Konferencë trepalëshe Maqedoni-Kosovë-Shqipëri për ndërmarrësinë sociale

Sot dhe nesër në Shkup do të organizohet konferenca shkencore ''Hulumtim i zhvillimit të ndërmarrjeve në Ballkan'', me pjesëmarrës nga Kosova dhe Shqipëria, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Aktiviteti organizohet nga ''Reaktor - hulumtimi në veprim'' në bashkëpunim me ''Public'' dhe ''Connect'' nga Maqedonia, ''Partners Albania'' nga Shqipëria dhe Qendra për paqe dhe tolerancë nga Kosova.
Këto organizata e kanë zbatuar, së bashku, hulumtimin ''Sfidat dhe mundësitë e ndërmarrjeve sociale për punësimin e personave të margjinalizuar'', të mbështetur nga Programi rajonal për promovim të hulumtimeve në Ballkanin Perëndimor.
Në konferencë do të prezantohen hulumtimet më të reja që lidhen me zhvillimin e ndërmarrjeve sociale në rajon, por do të vendosen edhe themelet e Rrjetit Ballkanik të hulumtuesve në sferën e ndërmarrjeve sociale.
Projekti mbështetet nga Programi rajonal për promovim të hulumtimeve në Ballkanin Perëndimor, në bashkërendim me Universitetin e Friborgut në Zvicër dhe mbështetur financiarisht nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC)./Telegrafi/


















































