LAJMI I FUNDIT:

Ndërpritet ekspozita e artistëve kosovarë në Beograd

Ndërpritet ekspozita e artistëve kosovarë në Beograd

Hapja e ekspozitës së artistëve të rinj kosovarë, e titulluar "Zmbrapsje", në Galerinë Kontekst të Beogradit, është ndërprerë të enjten në mbrëmje, për shkak të pranisë së rreth 300 pjesëtarëve të organizatës nacionaliste serbe "Fytyra" (Obraz).

Rreth orës 18:30, pak para hapjes zyrtare të ekspozitës, dy persona kishin hyrë në galerinë Kontekst dhe kishin grisur pllakatin e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Dy personat menjëherë janë shoqëruar jashtë nga policia.

Pak para hapjes së ekspozitës ndërkaq, një person kishte hyrë brenda galerisë me gur në dorë dhe duke iu afruar mikrofonit kishte bërtitur: “Si nuk ju vije turp – kthehuni në Prishtinë”, bëjnë të ditur mediet serbe.

Protestuesit para galerisë kanë brohoritur parulla antishqiptare duke bërë thirrje për shkuarje në Kosovë për luftë. Pjestarët e këtij grupi mbanin fotografi të komandantit të njësisë paramilitare ushtarake serbe, Legija dhe të Radovan Karaxhiqit.

Ne vendin e ngjarjes ishin mbledhur një numër i konsiderueshëm i forcave policore, për të penguar hyrjen e pjesëtarëve të kësaj organizate nacionaliste brenda Galerisë.


Duket se reagimin më të madh e ka shkaktuar punimi artistik i Dren Maliqit, “Face to Face” (ballë për ballë), ku janë paraqitur Elvis Presley, si ikonë e pop-kulturës amerikane, dhe Adem Jashari, si luftëtar i mitologjizuar i UÇK-së.

Në këtë ekspozitë përfshihen punimet e artistëve të rinj kosovarë: Artan Balaj, Jakup Ferri, Driton Hajredini, Flaka Haliti, Fitore Isufi Koja, Dren Maliqi, Alban Muja, Vigan Nimani, Nurhan Qehaja, Alketa Xhafa dhe Lulëzim Zeqiri.

Kjo ekspozitë është organizuar nga Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut, ndërsa para Beogradit, punimet e artistëve kosovarë ishin ekspozuar në Novi Sad.