Kryeministri Albin Kurti të enjten do të qëndrojë në Shqipëri, ku pritet të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë.

Ky lajm u bë i ditur pas takimit që Kurti kishte me ambasadorin shqiptar Qemajl Minxhozi.


Sipas komunikatës qeveritare, në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, që sipas ambasadorit Minxhozi, është përmirësuar shumë përgjatë dy muajve të Qeverisë Kurti 2.

8.6.2021 ZKM 2

“Asnjë qeveri, në periudha më të gjata kohore, nuk ka bërë më shumë sesa që keni bërë ju gjatë këtyre dy muajve për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Minxhozi, duke përmendur edhe tri vendimet që do të kalojnë sot në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri Kurti shprehu interesimin dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe që investimet e jashtme që po bëhen në Shqipëri të vazhdojnë edhe në Kosovë.

Ambasadori Minxhozi dhe kryeministri Kurti biseduan edhe rreth përgatitjeve për Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë, të enjten, 10 qershor, e ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Kurti. /Telegrafi/