Site icon Telegrafi

Kthesë në rezultatet zgjedhore në Izrael: Partia arabe kalon pragun, lëkundet pozicioni i Netanyahut

Megjithëse rezultatet e djeshme të zgjedhjeve në Izrael treguan se Benjamin Netanyahu dhe partia e tij, Likud do të arrinin një fitore tjetër, të dhënat e fundit tregojnë se lideri shumëvjeçar izraelit, për habinë e shumë njerëzve, mund të mbetet pa pushtet në Izrael.

Netanyahu, kryeministri i Izraelit dhe udhëheqësi i partisë më të madhe Likud, ka udhëhequr bindshëm që nga fillimi i numërimit të votave deri kur u numëruan rreth 85 për qind e tyre.

Gjegjësisht, në atë moment, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Izraelit publikoi informacionin se Lista e Bashkuar Arabe (e njohur më mirë në Izrael si Ra’am), e kryesuar nga politikani, Mansour Abbas, kishte kapërcyer pragun zgjedhor dhe ka fituar mandate që të jetë pjesë e Parlamentit.

Ky informacion prishi dukshëm festën e kryeministrit izraelit, i cili kishte deklaruar fitore. Duke e kaluar pragun, partitë e mbledhura rreth Benjamin Netanyahu, që përfshin Likud, dhe opsionet e krahut të djathtë, si partia Shas, Zionism Fetare dhe Judaizmi i Toras së Bashkuar, kishin shumicën e nevojshme për të formuar një koalicion të ri në parlament, transmeton Telegrafi.

Megjithatë pas hyrjes së Ra’am, në vend të shumicës (61 vota), Netanyahu aktualisht ka 52 vende. Nga ana tjetër, opozita e mbledhur rreth partisë më të madhe, Yesh Atid, e udhëhequr nga politikani me përvojë Yair Lapid, aktualisht ka 57 vende.

Pikërisht ky zhvillim e ka kthyer Izraelin në një ngërç dhe aktualisht, as Netanyahu dhe as blloku i opozitës nuk kanë shumicën e nevojshme për të formuar një qeveri.

Prandaj, duket se formimi i qeverisë do të varet kryesisht nga partnerët arabë, të cilët deri më tani nuk kanë folur rreth krijimit të Qeverisë. /Telegrafi/

Exit mobile version