Nga: Adam Kinzinger dhe Ben Hodges / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com
Duket se ka një doktrinë brenda Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Administratën Biden: averzioni i eskalimit. Këta që përmendin “eskalimin” duken shumë të brengosur se çdo rritje e mbështetjes për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.
Franca dhe Gjermania të martën morën hapin e rëndësishëm për t’iu bashkuar Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera, duke thënë se armët me të cilat ata furnizojnë Ukrainën mund të përdoren për sulme në tokën ruse. Ashtu siç mund të parashikohet, presidenti rus Vladmir Putin u përgjigj se këto lëvizje mund të çojnë në “pasoja serioze”, veçanërisht për “vendet e vogla me popullsi të dendur”. Ky kërcënim është bërë vazhdimisht nga Putini, shpeshherë duke iu referuar armëve bërthamore të Rusisë, sa herë që Perëndimi rriste mbështetjen për Ukrainën. ShBA-ja nuk duhet ta marrë më seriozisht këtë kërcënim.
Le t’i rishikojmë disa histori të dy vjetëve të fundit.
Ukraina i kërkoi raketat Javelin dhe Stinger, përpara se të fillonte lufta në shkallë të gjerë kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Fillimisht – mes frikës së përshkallëzimit – nuk i morën sasitë e mëdha që dëshironin. Përfundimisht, morën më shumë, i përdorën në mënyrë efektive dhe më pas pranuan edhe më shumë nga ato. Nuk ka ndodhur asnjë luftë bërthamore.
Pasi u fitua beteja e Kievit, Ukraina i kërkoi aeroplanët MiG-29 të cilët Polonia pranoi t’i siguronte në këmbim të luftëtarëve perëndimorë. Administrata Biden e bllokoi këtë nismë, fillimisht, por më vonë u zbut dhe nuk ndodhi asnjë luftë bërthamore.
Ukraina kërkoi aeroplanët luftarakë F-16 për të ndihmuar në mbrojtjen e qiellit të vet. Administrata fillimisht tha jo, më pas e ndryshoi qëndrimin dhe nuk ndodhi asnjë luftë bërthamore.
Ukraina kërkoi raketat Patriot për t’u mbrojtur nga sulmet e pamëshirshme ajrore ruse. Administrata fillimisht tha jo, më pas e ndryshoi qëndrimin dhe nuk ndodhi asnjë luftë bërthamore. Shumë jetë u shpëtuan.
Ukraina kërkoi raketahedhësit HIMARS, sistemin e avancuar të raketave/artilerisë, për të sulmuar linjat ruse të furnizimit. Administrata fillimisht tha jo, më pas e ndryshoi qëndrimin dhe nuk ndodhi asnjë luftë bërthamore.
Ukraina kërkoi tanket Abrams dhe automjetet luftarake të këmbësorisë Bradley, për luftë në istikamet në lindje. Administrata fillimisht tha jo, më pas e ndryshoi qëndrimin dhe nuk ndodhi asnjë luftë bërthamore.
Ukraina kërkoi raketat ATACMS, me rreze veprimi prej rreth 190 miljesh [afro 306 kilometra], për të sulmuar objektivat ruse. Administrata fillimisht tha jo, më pas e ndryshoi qëndrimin dhe nuk ndodhi asnjë luftë bërthamore.
Pothuajse në secilin prej këtyre rasteve, Rusia kërcënoi me përshkallëzim, me sulm ndaj NATO-s ose me përdorimin e armëve bërthamore. Në secilin rast përmendej blofi dhe Ukraina ishte në gjendje të mbronte më mirë territorin e vet. Derisa kërcënimet ruse nuk duhen shpërfillur lehtësisht, historia na tregon se këto kërcënime janë shpeshherë bosh. Gjatë Luftës së Ftohtë, kërcënimet bërthamore nuk ishin të rralla, por ShBA-ja nuk i përfilli në avancimin e interesave të politikës së jashtme.
Paramendoni sikur t’ia kishim dhënë Ukrainës të gjitha armët e mësipërme, që në fillim? Pas kundërofensivës të vitit 2022, Rusia ishte në mbrojtje, e çorganizuar dhe e demoralizuar dhe luftonte për të rekrutuar më shumë trupa. Ukraina mund ta kishte mbaruar luftën duke i përdorur ato, ose të paktën të kishte kundërofensivë shumë më të suksesshme në vitin 2023. Lufta ka mundur të përfundojë.
Ka nga ata që thonë se vlerësimi i matur i administratës Biden ia ka mundësuar ShBA-së t’ia japë Ukrainës sasitë e shtuara të fuqisë së zjarrit – pa i ndezur fitilat rusë. Por, lufta nuk funksionon kështu. Është dëshmuar se nuk është shqetësim real ideja se Rusia do t’i përdor armët bërthamore. Ashtu siç e rrisim presionin, po ashtu Rusia mund të reflektojë dhe të zgjedh të reagojë në çdo moment.
E gjithë kjo është e rëndësishme të mbahet mend, pasi Ukraina vazhdimisht kërkon leje për të goditur me armë amerikane objektivat ushtarake brenda Rusisë. Deri tash, atyre kjo u është mohuar, por le ta bëjmë një parashikim: përfundimisht do t’ju jepet kjo leje. Pra, pse të presim? Pse të vonohet, ndërkohë që ukrainasit vazhdojnë të humbasin jetën e njerëzve të vet?
E kuptonim ndalimin e sulmeve në tokën ruse, kur Ukraina luftonte për të mbrojtur Kievin. Nuk kishte kuptim të harxhoheshin përpjekjet për “goditje hakmarrëse” kur ata luftonim për të pastruar territorin. Megjithatë, kur lufta hyri në fazën e fërkimit – pasi rusët u larguan nga Kievi dhe luftimet u shndërruan në duel artilerie mes dy palëve në Ukrainën lindore – u bë krejt e pakuptimtë mbajtja gjallë e kësaj ndalese.
Tash për tash, ukrainasit janë të detyruar të durojnë sulmet ajrore ruse nga bombat rrëshqitëse. Pavarësisht se e dinë pikën e origjinës të këtyre sulmeve, nuk kanë qenë në gjendje t’i sulmojnë ato vende.
Natyrisht, menaxhimi i përshkallëzimit është i rëndësishëm dhe mbështetja për Ukrainën, apo për ndonjë aleat, nuk duhet të vijë me blinda. ShBA-ja, në ofrimin e ndihmës me armë vdekjeprurëse, meriton vend të rëndësishëm në ndikim dhe në të dhënat se si duhet të përdoret ndihma. Megjithatë, kur përballet me krizë ekzistenciale, Ukrainës duhet t’i jepet më shumë hapësirë për të përcaktuar mënyrën më të mirë për të mbrojtur tokën e vet dhe për të shpëtuar jetën e njerëzve.
Vazhdimisht i kemi dëgjuar ushtarët ukrainas të tregojnë histori të kolonave ruse të cilat sulmonin, zmbrapseshin dhe tërhiqeshin në territorin e sigurt rus për t’u rigrupuar, për të ngrënë vakt të nxehtë, për planifikime dhe sulm të serishëm. Në luftën logjike, pikërisht në momentin e tërheqjes dhe rigrupimit forcohesh dhe godet më fort duke krijuar kaos, panik dhe thyerje përmes forcës dhe moralit luftarak. Ukraina nuk mund të fitojë nëse rusët mund të sulmojnë objektivat civile pa u ndëshkuar dhe të kërkojnë “pauzë” në territorin e vet.
Ukraina lufton kryesisht për mbijetesën e vet, por gjithashtu lufton për Perëndimin kolektiv dhe rendin e pas-Luftës së Dytë Botërore. Me implikime kaq serioze në skenën botërore, administrata Biden duhet të artikulojë, ose të paktën të ketë kuptim të brendshëm të qartë të asaj çfarë ShBA-ja synon të arrijë përmes mbështetjes së vet. Objektivi i qartë strategjik, të cilin ShBA-ja nuk arriti ta vendosë në Vietnam dhe Afganistan, mund të çojë në fitore. Por, a e mbështet ShBA-ja fitoren e Ukrainës? Nëse po, si duket kjo dhe çfarë duhet të ndodhë për t’i arritur këto qëllime – sa më shpejt që të jetë e mundur? Apo, thjesht është duke e mbështetur një luftë të rrënimit derisa Rusia të ulet në tryezë?
Siç do t’ju thoshte çdo ekspert ushtarak ose gjeneral (ose rreshter, për këtë çështje), shkatërrimi i armikut është, natyrisht, elementi më i rëndësishëm i fitores, qoftë në luftime të drejtpërdrejta ose ku ata janë duke u grupuar, duke planifikuar ose ekzekutuar luftën. Ideja se, që nga sot, Rusia në thelb mund ta konsiderojë territorin e saj “strehë të sigurt” kundër armatimit amerikan, bie ndesh me objektivin e fitores së Ukrainës.
Ukraina është penguar të sulmojë objektivat legjitime ushtarake për shkak të frikës paralizuese nga përshkallëzimi, pavarësisht se ligji i konfliktit të armatosur ia jep Ukrainës të drejtën për të mbrojtur veten në mënyrën e tillë. Administrata Biden ka merita për veprimet e saj në Ukrainë, veçanërisht duke pasur parasysh alternativën e kërcënimit të ish-presidentit Donald Trump për të braktisur vendin. Megjithatë, frika e përshkallëzimit, ndonëse fisnike, për Ukrainën në fakt fitoren e bën më pak të mundshme. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje