Site icon Telegrafi

Kryeministri i Izraelit pret Ramën: Shqipëria ka një vend të veçantë në historinë hebraike

Kryeministri i Izraelit, Yair Lapid e ka cilësuar Shqipërinë një mik të vërtetë dhe me një vend të veçantë në historinë hebraike.

Zyra e Kryeministrit të izraelit ka publikuar detaje gjatë takimit të zhvilluar dje mes Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Lapid.

njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë së Izraelit theksohet se dy kryeministrat diskutuan për rritjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve në një sërë fushash, si dhe për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta me të cilat përballen të dy vendet, me theks në kërcënimin iranian.

Në sfondin e sulmeve kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë që ndodhën muajt e fundit, kryeministri Lapid i propozoi kryeministrit Rama që vendet e tyre të bashkëpunojnë në fushën e kibernetikës për të forcuar aftësitë e tyre mbrojtëse ndaj këtij kërcënimi.

Kryeministri Lapid falënderoi kryeministrin Rama për mbështetjen e guximshme të vendit të tij ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit.

Të dy krerët ranë dakord mbi rëndësinë e luftës kundër antisemitizmit.

“Kam kënaqësinë t’ju mirëpres në Izrael. Ju keni qenë një mik i vërtetë i Izraelit për dekada. Shqipëria ka një vend të veçantë në historinë hebraike. Vlerat dhe parimet e popullit shqiptar i shtynë qytetarët e tij të rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit. Ata u dhanë atyre strehim dhe gjetën mënyra për t’i mbrojtur larg nazistëve”, tha Lapid.

“Nuk do t’i harrojmë kurrë ata që na qëndruan në krah. Irani është një kërcënim i përbashkët për Izraelin dhe Shqipërinë. Këtë e pamë gjatë sulmeve të fundit kibernetike iraniane kundër Shqipërisë. Izraeli do të ndihmojë sa më shumë që të jetë e mundur në përpjekjet kundër Iranit. Ne e shohim këtë si një interes kombëtar dhe një detyrim historik”, ka deklaruar kryeministri izraelit. /Telegrafi/

Exit mobile version