Kosova hap ambasadën në Kuala Lumpur, Osmani: Një dritare e re për diplomacinë dhe bashkëpunimin në Azi

Republika e Kosovës ka hapur zyrtarisht ambasadën e saj në Kuala Lumpur, kryeqytetin e Malajzisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të pranisë diplomatike në një nga rajonet më strategjike të Azisë Juglindore.
Në ceremoninë e hapjes së ambasadës ishte vetë presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se kjo është 'Në dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë".
"Një shtëpi më shumë e Kosovës, ku do të avancohen interesat e qytetarëve tanë, do të fuqizohen aleancat tona dhe do të mbrohet me vendosmëri shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet”, ka thënë Osmani.
Hapja e ambasadës në Kuala Lumpur është pjesë e strategjisë së zgjerimit të pranisë diplomatike të Kosovës në botë, me qëllim rritjen e ndikimit ndërkombëtar dhe konsolidimin e njohjeve ndërkombëtare, partneriteteve ekonomike dhe lidhjeve me diasporën.
Me këtë hap, Kosova synon të jetë më e pranishme në zhvillimet rajonale dhe globale, duke e forcuar pozitën e saj si shtet i pavarur dhe sovran në komunitetin ndërkombëtar. /Telegrafi/
















































