Hysen Gecaj, ish-ushtarak, teksa ka folur për dyshimet për spiunazh pas arrestimit të një personi në Leposaviq, ka thënë se Serbia nuk i ka ndërprerë angazhimet e tilla
Hysen Gecaj, ish-ushtarak, teksa ka folur për dyshimet për spiunazh pas arrestimit të një personi në Leposaviq, ka thënë se ndonëse nuk është sqaruar krejtësisht kjo çështje, megjithatë nuk e përjashton si mundësi.
Në RTV Dukagjini, Gecaj ka thënë se Serbia nuk i ka ndërprerë angazhimet e tilla.
“Nuk është e sqaruar deri në fund por nuk përjashtohet si mundësi, çështja e spiunazhit, e dimë në përgjithësi çfarë është situata në veri dhe sigurisht Serbia nuk i ka ndërprerë asnjëherë angazhimet e tilla dhe nuk i ndërpret… policia po e bën një punë të mire profesionale por gjithsesi puna e policisë është vetëm një segment i asaj që Kosova duhet ta bëjë në atë pjesë të saj”, tha ai.
Sipas Gecajt, zbulimi i veprimtarive si spiunazhi është tepër i rëndësishëm sepse siç thekson ai, kjo parandalon shumë veprimtari të tjera që mund të ndodhin në Kosovë.
Kur pyetet se a beson që Kosova ka kapacitetet e nevojshme për t’i zbuluar këto veprimtari, Gecaj e pohon një gjë të tillë.
Ai thotë se e rëndësishme është efikasiteti i tyre dhe jo vetëm prania.
“Kur flasim se a i ka ato mekanizma që i duhen, i ka por sa janë efikase kjo nuk mund të thuhet në mënyrë eksplicite sepse gjërat e tilla ndodhin edhe në shtete e tjera që kanë kapacitete shumë të zhvilluara dhe ka raste kur kanë kësi lëshime dhe kjo sigurisht ndodhë edhe me ne. Kur flasim për mekanizmat brenda për brenda KFOR-it të cilët veprojnë në bazë të rregulloreve që i kanë… këto gjëra pamundësohen në një shkallë të madhe pothuajse mbi 90 për qind por gjithmonë ka një mundësi të vogël. Në aspektin e sigurisë sigurisht që ministri bart një përgjegjësi për të gjitha këto çështje. Duhet të gjejë një formë, një mënyrë që të japë një përgjigje”, tha ai.