"Ne, si treshe, nuk përjashtojmë mundësinë që të kemi një takim në formë konference, por nuk mendoj se kjo do të bëhet me Grupin e Kontaktit - është më e mundur që kjo konferencë do të jetë me treshen dhe palët e përfshira në negociata", ka thënë Ischinger në një intervistë për gazetën serbe "Veçernje novosti", duke shtuar se, kjo do të kishte kuptim vetëm nëse deri në mes apo në fund të nëntorit, të ketë “material të mjaftueshëm negocimi në dispozicion".

"Ne nuk do të lirojmë ekipin negociator serb as shqiptar nga përgjegjësitë e tyre themelore. Është detyrim i tyre të gjejnë përgjigje, problemi është mes tyre dhe është punë e tyre të arrijnë deri tek marrëveshja dhe të përgatisin propozimin. Por (...) ne, si treshe, jemi inkurajuar në New York që ta zgjerojmë mandatin tonë dhe rolin e ndërmjetësuesit – si dikush që e bën procesin negociues më efikas dhe i cili do të ketë rol më aktiv dhe do t’i ndihmojë palët të gjejnë zgjidhje", ka theksuar ai.

"Nëse palët kërkojnë kontribut dhe ide nga ne, ne sigurisht se do të jemi të gatshëm t’u ndihmojmë në mënyrë aktive, në kuptimin e elementeve negociuese, përmbajtjes së tekstit dhe gjërave tjera. Në këtë moment, për shembull, ne jemi duke përgatitur listën e pikave për të cilat besojmë që palët veçse kanë shprehur pajtueshmëri apo besojmë që do ta shprehin atë", ka thënë Ischinger.

Ai ka theksuar që "Gjermania do të luaj rolin e saj, duke siguruar që rezultati i këtij procesi - ku zgjidhet çështja e fundit e pazgjidhur në Ballkanin Perëndimor – do të ndihmojë në krijimin e stabilitetit në Ballkan, dhe do të inkurajojë Serbinë që të mbetet në rrugën e saj drejt Evropës".

"Njëkohësisht, ne do të duhet të ruajmë unitetin e BE-së dhe unitetin transatlantik", ka shtuar Ischinger.

Duke theksuar se, “çështja e integrimeve euroatlantike shikuar nga aspekti operativ nuk është relevante për statusin e Kosovës", përfaqësuesi i BE-së në treshe ka thënë se, “pa marrë parasysh se çfarë do të jetë vendimi për statusin përfundimtar të Kosovës, është e domosdoshme që në mes Serbisë e Kosovës të ekzistojnë lidhje shumë të afërta, raporte të mira fqinjësore dhe qasje konstruktive bilaterale, sepse si njëra ashtu edhe tjetra, edhe më tutje do të janë në Evropë, me perspektivë të integrimeve evropiane ".

Ai po ashtu ka thënë që “Plani i Ahtisaarit ende është në tavolinë" dhe se ai plan, është “njëri nga më të mirët, nëse jo edhe plani më i mirë për Kosovën", si dhe që Rusia "me pranimin e dokumentit të fundit të Grupit të Kontaktit, është futur në mesin e atyre që dëshirojnë të zgjidhin çështjen e Kosovës pa zvarritje të mëtutjeshme".