Forcat izraelite thonë se vranë komandantin e forcës detare të Hamasit në Gazën veriore, në një sulm ndaj një kafeneje buzë detit në të cilin u vranë dhjetëra civilë.

Pas sulmit në kafenenë e njohur al-Baqa në qytetin e Gazës të hënën, anëtarët e familjes në Gaza dhe jashtë vendit i thanë BBC-së tronditjen e tyre nga shkalla e viktimave civile, transmeton Telegrafi.


Në një deklaratë të dielën, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se sulmi vrau Ramzi Ramadan Abd Ali Saleh, së bashku me Hisham Ayman Atiya Mansour, zëvendëskryetar i njësisë së mortajave të Hamasit, dhe Nissim Muhammad Suleiman Abu Sabha.

Saleh ishte një "burim i rëndësishëm njohurish brenda Hamasit dhe kishte qenë i përfshirë në planifikimin dhe avancimin e "sulmeve terroriste detare", tha IDF.

Burime në Gaza i kishin thënë më parë BBC-së, se një komandant i lartë i Hamasit përflitet se kishte qenë në kafene në kohën e sulmit.

IDF tha gjithashtu se kishte ndërmarrë hapa "për të zbutur rrezikun e dëmtimit të civilëve", por nuk dha detaje të mëtejshme se pse kaq shumë njerëz u vranë në incident.

BBC ka shqyrtuar 29 emra të personave të raportuar të vrarë në sulmin ndaj kafenesë, të paktën nëntë prej të cilëve ishin gra, ndërsa disa ishin fëmijë dhe adoleshentë.

Të vrarët përfshinin artistë, studentë, aktivistë socialë, një boksiere femër, një futbolliste dhe stafin e kafenesë.

Stafi në spitalin Shifa, i cili mori trupa nga sulmi, tha se numri i të vdekurve deri të enjten kishte arritur në 40, duke përfshirë njerëz që kishin ndërruar jetë nga plagët e tyre dhe trupa të paidentifikuar.

Një zyrtar në spital tha se disa nga trupat ishin "bërë copë-copë" dhe se 72 pacientë të plagosur u sollën atje - shumë prej tyre kishin pësuar djegie të rënda dhe lëndime të rënda që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale.

Mensa al-Baqa ishte e njohur në të gjithë Rripin e Gazës dhe konsiderohej nga shumë, si ndër vendet më piktoreske dhe të gjalla të takimit të territorit.

Ajo kishte mbetur popullore edhe gjatë luftës, veçanërisht për shkak të lidhjes së saj jashtëzakonisht të qëndrueshme të internetit.

Në deklaratën e saj të dielën, IDF tha se do të "vazhdonte të vepronte kundër Hamasit me qëllim që të largonte çdo kërcënim që u paraqitej civilëve izraelitë", përpara se të thoshte se "incidenti" ishte "nën shqyrtim".

Ndërkohë, bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit filluan në Katar të dielën për të diskutuar propozimin e fundit për një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza në përgjigje të sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Të paktën 57,338 persona janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në territor. /Telegrafi/