Site icon Telegrafi

MKRS thyen heshtjen dhe flet për ndeshjet e dyshimta në Superligën e Kosovës në futboll

Ka përfunduar xhiro e 36-të dhe e fundit në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Dy ndeshjet që kanë ngjallur reagime të mëdha ishin Trepça ’89 – Prishtina dhe Ferizaj – Dukagjini.

Janë parë skena të dyshimta në këto dy sfida dhe për këtë ka reaguar edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Lexo po ashtu Goli i shumëpërfolur i Ferizajt ndaj Dukagjinit që ia siguroi barazhin

Në një shkrim të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se nuk mund t’i mbyllin sytë para dyshimeve derisa ka kërkuar nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë

“Ndeshjet e futbollit që u zhvilluan dje në kuadër të Superligës së Kosovës, Prishtina me Trepçën dhe Ferizaji me Dukagjinin, që të dyja, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport”.

“Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Andaj, kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë”.

Lexo po ashtu Goli tjetër i përfolur në rrjetet sociale: Trepça '89 po ashtu shënoi në kohën shtesë ndaj Prishtinës

“Është e dhimbshme kur imazhi i sportit në vend njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme në komunitet”.

“Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre, nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/

Exit mobile version