Siç kanë njoftuar organizatorët e këtij evenimenti kulturor, piktorët do t’i punojnë punimet e tyre në prezencë të artdashësve dhe qytetarëve të tjerë kureshtarë. Materiale pune, ngjyra vaji, pëlhurë, brusha e tjera do të sigurohen nga organizatori, derisa temat e punimeve do të jenë të lira, varësisht nga idetë dhe kreativitetiti i pjesëmarrësve në koloni.

Për të gjithë pjesëmarrësit në koloninë e artistëve, të cilët vijnë nga qytetet tjera të Kosovës, sipas organizatorit, është siguruar akomodimi në disa nga hotelet në qendër të Prizrenit. Për pjesëmarrësit po ashtu është siguruar edhe ushqimi, ndërsa janë paraparë edhe kokteje rasti, muzikë e argëtim, deri në orët e vona të ditës.

Si organizatë e shoqërisë civile, Ura e Artit tenton që përmes aktiviteteve të saja t’i plotësojë boshllëqet në sektorin e kulturës kosovare. Ura e Artit mbledhë rreth saj një grup entuziastësh dhe artdashësish, të cilën e drejton një bord drejtorësh me emra eminent të jetës kulturore, politike dhe të shoqërisë civile.

Ndër aktivitetet shtyllë të organizatës është “Kolonia e Artistëve” e cila këtë vit organizohet për herë të dytë. Nga karakteri kosovar që kishte ky aktivitet vitin e kaluar, këtë vit Kolonia e Artistëve ka marrë karakter ndërkombëtar dhe si e tillë ka kërkuar edhe përkushtim më të madh të të gjithëve të cilët duan që arti t’i kthehet kulturës kosovare në masë të cilën shoqërinë kosovare e bënë pjesë të popujve të civilizuar evropian.