Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka folur për situatën në veri të vendit dhe kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në atë pjesë.
Kusari-Lila ka thënë se dihen cilat janë procedurat të cilat duhet të ndiqen për përsëritje të zgjedhjeve.
“Sa i përket kërkesës për përsëritje të zgjedhjeve dihen procedurat, e para është me dorëheqje të kryetarëve aktualë dhe e dyta me mbledhje të nënshkrimeve të listës së votuesve, dhe dorëzimi e pastaj shqyrtimi nga Ministria e Administrim dhe Pushteti Lokal”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo shtoi se mbetet të shihet, por duhet të jetë me forma dhe metoda demokratike të parapra me ligj dhe jo në mënyrën dhe formën si e kishim shpërfaqjen e mospranimit kinse nga komuniteti serb.
“Ajo çfarë nuk mund të pranohet është që dhuna si standard të jetë ajo që shtynë përpara kërkesat, por në format tjera demokratike ato shqyrtohen”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se askush nuk ju ka bërë presion kryetarëve të katër komunave që të dorëhiqen (ish-kryetarët nga Lista Serbe), ai presion ka ardhur nga Beogradi. /Telegrafi/