LAJMI I FUNDIT:

Lee Mavers dhe misteri i gjeniut të “humbur” të rokënrolit

Lee Mavers dhe misteri i gjeniut të “humbur” të rokënrolit

Para pak më shumë se 30 vjetëve, grupi The La’s e editoi albumin e vetëm të tyre – kryeveprën që i dha formë tjetër muzikës. Por, lideri mahnitës i këtij grupit është i pakapshëm që nga ajo kohë, shkruan Shaun Curran për BBC. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjell më poshtë.

The La’s më 1990

Lee Mavers është lideri, kompozitori dhe forca krijuese e grupit The La’s të qyteti verior të Liverpulit. Albumi i vetëm i tyre e kishte veç një hit dhe ata nuk bënë muzikë të re që nga viti 1990. Megjithatë, trashëgimia dhe vendi i tyre në historinë e rokut e tejkalon prodhimtarinë e vakët. Singli “There She Goes” është një këngë e përsosur me kitara, si çdo gjë që kanë bërë paraardhësit e tyre nga Liverpuli, The Beatles. Ndërkaq, këta u bënë bazë për gjeneratat tjera. Sepse, The La’s ka ndihmuar fillimin e epokës së britpopit të viteve 1990, të muzikës britanike të dominuar nga kitarat e të udhëhequr nga grupet si Oasis dhe Blur. Noel Gallagher një herë ka thënë se “Oasis donte të përfundonte atë që kishin nisur The La’s”. Ndikimi i tyre shtrihet nga grupi The Libertines e deri te Arctic Monkeys dhe Fontaines DC. “Është si grupi The Velvet Underground, thotë ish-kitaristi i The La’s, Barry Sutton. “Ndoshta jo të gjithë dinë për grupin The La’s, por të gjithë ata që dinin u shfaqën, formuan një grup ose u prekën thellë nga muzika”.

Kjo flet për nivelin e talentit të Maversit, ndonëse reputacioni i tij si gjeni bazohet në material të paktë të incizuar. Por, këngët e tij janë të përmbledhura bukur, ndërsa u interpretuan nga artistë tjerë, duke filluar nga Robbie Williams e deri te grupi Pearl Jam, duke e vënë atë në linjën e kompozitorëve klasikë, me ndjekës të përkushtuar dhe me admirim prej legjendave të muzikës. Më 1991, Eric Clapton tha për revistën “Rolling Stone” se “e vetmja gjë që më ka pëlqyer shumë (kohët e fundit) është një djalë i quajtur Lee Mavers… ai e ka një qëndrim dhe një stil që mendoj se është i jashtëzakonshëm”.


Megjithatë, nga shumëkush konsiderohet si një prej figurave më të mëdha të “humbura” të pop-rokut. Gjatë tri dekadave të fundit, ka refuzuar të publikojë këngë tjera. Që nga viti 1991 ka luajtur në vetëm 20 koncerte zyrtare, nga të cilët i fundit ishte 10 vjet më parë. Paraqitjet e tij publike janë aq të pakta saqë për disa gazetarë gjetja e tij është si e një grali të shenjtë: Matthew Macefield më 2003 e shkroi librin “Liverpool A Secret Liverpool: In Search of The La’s”, ku përmend tentimin katërvjeçar për ta takuar Maversin, gjë të cilën e bëri përfundimisht në shtëpinë e tij në Liverpul. Natyra e tij enigmatike është një arsye se pse, me muzikën rok ku aktualisht mungojnë rebelët, Maversi ende e tërheq imagjinatën jo vetëm adhuruesve, por të shtypit dhe industrisë muzikore në përgjithësi.

Tashmë kur janë bërë 30 vjet nga incizimet e fundit të tyre, albumi është shndërruar në kult ndonëse arriti numrin 30 në toplista dhe se i shiti relativisht pak kopje. Të ndikuar nga grupet The Beatles, The Who, Love dhe Pink Floyd, ritmet e tij akustike, ndjeshmëria e viteve 1960 dhe melodizmi i pastër ishin në kundërshtim me trendët mbizotërues të epokës së madçesterit, grangjit dhe shugejzit. Por, është pikërisht kjo cilësi pa moshë që kaloi më mirë. Këngë si “Timeless Melody” dhe “Looking Glass” janë burim për këngët tjera që rezistojnë.

Për fanatikët e grupit, mos ndarja e faktit nga trillimi ka qenë gjithmonë tërheqës. Ky është një grup ku asgjë nuk është kurrë siç duket. Pavarësisht se ishte protagonisti kryesor, Maversi nuk e formoi grupin The La’s (të emëruar sipas një note muzikore dhe shkurtesës liverpuliane “lad” për djalosh). Themelues, më 1983, ishte Mike Badger – në mes të epokës Thatcher, pasi ishte “larë nga vala e heroinës, dëshpërimit dhe papunësisë”.

Badger dhe Mavers u takuan shkurtimisht më 1981, por u ritakuan rastësisht më 1984. Kështu e krijuan një raport. “Ishte tip shumë qesharak e shumë i talentuar”, thotë Badger. “Kur ai luajti në kitarë, thash se s’ka tjetër si ai”. Pas anëtarësimit të dy anëtarëve tjerë – John Power në bas dhe Paul Rhodes në bateri – kuarteti nisi të bënte demot e këngëve për një album. “E kryem punën dhe atëherë filluan problemet”, shton Badger. Me kalimin e kohës, Maversi ishte pak i interesuar për kontributet e Badgerit dhe gjithnjë e më konfrontues. Një përleshje nisi para një koncerti, në dhjetor 1986, për çka Badger u largua nga grupi. “Maversi tha se nuk e ke larg këtu. E pyeta për çka po flet, kur ky nuk është grupi yt. Pastaj thash se po largohem. E mora kitarën, hipa në autobus. Isha i lënduar. Puna e dy vjetëve humbi brenda natës”.

Si kompozitori dhe lideri i vetëm i grupit, Maversi kishte gjithçka nën kontroll. Në vitin 1987 nënshkruan kontratë me kompaninë londineze “Go! Discs”, me këngë të mira dhe ide të qarta për një album të dyfishtë të quajtur “Callin ‘All”. Por, askush nuk mund të përmbushte standardet e Maversit. Pastërtia e vizionit të tij ishte e pamundur të rikrijohej. Producentët, përfshirë emrat si John Leckie (që ka punuar me grupet The Stone Roses, Radiohead) dhe Mike Hedges (The Cure, Manic Street Prechers) u angazhuan dhe u pushuan nga puna. Po ashtu, ndërroheshin kitaristët dhe bateristët. Suttoni u bashkua në vitin 1988, e iki pas një viti. “Nuk dua të them se Maversi ishte djalë i keq, sepse ka shumë humor. Por, atmosfera që e krijon nuk është e favorshme për njerëzit që e bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë”, thotë ai. “Shumë vëmendje i kushtohet frazës së saktë të pjesëve, akordimeve të çuditshme të kitarës… kishte shumë presione… u bëra paranojak… Kur u largova, ndjehesha më mirë”.

Në dhjetor 1989, “Go! Discs” iu drejtua producentit Steve Lillywhite (U2, Simple Minds), i cili fillimisht u mahnit nga talenti i Maversit. “Jepja atij një kitarë akustike dhe është më i mirë se kushdo tjetër. Ai ishte dinamit, person jashtëzakonisht krijues”, ka thënë Lillywhite. Por, problemet shtoheshin. “Ishte si loja me gjarpërinj dhe shkallë”, thotë Lillywhite. “Në çdo moment të bërjes së albumit dëgjonte diçka që nuk i pëlqente dhe ktheheshim në fushën e parë”.

“Go! Discs” e humbi durimin dhe kërkoi nga Lillywhite që ta përmbledhtë albumin nga gjërat e incizuara. Më në fund, pas 12 sesioneve në studio, me 10 anëtarë të bendit, shtatë producentë dhe tre vjet incizime e një kosto të vlerësuar prej një milion funteve, albumi doli më 1 tetor 1990. Maversi ishte i irrituar. “E urrej”, ka thënë për revistën “NME” në atë kohë. “Nuk mund ta gjej një gjë të mirë… është si një gjarpër me shpinë të thyer”.

Lillywhite është filozofik në lidhje me kritikat e Maversit: “Kur e dëgjoj albumin tash, jam ende i lumtur, se i ka disa momente magjike. Por, ai është artist: nëse nuk e merrnim tingullin që e donte, dështonim. Jam me të në këtë pikë”.

The La’s shpejt e përjetoi largimin e Powerit më 1991, Pa të, të gjithë e dinin se grupi s’e ka larg. Kështu, Maversi u tërhoq nga syri i publikut, duke dashur të riincizonte këngët e albumit veç për qejfin e tij. Në mungesë të tij lindën thashethemet. Në librin “A Secret Liverpool: In Search of The La’s”, thashethemet ishin sa zbavitëse aq absurde: është bërë piktor dhe dekorater; është i varur nga droga; e ka shkruar hitin e vitit 1995 të Paul Wellerit, “The Changingman”… e, më interesantja është se po jeton në një manastir, ku murgjit e kishin shpallur të talentuar sa Mozartin.

Këto mite janë thelbësore për kultin e Maversit. Por, e vërteta është më prozaike. Nga këto mite, një është e vërtetë: varësia nga heroina, siç e kishte pranuar në librin e vitit 2013 të autorit Daniel Rachel, “Isle of Noises: Conversations with Great British Songwriters”. Por, aty doli se kënga “There She Goes” (me vargjet “ja ku vjen prapë, duke pulsuar nëpër venën time”) kishte lidhje me drogën. Por, Badger, në librin e tij të vitit 2019, “The Rhythm & The Tide”, thotë se Maversi i ka mohuar këto thashetheme.

Gjatë gjithë kohës, adhuruesit kanë pritur me padurim muzikë të re, por ajo nuk erdhi kurrë. Maversi i ka kaluar 30 vjetët me reinkarnime të shkurta të grupit, i përcaktuar për rinicizimin e albumit të parë e të njëjtën kohë duke punuar në këngët e reja. Në vitin 1999 ishte një ribashkim i fshehtë midis Maversit dhe Badgerit. “Këngët e tij të reja janë të shkëlqyera”, thotë Badger. “Ia dhashë gjashtë muaj, por gjërat ishin të njëjta, vit pas viti me sjelljet e tij obsesive. Ia uroj çdo të mirë, po nuk mund të punoj me të”.

Edhe turneu i ribashkimit të pabesueshëm më 2005, me Powerin në grup, solli thashetheme për albumin e dytë mitik. Por, Maversi nuk është parë që nga ajo kohë, përveç disa paraqitjeve si mysafir i ftuar nga Pete Doherty më 2009. Asgjë nuk doli as nga turneu i shkurtër më 2011 me muzikantin liverpulas, Gary Murphy. Kështu, për më shumë se 30 vjet, adhuruesit mbeten vetëm me këngët e vjetra. Mundësitë për diçka të re tashmë janë edhe më të pakta.

U përpoqa të kontaktoj me Maversin për këtë shkrim, por pa sukses. Një person më tha se me e taku atë është si me pa një njëbrirësh. Emaili që shihet në faqen zyrtare të grupit në Facebook, u kthye prapa meqë inboksi ishte përplot. Gjeta ca intervenime, por të kota.

Ka shumë teori se pse është kaq ngurrues për ta vazhduar karrierën e tij muzikore, të paktën publikisht. Badgeri mendon se prania e shumtë e këngës “There She Goes”, e rikënduar nga grupi amerikan Sixpence None The Richer, dhe emetimi në momente romantike në filma dhe televizione, ishte mallkimin për Maversin aq sa bekim. “Është gjëja më e mirë që i ka ndodhur, por edhe më e keqja”, thotë ai. “E shkroi këtë këngë perfekte, por kjo do të thotë se nuk është dashur të bëjë asgjë tjetër, sepse e ka një burim të vazhdueshëm të të ardhurave”.

Rachel – personi i vetëm që ka pasur intervistë pranë Maversit, në 19 vjetët e fundit, për librin e tij të lartpërmendur – beson se mosveprimi publik i Maversit është rezultat i integritetit ekstrem artistik të një kompozitori që nuk dëshiron të lëshojë materiale që nuk i përmbahen idealit të tij. “Nëse e ka një tingull në kokë dhe nuk e dëgjon atë kur e regjistron, atëherë është një shpërfytyrim për të”, thotë Rachel. “Është gjë e jashtëzakonshme ta frenohesh veten [në standarde të tilla pa kompromis] për gjithë këtë kohë. Nuk ka një precedent të tillë në historinë e rokënrolit. Por, pse duhet të bëjë ai kompromis? Ai nuk është ai lloj artisti”.

Cilado qofshin arsyet e vendimit të tij për t’u tërhequr nga industria e muzikës, ato nuk duhet të jenë befasi. Tekstet e këngëve flasin për një shpirt të pakënaqur me gjendjen e tij. Gjatë gjithë albumit Maversi këndon se si është i humbur, i lidhur, duke kërkuar lirinë, duke pasë nevojë për një melodi për të zhbllokuar mendimet që i sillen në mendje. Disa tekste parashikojnë atë që do të vinte: duke pasë parasysh preokupimin e tij për incizimin e albumit, vargjet hapëse – “nëse ti do, unë ta shes një histori jete, për një njeri që gjatë gjithë kohës është në mospajtim me të kaluarën” – sot tingëllojnë si profetike.

Megjithatë, imazhi si artist i torturuar ka nevojë për rivlerësim. Që nga Brian Wilsoni te Syd Barretti – me të cilin shpesh krahasohet Maversi – miti i mallkimit të gjeniut muzikor për artin e tij e përjetëson idenë se ankthi barazohet me madhështinë. Por, Maversi i ka refuzuar këto karakterizime. Në fakt, jeton i lumtur në periferi të Liverpulit, prej kohësh i pastër nga droga dhe i përkushtuar ndaj familjes. “Tani jam baba”, i tha ai Rachelit. “Nuk kam bërë asnjë gjë nga ato drogat, për dekada … Jam thjesht një tip që kam katër fëmijë dhe që thjesht jetoj dhe vëzhgoj siç mund të bëjë dikush”. Maversi është i kënaqur me jetën e qetë, i interesuar në muzikë veç për qejfin e tij, i lirë nga komercializmi. “Nuk mendoj se kemi humbur diçka”, thotë Rachel. “Më dha diçka që ka qëndruar me mua, gjatë gjithë jetës sime”.

Për të gjitha mitet dhe legjendat që e rrethojnë, mbase ia vlen të kujtohet ajo që Mavers i tha Macefieldit: “Jam thjesht një njeri. Një person”. /Telegrafi/