Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë për ushtrinë, ende nuk dihet shuma e mjeteve të grumbulluara as numri i kontribut-dhënësve. Kjo pasi institucioni që e ka themeluar ka vendosur ta mbajë konfidencial atë.
Nga Thesari i Shtetit kanë konfirmuar për Telegrafin se “kjo informatë është e klasifikuar sipas legjislacionit në fuqi në bazë të vlerësimeve profesionale të situatës (globale) që ndodhemi”.
Ndërsa, kjo mungesë e transparencës nga ana e Qeverisë po shihet si veprim i gabuar, që shton dyshimet për mundësinë e keqpërdorimit të mjeteve të mbledhura. Madje, Qeveria po akuzohet se me themelimin e këtij fondi e ka shkelur Kushtetutën.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha, thotë se Qeveria e Kosovës nuk kompetencë kushtetuese për të themeluar fonde të tilla.
Në një prononcim për Telegrafin, Berisha deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur variantin më të keq për ta mbështetur ushtrinë.
“Ka pasur opsione të tjera si rishikimi i buxhetit, sigurimi nga Thesari apo nga likuidimi i kompanive. Por, qeveria nuk ka kompetencë kushtetuese për të themeluar fonde të tilla. Paratë që futen në ushtri nuk guxojnë të jenë anonime, pa prejardhje, sepse mund të komprometohet procesi. Është krijuar një fond për të cilin nuk ka transparencë. Edhe themelimi i tij është antikushtetues”, tha ai.
Në nenin 2, të aktit themelues të fondit, thuhet se “mjetet do të përdoren për fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm, bazuar në vlerësimin e Qeverisë”. E sipas deputetit opozitar, Qeveria ka lënë hapësirë për ta manipuluar vullnetin e qytetarëve e në veçanti diasporës, pasi nuk e ka specifikuar se mjetet e mbledhura do të përdorën vetëm për ushtrinë.
“S’ka shqiptar që nuk e do ushtrinë e vet dhe që nuk është në gjendje ta japë edhe kafshatën e fundit për ushtrinë. Elementet jolegalitet dhe jotransparencë janë abuzim me sedrën e qytetarit. Deklarata e Kurtit se është shifër shtatë-shifrore është tallje me qytetarët. Duhet të ketë një ekip mbikëqyrës që e kontrollon çdo cent që futet aty”, u shpreh Berisha.
Mostransparencën e institucioneve e ka kritikuar edhe drejtoresha e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli – Nimani.
Sipas saj, mjetet janë të qytetarëve dhe ata kanë të drejtë të dinë shumën e mbledhur si dhe mënyrën se si do të shpenzohen.
“Ne konsiderojmë se është veprim jo i duhur i Qeverisë duke e klasifikuar këtë fond si konfidencial. Përderisa është fond publik do të duhej edhe publikimi i mjeteve të grumbulluara të jetë publik”, deklaroi Demolli – Nimani për Telegrafin, duke shtuar se mbyllja e fondit bën që të rriten dyshimet për keqpërdorime të mundshme të mjeteve nga partitë në pushtet.
“Qeveria nuk mund të thirret në atë se çështja e sigurisë duhet të jetë konfidenciale përderisa në vendim thuhet se këto mjete mund të përdoren edhe për emergjenca tjera”.
Fondi për Sigurinë është hapur më 1 mars dhe sipas qeverisë, mjetet e grumbulluara do të alokohen si buxhet shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes.
Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që Qeveria Kurti krijon fond në të cilin mund të kontribuojnë qytetarët. Në vitin 2020, Qeveria Kurti 1 pati krijuar edhe një Fond Emergjent, ku ishin kërkuar mjete financiare nga diaspora e Kosovës për luftimin e pandemisë COVID-19. Në këtë fond patën grumbulluar rreth 722 mijë euro nga mërgimtarët por edhe qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/