Site icon Telegrafi

“Mbulimi” i Prishtinës me mbeturina, reagon Rama: Kjo situatë është e papranueshme – po punojmë për të gjetur një zgjidhje

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas situatës së krijuar me mbeturinat në kryeqytet, pasi që punëtorët e kompanisë “Pastrimi” kanë hyrë në grevë.

Rama përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se e kuptojnë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohin të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë.

“Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”, ka shkruar Rama.

Lexo po ashtu Punëtorët e 'Pastrimit' në grevë, kryeqytetin e mbulojnë mbeturinat

Postimi i plotë:

Të nderuar banorë të kryeqytetit,

Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.

Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë.

Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme.

Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti.

Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat.

Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version