LAJMI I FUNDIT:

Mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara dhe sfidat e tyre në Kosovë

Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbesin një ndër kategoritë më të diskriminuar në Kosovë. Kësaj kategorie po i shkelen të drejtat elementare të garantuara më ligj, për lëvizje të lirë dhe qasje në institucione publike.

Sfiduese për këtë kategori vazhdon të jetë infrastruktura, ku për shkak se nuk ka pjerrina të mjaftueshme dhe ashensor të duhur, një numër i madh i këtyre personave nuk arrijnë të marrin as shërbimet që janë të nevojshme për ta.

Aldin Hyseni, 13-vjeçari nga Prishtina nuk po arrin të pavarësohet nga nëna e tij, madje as për të shkuar në shkollë.


Nëna e tij, Elmije Hyseni në një intervistë për Telegrafin, tregon se më së shumti probleme has në semaforë dhe në stacione të autobusëve.

“Është e vështirë shumë, problemi është se trotuaret janë shumë të larta sidomos nëpër stacione të autobusëve, është shumë problem me hy me fëmijën në autobus me karrocë. Edhe në semaforë trotuaret janë shumë të larta. Gjithmonë unë duhet të kujdesem për djalin”, tha ajo.

Elmije Hyseni me djalin e saj, Aldinin

Probleme në qasje kanë edhe personat me aftësi të kufizuara në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Garip Sylejmani, banor i kësaj shtëpi thotë se ka mbetur i mbyllur në dhomë për më shumë se 1 vit.

“Për pandemi mirë, kam pasur probleme po kam marrë terapi. Po problemi këtu është se krejt çka jemi me karrocë nuk mundemi me dalë në oborr, se që gati 15 muaj nuk kam dalë jashtë. E kanë rinovuar ndërtesën, u kanë në plan një ashensor të ri me ndërtu, po çka kanë bërë dallavere nuk e di”, tha ai.

Garip Sylejmani, banor në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë

Infrastrukturë e duhur për persona me aftësi të kufizuara nuk është krijuar as në institucione publike.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fetah Rudi pohoi se nuk është bërë sa duhet për rregullimin e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara.

“Mandatin e deputetit e kam fituar në zgjedhjet e tetorit. Deri tani nuk është bërë asgjë që të rregullohet qasja e personave me aftësi të kufizuara. Por, pavarësisht vështirësive nuk do të ndalem, megjithatë diçka ka filluar të rregullohet. Nuk ka infrastrukturë të duhur për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, jo vetëm në Kuvend. Kjo duhet të rregullohet dhe të mos ketë pengesa për askënd. Në kuvend është rregulluar një pjerrinë dhe po rregullohet edhe ashensori”, u shpreh ai.

Deputeti Rudi u zotua se do të angazhohet vazhdimisht që të përmirësohen kushtet për këtë kategori.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fetah Rudi

Ndërkaq, Kaltrina Misini, zëdhënëse e HANDIKOS, deklaroi se Kosova nuk ka plotësuar standardet ndërkombëtare për çështjen e personave me aftësi të kufizuara.

“Një ndër sfidat kryesore të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdon të jetë fatkeqësisht qasja në infrastrukturë në çfarë do ambienti. HANDIKOS në muajin mars të këtij viti, ka publikuar edhe një raport hulumtues nga terreni standardet ndërkombëtare mbi çështjen e personave me aftësi të kufizuara. Ku nga ky raport ka rezultuar se vetëm 6.7 përqind e këtyre standardeve plotësohen sa i përket qasjes në Kosovë. Gjë që është shifër shumë e ulët, dhe për të ardhur keq, sepse personat me aftësi të kufizuara nuk mund të lëvizin lirë për shkak të qasjes së plotë e cila nuk ofrohet nga vendi ynë, e për të cilën do të duhej të bënin shumë më shumë institucionet”, potencoi ajo.

Kaltrina Misini, zëdhënëse e HANDIKOS

Misini u bëri thirrje institucioneve që të bëjnë më shumë në plotësimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuara.

“Në u bëjmë thirrje institucioneve që të bëjnë më shumë në plotësimin e kushteve elementare të personave me aftësi të kufizuara, të cilat garantohen me drejtat e njeriut”.

Në anën tjetër, Mentor Morina nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale deklaroi se problemet e personave me aftësi të kufizuara do të rregullohen me ligjin e ri që kanë hartuar.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka për obligim që për të gjitha kategoritë sociale të ofrojë mbështetje në forma të ndryshme financiare, përmes skemave të pagesave sociale por edhe të kompensimeve për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara.

Në 10 vitet e fundit zbatohen skema të ndryshme të kompensimeve. Nga viti i kaluar kemi filluar me hartimin e ligjit të ri për trajtimin e personave me aftësi të kufizuara, me qëllim të kategorizimit te personave me aftësi të kufizuara. Për shkak se gjatë këtyre viteve kemi ligje të aftësive të kufizuara që mbulojnë kategori specifike por jo të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara janë të mbuluara më shërbime dhe me kompensime të caktuara”, u shpreh ai.

Mentor Morina, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Morina tha se sfidë për personat me aftësi të kufizuara mbetet infrastruktura.

“Një ndër problemet që ekziston dhe sfidat që kanë personat me aftësi të kufizuara është qasja në infrastrukturë. Duhet të bëhen investime në infrastrukturë që të krijohen kushte dhe qasje barabartë për personat me aftësi të kufizuara”, potencoi ai.

Sa i përket ndërtimit të ashensorit në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, Morina thotë se këtë vit do të rregullohet.

Ligji Për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të kufizuara është votuar në Kuvendin e Kosovës më 18 dhjetor të vitit 2008.

Me këtë ligj rregullohen dhe përcaktohen të drejtat, kushtet, mënyrat e aftësim, riaftësim profesional dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara, për integrimin e tyre në tregun e hapur të punës sipas kushteve te përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në legjislacionin e aplikueshëm.

Qëllimi i këtij ligji është përkrahja ligjore dhe institucionale për aftësimin, riaftësimin, nxitjen dhe përgatitjen profesionale për punësim të përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuar duke u mbështetur në principet dhe tretmanin e mundësive të barabarta përfshirë edhe mundësitë gjinore.

Ky publikim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e Debate Center dhe Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ./Telegrafi/

 

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Mahmuti: Falsifikimi nuk mund të përligjet, Lëvizja Popullore e Kosovës - themeluesja e UÇK-së nuk kishte logo

Mahmuti: Falsifikimi nuk mund të përligjet, Lëvizja Popullore e Kosovës - themeluesja e UÇK-së nuk kishte logo

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Kalo në kategori