LAJMI I FUNDIT:

Murgesha dhe bashkëshortja që shënoi një epokë të re për gratë

Murgesha dhe bashkëshortja që shënoi një epokë të re për gratë
Katharina von Bora - Luther

Nga: Shpresë Mulliqi

Reforma e shekullit të XVI shënoi një kthesë të madhe në besimin e krishterë, mirëpo, fillimisht, nuk e ndryshoi pozitën dhe rolin tradicional të grave në familje dhe në shoqëri. Gratë, vazhdonin të shiheshin si shtëpiake, detyrë e të cilave ishte mirëmbajtja e shtëpisë, mbështetja e burrit dhe edukimi i fëmijëve.

Sidoqoftë, reforma, edhe pse jo menjëherë, shënoi hapat e parë për mundësimin e arsimimit të gruas. Dhe, ishin Martin Luteri (Martin Luther), Xhon Kalvini (John Calvin) dhe disa reformatorë tjerë protestantë që i ndriçuan mendjet e besimtarëve për rëndësinë e reformimit – edhe karshi pozitës së grave të cilat filluan të trajtohen gjithnjë e më shumë si të barabarta. Meqenëse ka pak të dhëna për jetën e grave të zakonshme në këtë periudhë, sidomos nga shekulli XVI, në këtë shkrim jemi përpjekur ta shpalosim jetën dhe veprimtarinë e Katarina von Borës (Katharina von Bora – Luther), bashkëshortes së reformatorit të madh, Martin Luter, dhe njërës prej mbështetëseve dhe përqafueseve më aktive dhe më të pasionuara të reformës dhe ndryshimeve, sidomos në martesë, në edukim, por edhe në përfshirjen e gruas në zhvillimin e ekonomisë familjare.


Nëpërmjet këtij shkrimi, gjithnjë duke u bazuar në literaturën në dispozicion, gjithashtu i kemi shpërfaqur disa nga vështrimet e të tjerëve për martesën mes Martin Luterit dhe Katarina von Borës, një martesë e cila ndonëse zgjoi shumë debate, megjithatë rezultoi të jetë shumë e suksesshme dhe e rëndësishme për kohën. Gjithashtu këtu shpaloset edhe roli i Katarinës si mbështetëse e Martin Luterit në punën e tij si pastor, profesor dhe udhëheqës i madh i Reformacionit Protestant.

Hyrje

Gjatë historisë së njerëzimit, gratë në të shumtën e rasteve janë parë vetëm në rolin e nënës dhe të amvisës. Mirëpo, edhe në ditët e sotme kjo situatë nuk ka ndryshuar edhe gjithaq meqë gratë në shumë shoqëri dhe në shumë bashkësi fetare, vazhdojnë të konsiderohen më pak të vlefshme se burrat, të fitojnë më pak se burrat dhe të gëzojnë më pak privilegje se burrat. Vazhdojnë të jenë të pakta gratë të cilat mbajnë pozita udhëheqëse, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, dhe kjo qasje është veçanërisht e shprehur në disa bashkësi fetare. Kjo pozitë e gruas rrënjët i ka thellë në besim e në kulturë, në aspekte të ndryshme historike, sociologjike dhe politike të formimit dhe të zhvillimit të shoqërive gjatë historisë, ngase për shekuj të tërë gruaja konsiderohej si krijesë e klasës dhe rangut të dytë.

Andaj, ta analizosh pozitën e gruas në Evropën e shekullit XVII kur kishte shumë probleme sociale dhe jo më pak ekonomike që çuan në krijimin e një klime të pakënaqësisë, ishte akoma më e vështirë sepse shtypja e vazhdueshme dhe denigrimi kishte nxitur pakënaqësi dhe, të pakënaqurit, siç do ta shohim edhe në rastin e motrave të rendit Cistercian[1], shpejt ose vonë do të fillojnë ta shpërfaqin pakënaqësinë e tyre dhe dëshirën për të ndryshuar. Andaj, edhe lëvizjet e të pakënaqurve, dijetarëve dhe avangardëve shtuan aspiratat për ndryshim në çdo fushë të jetës, gjë që çoi në reforma brenda kishës, ngase vetëm pakica ishte e pasur, teksa shtresa e mesme, bujqit e të tjerët, mbanin gjallë këtë shtresë të fisnikëve të pasur dhe të kishës. Evropa ishte e bashkuar rreth fesë dhe kontrollit të Papës. Ishte e bashkuar rreth gjuhës dhe shkrimit latin dhe sistemit arsimor të zhvilluar nga Kisha në të cilin sistem gruaja ishte në shërbim të burrave.

Duke nënvizuar kritikën e Rosalind Shaw (Shaw, R. 1995) për fenë si një kategori sui generis nga këndvështrimi e gjinisë, kërkimi ynë empirik në radhë të parë ka për qëllim ta shpalos rolin tradicional të gruas në shoqëri, me theks të veçantë në shoqërinë e shekullit XVI, si dhe ta dekonstruojmë rolin e gruas në komunitetet fetare duke e analizuar jetën e Katarina von Borës, të ashtuquajturës Mbretëreshë të Reformacionit.[2] Dekonstruimin e kemi bërë duke u mbështetur në argumentin e Rosalind Shawit që thotë se homo religiosus, si përfaqësues i një kolektivi fetar, përgjithësisht është “i padiferencuar sipas gjinisë, racës, klasës ose moshës, dhe nuk përcaktohet qartë si mashkull” (1995, fq. 67). Shih për këtë, nëpërmjet Katarina von Borës kemi studiuar një ndërtim të veçantë kulturor të gjinisë në funksion të fesë si parametër kryesor që përcakton se kush bën dhe kush nuk mban kapacitetin ontologjik të qasjes në pozita të kontrollit dhe të vazhdimit të traditës dhe strukturës së saj shoqërore.

Roli i gruas sipas kishës

Pozita e gruas dhe roli i saj në shoqëritë e hershme, të bartura deri në ditët e sotme, janë determinuar nga roli i Evës, gruas biblike që ka luajtur rol të madh në Krishterim dhe kryesisht ka të bëjë me mëkatin e saj. Ajo mëkatoi dhe e tundoi edhe Adamin ta ndiqte atë, gjë që e shtyu Zotin ta sakrifikonte në kryq Jezusin që konsiderohet të jetë Biri i Zotit.[3] Me fjalë të tjera, një grua duke vepruar vetë shkaktoi rënien e njerëzisë.[4] Shih për këtë edhe bijat e saj janë mëkatare si ajo dhe duhen të trajtohen si të tilla. Një tonë të tillë dhe shumë të ashpër do ta gjeni edhe nga Shën Pali në Dhiatën e Re. Pozita e gruas dhe mundësitë e grave për ta përzgjedhur mënyrën e jetesës, në fillim të shekullit XVI ishin të kufizuara, ndërsa të jetuarit si grua e vetme e pavarur thjesht nuk ishte opsion i mundshëm. Sipas kishës, për mëkatin që kishte bërë gruaja, mëkatarja e cila e mishëronte Evën, duhej t’i nënshtrohej burrit sepse vetëm ai do t’ia mundësonte pastrimin e shpirtit dhe trupit, faljen e mëkatit. Andaj, gratë nga nënshtrimi i prindërve kaluan në atë të burrave dhe, më pas, nëse i mbijetonin bashkëshortët e tyre, i nënshtroheshin djalit më të madh.[5]

Për shekuj me radhë kisha kishte mësuar se qëllimet kryesore të ekzistencës së gruas ishin që t’i shërbente burrit dhe të siguronte riprodhimin nëpërmjet martesës. Shih për këtë ia vlen të theksohen se reformatorët Luter dhe Kalvin nxitën një kuptim të ri të martesës duke e cilësuar atë si shoqërim i dy të dashurve që janë besnikë ndaj njëri-tjetrit[6], duke e vlerësuar njëkohësisht edhe statusin e gruas si bashkëshorte dhe nënë.

Për më tepër, vajzat kishin të drejtë arsimimi dhe mund të lexonin dhe shkruanin vetëm nëse do të vendoseshin në manastiret e grave, ambiente këto ku jetohej në një komunitet të grave të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme, ku ishte vendosur edhe Katarina von Bora qysh në moshën dhjetëvjeçare – pas vdekjes të së ëmës dhe rimartesës të së atit. Shih për këtë, mbyllja e manastireve të grave, nga ana e reformatorëve, sikur e zhbëri edhe mundësinë e vetme që kishin disa vajza për të marrë një edukim që i përgatiste që në një të ardhme ta udhëheqin ekonominë familjare.[7]

Megjithatë, sipas Katrina Kleinhansit, reformatorët promovuan arsimin për të gjithë djemtë dhe vajzat, gjë që ishte e habitshme për kohën. Arsimi ishte në dispozicion vetëm për djemtë me status më të lartë shoqërorë ose ekonomik. Sipas Klinhansit, Luteri inkurajoi komunitetet për të krijuar dhe mbështetur shkollat ​​dhe u kërkoi prindërve të dërgonin fëmijët e tyre – djemtë dhe vajzat – në shkollë në vend që t’i mbanin në shtëpi për të punuar.
Por, edukimi për vajzat ishte shumë më pak i gjerë sesa për djemtë. Vajzat ndoqën shkollën më pak orë në ditë sesa djemtë dhe për pak vite – me aftësi të orientuara drejt leximit të Biblës, me qëllim përgatitjen e tyre për të udhëhequr një familje dhe për t’ua mësuar besimin fëmijëve të tyre.

Disa përparime për gratë në Reformimin e shekullit XVI megjithatë janë evidente, ndonëse të pakta, sepse shumica e grave të pastorëve ishin të shkolluara. Njëra prej tyre ishte edhe Katarina von Bora, e cila u martua me reformatorin e mirënjohur Martin Luterin, ajo që vendosi standardin e më shumë roleve që i janë dhënë gruas së një pastori. Ajo konsiderohej një model i përsosur për ato gra që, ashtu si ajo vetë, ishin martuar me një klerik, por edhe për gratë tjera familjet e të cilave kishin përqafuar Reformacionin.

Jeta e von Borës

Historia e jetës së Katarina von Borës është jo shumë më ndryshe se ajo e vajzave të rangut të saj shoqëror. E lindur në një familje fisnikësh jo shumë të pasur, ajo fillimisht është dërguar për të jetuar në një manastir benediktian në Brehna kur ishte shumë e re, mes pesë dhe gjashtë vjeçe.[8] Në këtë manastir ajo mësoi shkrimin dhe leximin, gjë që ishte një e arritur e madhe për gruan e asaj periudhe, si dhe merr mësimet e para të gjuhës latine, gjë që do ta ndihmonte në leximin e Biblës. Për një familje fisnike, dërgimi i vajzave në një manastir ishte gjë e zakonshme. Ishte një “marrëveshje familjare”, e praktikuar gjeneratë pas gjenerate në familjet fisnike gjermane. Në këtë manastir Katarina mori mësimet e para, mirëpo më pas babai i saj e largon nga aty dhe e dërgon në manastirin cistercian në Nimpsh (Nimbschen), vendosur në jug të Grimës, në rrethin e Lajpcigut (Leipzig) ku në pozitën e kryemurgeshës ishte halla e saj Margareth von Bora. Ajo e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj të hershme e izoluar në këtë manastir në ku mësoi të lexonte, shkruante, fliste latinisht dhe të këndonte. Edhe pse Katarina me siguri nuk ka punuar në fusha, megjithatë besohet se gjatë kohës sa ka jetuar në manastir i merr mësimet e para mbi menaxhimin e një ndërmarrjeje bujqësore në shkallë të gjerë, gjë e cila doli të jetë e dobishme për të dhe familjen e saj në vitet e mëvonshme.[9] Është e mundur që ajo gjithashtu mësoi të bëjë bilancin e librave, të menaxhojë një fermë dhe të kujdeset për të sëmurët pas mureve të manastirit.

Në këtë manastir, i dërguan bijat e tyre edhe shumë familje fisnike, për të jetuar atë që ata mendonin se ishte më e shenjta e të gjitha jetëve. Në numër ishin ato të cilat ishin sjellë aty nga prindërit. Në numër të madh ishin motrat që kishin kaluar jetën e tyre të pendesës dhe vetëmohimit brenda mureve e akoma më shumë të atyre që u penduan për përzgjedhjen e tyre. Ndonëse ditët e tyre të gjata ishin të mbushura me vepra të bamirësisë dhe me aktivitete ditore, jeta ishte e rëndë dhe plot sakrifica. Këtë mundoheshin ta kompensonin nëpërmjet leximit të librave të cilët pas shpikjes së shtypshkronjës së Gutenbergut filluan të arrijnë te të gjitha shtresat.

Në mesin e librave të cilat u sollën në manastir ishte pamfleti i Martin Luterit, i cili ia trazoi zemrën Katarinës dhe motrave tjera dhe ua lëkundi bindjen se mbyllja në një manastir është e vetmja mënyrë për ta shpërfaqur besimin dhe vetëmohimin. Traktati i Luterit mbi manastiret[10] bëri që shumë nga ato t’i hapin sytë. Ishte ky një zbulim tjetër për to sepse deri atëherë ato kishin jetuar me bindjen se një jetë brenda mureve të shenjta të manastirit ishte më e këndshme, dhe më e shenjtë në sytë e Perëndisë, ndonëse Luteri, ideatori i 95 tezave, thoshte se një jetë në një manastir nuk është një jetë e vërtetë e krishterë; se jeta e tyre nuk është më e pastër, as më e mirë, as më e shenjtë se ajo e njerëzve të zakonshëm; se jeta e një ndjekësi të vërtetë është vetëm izolim, jo një arratisje nga tundimet, por që ta mbajë nën vete, t’i përballojë ato. Dhe, sidomos pamfleti i Luterit mbi martesën ku shkruante “sepse Fjala e Perëndisë që ju ka krijuar dhe ka thënë: ‘shtohuni dhe shumëzojuni’ banon dhe sundon brenda jush dhe mbi të gjitha është urdhëresë e Perëndisë”[11], bëri që murgeshat të kaplohen nga idetë e reja mbi të cilat edhe vendosën të vepronin. Dhe, sa më shumë lexonin aq më i thellë dhe më i ngrohtë bëhej entuziazmi i tyre për Luterin dhe fjalët e tij dhe vargun biblik: “i drejti duhet të jetojë me besim” (Rom.1:7).[12]

Mirëpo, ajo që bënë shumë përshtypje është fakti se familjet (prindërit, vëllezërit dhe motrat) e motrave të nderit nuk ishin të gatshëm t’u dilnin në ndihmë bijave të veta, ndonëse tri nga murgeshat iu bashkuan familjeve dhe se njëri nga baballarët e falënderon Leonard Kopin duke i thënë “ti je një Moisi i dytë” nga gëzimi për takimin e serishëm me të bijën.

Luteri, me ndihmën e Leonard Koppes, nga Torgau dhe Wolfgang Tomitzschit e mundësoi ikjen e tyre nga manastiri ndërsa shumë shënime thonë se nëntë murgeshat[13] u takuan në qelinë e Katarina von Borës, ku edhe e planifikuan shpëtimin.[14] Që të gjitha u vendosën nëpër shtëpitë e personave të cilët me mirësi i pranuan ato,[15] ndërkohë që u njohën me djem me të cilët edhe u martuan. Pavarësia e ish-motrave në përzgjedhjen e së ardhmes së tyre, zhvillimi i mendimit dhe liria e vullnetit dhe veprimit, ia vlen që të përmenden dhe t’i atribuohen Martin Luterit, sepse rezultoi me krijimin e një karakteri të fortë dhe njëkohësisht janë shenjë e parë e mbështetjes së gruas në vendimmarrje –           sidomos në ato raste kur bëhet fjalë për të ardhmen e tyre.

Martesa me Martin Luterin

Se jeta e gruas në shekullin XVI të nuk ishte e lehtë kjo shihet edhe nëpërmjet biografisë së Katarinas. Jeta jashtë një rendi kur të gjitha vendoseshin nga të tjerët, ishte një sfidë për të. Autorët e shumtë tregojnë për vuajtjet e gruas për ta siguruar ekzistencën. Dhe, derisa i bënim kërkimet tona, ne as edhe një herë të vetme nuk e kemi larguar nga mendja se duhet të shohim nga gratë e shtresave të mesme dhe të ulëta; nga ato që kafshatën e gojës e siguronin nëpërmjet punëve të shtëpisë, por edhe në fushë. Katarina von Bora, e ballafaquar me këto probleme, e dinte se duhet të martohet që t’ia lehtësonte jetën vetes.

Duke refuzuar një numër ofertash, Katarina i propozon Martin Luterit që të martohet me të, gjë të cilën Luteri e bëri, përkundër rezistencës dhe kritikave si nga armiqtë ashtu edhe nga miqtë e tij. Gjatë martesës ajo solli në jetë tre djem dhe tri vajza.[16] Ndonëse një martesë pa dashuri (si shumë martesa tjera të cilat lidheshin në atë kohë, por edhe sot), më pas, sipas Martin Luterit, Katarina do të bëhej e pazëvendësueshme për te dhe se nuk do ta shkëmbente Katën e tij “as për Francën dhe as për Venedikun”[17]. Në fakt, Luteri thoshte për të: “Po ta humbisja Katën time nuk do të merrja një grua tjetër, edhe sikur të më ofrohej një mbretëreshë”.[18]

Katarina ka bërë që Martin Luteri ta ndryshojë rrënjësisht opinionin që kishte për gratë dhe për rolin e tyre në familje. Shih për këtë e shohim si pjesëmarrëse dhe kontribuuese në të gjitha bisedat e Luterit me elitat intelektuale të kohës, duke sfiduar kështu mentalitetin e kohës. Nga dokumentet dhe shënimet e pakta, përfshirë këtu edhe letrat e Luterit drejtuar Katarinës[19], del se ai nuk kishte asnjë sekret përpara saj dhe se opinionin e saj e vlerësonte shumë. Për më tepër, sipas miqve të tij të kohës, Luteri besonte se lëvizja e Reformacionit nuk do të kish qenë e tillë pa kontributin e gruas së tij. Për vlerat e pamohueshme dhe ndikim e saj në jetën e Martin Luterit, tregon fakti se shumë nga miqtë e tij mendonin se “disa nga idetë e Luterit ishin në të vërtetë ide të Katarinës”.[20] Ky është mbase komplimenti më i madh që i jepet asaj, respektivisht një gruaje e cila shënoi një kthesë të madhe në shoqërinë e asaj kohe, falë vetëbesimit të madh, vullnetit për punë dhe ndryshime; një gruaje të fortë dhe të pavarur, virtyte këto të cilat ishin të pazakonta për gratë e asaj kohë.

Grua, nënë dhe ekonomiste

Në shekullin XVI nga një grua pritej të ishte shoqëruese e burrit të saj dhe mbështetëse në hije. Gjatë kësaj periudhe del se nga gratë pritej që t’ju bindeshin burrave, gjë që i kufizonte veprimet. Sipas Martin Treut, historian në Shoqërinë Luther në Uitenberg dhe autor i një biografie të von Borës, gratë në atë kohë shiheshin si pjesë e familjes, shoqërisë, por zëri i tyre nuk dëgjohej. Mirëpo, ishin disa gra gjatë Reformacionit të cilat nuk ishin aq të kufizuar sa gratë e tjera dhe, Katarina von Bora, e cila u martua me reformatorin e mirënjohur Martin Luter, vendosi standardin e më shumë roleve që i janë dhënë gruas së një pastori. Ajo konsiderohej gjithashtu model i përsosur për ato gra që, ashtu si vetë ajo, ishin martuar me klerik.

Në librin e tij “Mbretëresha e Reformacionit”, Charles Ludwig thotë se Luteri gjatë bisedës me një student në dhomën e tij të studimit, kur fletë për Letrën e Palit drejtuar Galatasve, thotë se është një nga librat e tij të preferuar dhe se një pasus në kapitullin e dytë ia kujton gruan. Pasusi, sipas Ludwigut, thoshte me sa vijon: Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë; me të vërtetë, sepse, nëse nuk do të lodhemi, patjetër që në kohën e duhur do të korrim.

Ky pasus tregon se sa e palodhshme ishte von Bora. Dhe, ajo që mbillte Katarina, nuk ishte vetëm dashuria për Martin Luterin dhe fëmijët, frytet e së cilës i gëzonte çdo ditë, por edhe menaxhimi i ekonomisë familjare, sepse i shoqi qe dorëlëshuar, njeri bujar i cili u bënte strehë qindra njerëzve edhe në kohën e krizave të mëdha, si në kohën e shfaqjes së murtajës. Ai nuk donte t’ia dinte se sa kishin. Kështu, Katarinën, e cila njeh parimet e tregtisë, e shohim si një grua që merret me prodhimin, shpërndarjen dhe konsumimin e mallrave dhe shërbimeve të biznesit familjarë që përbëhej nga bujtina dhe fabrika e birrës; e shohim si një grua që njëkohësisht merret me kopshtari, bujqësi e në rritjen e bagëtive, dhe me vetitë shëruese të barishteve nga të cilat mund të prodhoheshin ilaçe. Këto aftësi të saja, përmenden edhe nga vetë Luteri i cili, sipas Bob Kellemenit e vlerësoi shkathtësinë dhe kreativitetin e saj, duke thënë se “gruaja ime është predikuese, prodhuese e birrës, kopshtare”[21] dhe me raste i referohej edhe si “mjeshtre, Kata, luteriane, doktoreshë dhe priftëreshë e Uitenbergut që drejton një ekip, një fermë dhe kullotat përreth dhe … në mes të gjitha këtyre punëve e lexon Biblën”[22].

Njëkohësisht e shohim si person kyç në jetën e të shoqit, sepse ishte ajo që e inkurajonte të vazhdonte me punën edhe në momentet më të rënda. Angazhimi i saj bëri që manastiri që Princ Frederiku ia kishte dhuruar Martin Luterit, të shndërrohej në biznes fitimprurës dhe në një shtëpi të përshtatshme në të cilën Luteri mund t’i organizonte takimet e rëndësishme, bisedat, diskutimet të cilat ishin të një rëndësie të veçantë.[23] Idetë që dolën në to janë dokumentuar dhe mund të gjenden në vëllimin e titulluar “3000 biseda në tryezën e Martin Luterit”, atëherë kur kalonte momente të vështira shpirtërore, kur depresioni kishte kapluar mendjen e tij të ndritur, kur humbën fëmijët dhe prindërit. Sipas djalit tyre Palit, më vonë mjek, ajo ishte si gjysmë doktori sepse pa përkushtimin e saj Luteri nuk do ta kishte mbijetuar depresionin të cilin e interpretonte si tundim satanik.[24]

Përmbyllje

Përkundër mungesës së dokumenteve të cilat në mënyrë specifike e sheshojnë rolin dhe kontributin e Katarina fon Borës gjatë periudhës së reformacionit, megjithatë informatat e pakta e kanë portretizuar si një grua të fuqishme e cila jetoi dhe veproi krah për krah me Martin Luterinin në një shoqëri e cila mbizotërohej nga meshkujt. Me këto vërejtje përfundimtare mbi jetën dhe veprimtarinë e Katarina fon Bora – Luterit kemi paraqitur një pjesëz të jetës së gruas që la shenja të pashlyeshme në një epokë shumë të ndritshme për Protestantizmin dhe Reformacionin, epokë me shumë sfida dhe rreziqe politike, fetare dhe shëndetësore. Me këtë rast kategoritë e tilla si “gruaja” ose “feja”, jemi munduar që t’i ilustrojmë përtej një trajtimi klasik që qasja mbart. Sepse, në këtë punim jo vetëm që kemi shpalosur këto dy kategori, por jemi përpjekur të dekonstruojmë rolin e gruas në shekullin XVI nëpërmjet jetës së von Borës në favor të ruajtjes së origjinalitetit të burimeve të cilave ju kemi referuar.

Në një farë mënyre, edhe pse jo plotësisht, reformimi protestant u kishte hapur dyert e çlirimit grave, që nga largimi nga jeta e kufizuar si murgesha, drejt marrjes së roleve të gjithanshme për të cilat Katarina von Bora është shembull unik sepse jeta e saj u kthye në një paradigmë për gratë që t’i zgjerojnë identitetet e tyre individuale dhe të pavarura në kontekstin e pabarazisë dhe padrejtësisë ndaj grave që mbizotëron në mesjetë.

Andaj, metodologjikisht, ideja e paraqitjes së grave si agjente aktive fetare, politike dhe ekonomike, si simbole të përqafimit të Protestantizmit dhe mbështetjes së Reformacionit nëpërmjet një diskursi fetar, besojmë se u tregua i dobishëm. /Telegrafi/

___________

Literatura:

  • Kelleman, B. (2010); Women of the Reformation, Part 3: Katherine von Bora Luther: Living the Truth in Love; për më shumë shih ueb faqen: http://www.rpmministries.org/2010/09/women-of-the-reformation-part-3-katherine-von-bora-luther-living-the-truth-in-love/

  • Kleinhans, K.(2015); Women and the Reformation: Then & Now; në Ueb faqen e Living Lutheran https://www.livinglutheran.org/2015/09/women-reformation-now/

  • Ludvig, Ch. (1986, 2007); Mbretëresha e Reformacionit; botuar nga Operation Mobilisation Greater Europe for the Albanian Edition;

  • Luther, Martin (1483-1546); Table Talk; William Hazlitt, Esq. (19??-) (Translator) Publisher: Grand Rapids, MI: Christian Classics Ethereal Library; https://holybooks.com/table-talk-by-martin-luther

  • Magee, P.M. (1995, 2000,), Disputing the Sacred: Some Theoretical Approaches to Gender and Religion, in: Religion and Gender, (ed.) Ursula King, Blackwell, Oxford & Cambridge USA, 101–120.;

  • O’Connor, J. (1995, 2000), The Epistemological Significance of Feminist Research, in Religion, in: Religion and Gender, (ed.) Ursula King, Blackwell, Oxford & Cambridge USA, 45-63.;

  • Shaw, R. (1995). ‘Feminist anthropology and the gendering of religious studies’, in U. King (ed.), Religion and gender, 65–76. Oxford: Blackwell.

  • Smith, J. (1999). Katharina von Bora through Five Centuries: A Historiography. The Sixteenth Century Journal, 30(3), 745-774. doi:10.2307/2544815

  • Treu, Martin; Katharina von Bora, the Woman at Luther’s Side; Lutheran Quarterly Vol. XII (1999). http://www.lutheranquarterly.com/uploads/7/4/0/1/7401289/timelinetreu.pdf

___________

Fusnotat:

[1] Anëtar i Urdhrit Cistercian (/ sɪstɜːrʃən /, [1] shkurtuar si OCist ose SOCist (Latinisht: (Sacer) Ordo Cisterciensis. Urdhri i Cistercitëve i respektimit të rreptë (i njohur edhe si “Trapistë”) është urdhër fetar religjioz katolik, i përbërë nga manastiret e murgjve dhe manastiret e murgeshave. Janë pjesë e familjes më të madhe cisterciane që daton nga viti 1098. Cistercianët ndjekin edhe Rregullin e Shën Benediktit dhe kështu janë edhe pjesë e familjes Benediktine. https://presmarymethuen.org/sq/dictionary/what-are-the-main-differences-between-the-different-catholic-monastic-orders/

[2] Këtë nofkë e kemi hasur në librin e Çarls Ludvigut (Charles Ludwig) Mbretëresha e Reformacionit, e botuar në vitin 1986.

[3] Kleinhans, K. (2015); Women and the Reformation: Then & Now; në Uebfaqen e Living Lutheran, https://www.livinglutheran.org/2015/09/women-reformation-now/

[4] Ruether, Rosemary R. (1987); Krishterimi, në Arvind Sharma, Women in World Religions, Albany: State University of New York Press, fq. 209.

[5] Kleinhans, K. (2015); Women and the Reformation: Then & Now;

[6] Po aty!

[7] Po aty!

[8] http://www.pbs.org/empires/martinluther/char_wife.html

[9] Treu, Martin; Katharina von Bora, the Woman at Luther’s Side; Lutheran Quarterly Vol. XII (1999). http://www.lutheranquarterly.com/uploads/7/4/0/1/7401289/timelinetreu.pdf

[10] Ludvig, Ch. (1986, 2007); Mbretëresha e Reformacionit; botuar nga Operation Mobilisation Greater Europe for the Albanian Edition.

[11] “Vepra e Luterit” vëllimi 45, fq. 18

[12] Sipas Çarls Ludvigut (2007) ky varg shpesh u përdor nga Katarina gjatë përpjekjeve të saja për ta nxjerrë nga depresioni bashkëshortin e saj, Martin Luterin.

[13] Nëntë murgeshat, të cilat me guxim i hoqën lidhjet e panatyrshme të kishës katolike dhe me gëzim hasën çdo sprovë që do të hapte rruga për një jetë të vërtetë në Krishtin – duke gjetur të vërtetën që i bën njerëzit të lirë – ishin Magdalena Staupitz, Elizabeth Kanitz, Eva Gross, Eva dhe Margaret Schonfeld, Laneta Golis, Margaret dhe Catherine Zeschau dhe Catherine von Bora.

[14] Kelleman, B. (2010); Women of the Reformation, Part 3: Katherine von Bora Luther: Living the Truth in Love; për më shumë shih ueb faqen: http://www.rpmministries.org/2010/09/women-of-the-reformation-part-3-katherine-von-bora-luther-living-the-truth-in-love/

[15] http://lutheranreformation.org/wp-content/uploads/2016/04/ref500-vonBora_Handout.pdf

[16] Më 7 qershor 1526 lindi Johannes (Hans) djali i tyre i parë. Elisabeth, vajza e tyre e parë lindi më 15 dhjetor 1527, por vdiq pas tetë muajve. Vajza e tyre e dytë Magdalena lindi më 14 maj 1529 dhe vdiq në moshën 12 vjeç. Në 1531, 1533 dhe 1534 lindën djemtë e tyre Martin dhe Paul dhe vajza Margarethe. Të gjithë pasardhësit e gjallë të Martin Luterit vijnë nga linja e Margaretas. Vdekja e Magdalenës përmbysi çiftin e martuar në një krizë të thellë.

[17] http://lutheranreformation.org/wp-content/uploads/2016/04/ref500-vonBora_Handout.pdf

[18] Kelleman, B. (2010); Women of the Reformation, Part 3;

[19] Smith, J. (1999). Katharina von Bora through Five Centuries: A Historiography. The Sixteenth Century Journal, 30(3), 745-774. doi:10.2307/2544815

[20] Curry, Andrew (2017); How a Runaway Nun Helped an Outlaw Monk Change the World, botuar në National Geographic. https://www.nationalgeographic.com/news/2017/10/martin-luther-wife-protestant-reformation-500/

[21] Kelleman, B. (2010); Women of the Reformation, Part 3;

[22] http://www.rpmministries.org/2010/09/women-of-the-reformation-part-3-katherine-von-bora-luther-living-the-truth-in-love/!

[23] Luther, Martin (1483-1546); Table Talk; William Hazlitt, Esq. (19??-) (Translator) Publisher: Grand Rapids, MI: Christian Classics Ethereal Library; https://holybooks.com/table-talk-by-martin-luther/

[24] Kelleman, B. (2010); Women of the Reformation, Part 3;