Ministria e Jashtme e Iranit mohoi se ishte mbajtur një takim midis ambasadorit iranian në Kombet e Bashkuara dhe Elon Musk, personi më i pasur në botë dhe aleati i ngushtë i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
New York Times raportoi se takimi u zhvillua në fillim të kësaj jave, duke cituar dy zyrtarë iranianë.
Associated Press raportoi gjithashtu një takim mes të dyve, duke cituar një zyrtar amerikan.
Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, “mohoi kategorikisht” se një takim kishte ndodhur, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
The Times raportoi se një takim midis Musk dhe të dërguarit të Iranit Amir Saeid Iravani u mbajt në një vend sekret në New York dhe zgjati më shumë se një orë, duke cituar zyrtarët iranianë, të cilët thuhet se e përshkruan diskutimin si të fokusuar në mënyrën se si të zbuten tensionet midis dy vendet.
Raportet e takimit të supozuar ngritën pyetje se si mund të duket ndikimi i Musk në administratën e ardhshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikën e jashtme të SHBA-së.
Javën e kaluar, një ditë pas zgjedhjeve presidenciale, Musk iu bashkua thirrjes së Trumpit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Siç raportohet, gjatë bisedës Zelensky falënderoi Musk për sigurimin e komunikimeve përmes Starlink në Ukrainë.
Ndryshe, Trump njoftoi se Musk dhe Vivek Ramaswamy do të drejtojnë një “Departament të ri të Efikasitetit të Qeverisë” në administratën e tij të dytë.
Musk, i cili është CEO i Space X dhe Tesla, ka përfituar nga kontrata federale me vlerë miliarda dollarë, përfshirë nga NASA, ushtria dhe agjenci të tjera qeveritare amerikane dhe njoftimi ngriti shqetësime të menjëhershme për konflikte të mundshme interesi. /Telegrafi/