Me interesim dhe sukses të jashtëzakonshëm, përmbyllet Panairi Ndërkombëtarë i Turizmit dhe Sportit

Edicioni i 20-të i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit u përmbyll me një sukses të jashtëzakonshëm dhe interesim të madh, vizituar nga më shumë se 10,000 persona.Teksa hapi dyert për vizitorë më 16-17 Prill 2024, në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, panairi për dy ditë rradhazi shërbeu si një platformë për të shfaqur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike, peizazhet e ndryshme dhe përvojat emocionuese sportive të Kosovës dhe më gjerë. Nga turizmi kulturor dhe historik deri te sportet aventureske, panairi ofroi një eksplorim gjithëpërfshirës të të gjitha aspekteve të turizmit dhe sportit.Pjesëmarrës të këtij panairi ishin federata të ndryshme të sportit, komuna nga Kosova dhe Shqipëria si dhe biznese turistike nga rajoni. Si ngjarja më e madhe në Kosovë, panairi shërbeu si një platformë vendimtare për bashkimin e edukatorëve, institucioneve dhe profesionistëve nga sektorë të ndryshëm për të shkëmbyer njohuri dhe ekspertizë. Kjo ngjarje luajti një rol kyç në lehtësimin e mundësive të rrjetëzimit, nxitjen e bashkëpunimit dhe promovimin e zhvillimit profesional.Edhe Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prizrenit mori pjesë duke promovuar potencialin turistik të Prizrenit, që ishte një mundësi e mirë për prezantimin e ofertave e atraksioneve të qytetit të Prizrenit për profesionistët e industrisë së turizmit dhe sportit, që gjithashtu nxit bashkëpunimin për investime të mundshme në këto fusha.

Edhe Komuna e Gjakovës ka marrë pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024, ku përmes materialeve promovuese janë prezantuar trashëgimitë kulturore, atraksionet turistike si dhe investimet e ndryshme. Në këtë panair, Gjakova është prezantuar nga Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka Pylla si dhe zyrtarët e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, të cilët janë kujdesur të prezentojnë asetet e komunës së tyre për pjesëmarrësit në këtë ngjarje.











































