më fal një minutë! Më pas, biseda vijonte sipas rastit. Vajza mund të refuzonte që në fillim, por edhe mund të vijonte bisedën, nëse e pëlqente djalin si tip. Nëse do bëhej një studim, shumica e lidhjeve në këtë periudhë që përfundonin me martesë, nisnin me shprehjen: “O goce më fal një minutë!” Aq sa sot, i quajmë brezi i “o goce më fal një minutë!”

Kemi fizkulturë mëngjesi

Mësimi gjatë komunizmit, nuk niste menjëherë. Përpara bëhej një fizkulturë mëngjesi, përpara shkollës, dhe më pas mësimi. Një mësues fizkulture dilte përpara shkollës së rreshtuar dhe drejtonte disa ushtrime që duhet t’i bënin të gjithë. Kjo sillte, sipas autoriteteve të kohës, kalitje që në fakt vetëm kalitje nuk ishte, por një djersë që nuk hiqej për tërë ditën.

Nxënësi filan e ka në patronazh nxënësin filan

Një nga shprehjet dhe verimet e kohës së komunizmit, ishte patronazhi në shkollë. Një nxënës i mirë me mësime, nuk duhej të mbetej këtu. Ai kishte detyrë të ndihmonte nxënësit e dobët dhe për këtë, mësuesja kujdestare, caktonte nxënësin konkret që duhet ta ndihmonte. Kështu, nxënësi i mirë i shkonte në shtëpi atij të dobët, i kontrollonte detyrat dhe i shpjegonte mësimet.

Për ideal të partisë

Një nga shprehjet që përdorej më shumë gjatë komunizmit, ishte “për ideal të partisë”. Ky ishte një lloj betimi. Nëse dikush gjendej në një situatë mosbesimi, dalja nga kjo situatë ishte shprehja për ideal të partisë. Por edhe kjo shprehje, erdhi dhe degjeneroi. Idealistët u pakësuan dhe shprehja u shua.

Dhjetë vajza të kem, nuk ia jap nuse atij!

Babai ishte ai që vendoste për vajzën. Por kur ai nuk e kishte me sy të mirë kandidatin, ai kishte në majë të gjuhës shprehjen: Dhjetë vajza të kem, nuk ia jap atij nuse.

Të shpëlaftë mortja!

Me fjalë të tjera, ishte si t;i uroje vdekjen dikujt. Por dukej sikur nuk dilte vetëm kaq. Por të shpëlaftë mortja, ishte të ikje në vend.

Me biografi të mirë/të keqe; me njollë në biografi

Statusi social më i preferuar gjatë komunizmit, ishte biografia e mirë. Kjo do të ishte që ti vetë, familja dhe i gjithë fisi, të kishte besnikëri ndaj Partisë Komuniste. Por nëse sikur vetëm një pjesëtar i familjes, një kushëri i largët të kishte një cen, ai quhej me biografi të keqe. Po përse vlente biografia? Për gjithçka, deri te martesa. Sa e sa dashuri janë ndërprerë dhe nuk kanë përfunduar në martesë, vetëm për shkak të biografisë. Ajo quhej njollë në biografi, e cila mund të ishte kur një xhaxha, dajë apo kushëri, të kishte thënë një fjalë të keqe për partinë. /lapsi.al/