LAJMI I FUNDIT:

Moti i keq, kapiteneria e portit të Vlorës pezullon lundrimin për tre ditë

Moti i keq, kapiteneria e portit të Vlorës pezullon lundrimin për tre ditë

Kapiteneria e portit detar të Vlorës ka vendosur që për tri ditë me radhë të pezullojë lundrimin detar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit.

Duke nisur prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje, mjetet e peshkimit dhe ato lundruese nuk do të lejohen të dalin në det, jo vetëm sot, por edhe gjatë së premtes dhe ditës së shtunë. Shkak për këtë masë është bërë era e fortë bregdetare, e cila shkakton dallgë të larta si në det të hapur ashtu edhe në gji, duke e bërë të pamundur lundrimin e këtyre mjeteve.

Era bregdetare në qytetin e Vlorës këtë të premte pritet të arrijë deri në 15 metra për sekondë në gji dhe 25 metra për sekondë në det të hapur. Si pasojë e kësaj ere, në det të hapur dallgët shkojnë deri në 2.5 metra, ndërsa në gji arrijnë lartësinë 1.5 metra, duke e bërë të pamundur lundrimin e mjeteve të peshkimit dhe atyre të vogla lundruese. Era do të fryjë me drejtim Jug-Juglindje, duke shkaktuar forcën e detit në gji deri në 6 ballë dhe në det të hapur deri në 8 ballë.


Ndërkohë, tragetet e linjës me Brindisin, sipas Kapitenerisë së Portit Detar, do të vazhdojnë lundrimin e tyre normalisht, pasi kjo forcë deti nuk paraqet rrezik për ta, duke qenë se ato mund të përballojnë edhe dallgë me forcë më të madhe se 8 ballë.

Administratorët e mjeteve të peshkimit dhe atyre lundruese janë lajmëruar për situatën dhe, prej mëngjesit të së martës, kanë nisur të sigurojnë mjetet e tyre në bregdet për të shmangur përplasjet, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime.

Situata hidrometeorologjike pritet të përmirësohet duke nisur nga data 16 mars, pas orës 08:00 të mëngjesit, moment kur mjetet e peshkimit dhe ato lundruese do të lejohen të dalin sërish në det.