Site icon Telegrafi

Mësimdhënësit e viteve 90-ta, shpjegim se kush ka drejt kompensimi në rast se personi ka ndërruar jetë

Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 90-ta, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, nga dita e martë (24.12.2019) do të fillojnë të marrin kompensimin financiar.

Kjo pagesë është siguruar në bazë të Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit të Kosovës për këtë periudhë, i cili është miratuar në fund të muajit shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Lajmin për këtë e ka dhënë kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, sipas tij, ky është një kompensimin ligjor e material për punën e mësimdhënësve.

“Lajm fantastik për mijëra arsimtarë dhe mësues si dhe për familjet e tyre, që kanë punuar në sistemin arsimor të Kosovës gjatë viteve 1990-1999. Ata nga sot do të marrin kompensimin ligjor e material për punën e tyre heroike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Fillon kompensimi i mësimdhënësve të viteve të 90-ta

Në bazë të këtij Ligji, kërkesën për kompensim shtesë për kategoritë e përcaktuara me këtë ligj, mund ta parashtrojë përfituesi apo personi i autorizuar nga ai ose bashkëshorti/ja pas vdekjes.

“Kërkesën për kompensim shtesë për kategoritë e përcaktuara me këtë ligj, mund ta parashtrojë përfituesi apo personi i autorizuar nga ai, ose bashkëshorti/ja pas vdekjes së përfituesit. Bashkëshorti/ja pas vdekjes së përfituesit, është i/e obliguar të informojë me shkrim administratën pensionale të Kosovës për çdo ndryshim të rrethanave të cilat ndikojnë në fitimin e të drejtës për marrjen e kompensimit shtesë”, thuhet në nenin e nëntë të Ligjit, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, Ligji parasheh se pagesa e kompensimit shtesë është mujore dhe varet nga përqindja e përfituesit.

Përfituesit e kompensimit shtesë kategorizohen bazuar në vitet e punës së tyre nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ku për çdo vit pune, mbi pensionin që realizojnë, përfitojnë shumën e përqindjes të pagës bazë në arsimin fillor të Republikës së Kosovës, si në vijim: një vit pune me 3.46 për qind, dy vite pune me 5.19 për qind, tre vite pune me 6.91 për qind, katër vite pune me 8.64 për qind, pesë vite pune me 10.37 për qind, gjashtë vite pune me 12.10 për qind, shtatë vite pune me 13.83 për qind, tetë vite pune me 15.56 për qind, nëntë vite pune me 17.28 për qind”, thuhet në nenin e pestë mbi kategoritë e përfituesve të kompensimit shtesë, shkruan Telegrafi.

Lexo po ashtu FMN kundër ligjit për mësuesit e viteve 90-ta

Në këtë Ligj thuhet se, përfituesit e kompensimit shtesë janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesional, drejtori dhe zëvendësdrejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave dhe të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip.

Vlera për kontributin e mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta, nis nga 19 deri në 70 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar dhe kostoja e zbatimit të Ligjit për vitin 2019 do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro.

Ndërkaq numri i mësimdhënësve të cilat ishin të angazhuar në procesin arsimor gjatë viteve 1990-1999 llogaritet të jetë rreth 23 mijë. /Telegrafi/

Exit mobile version