LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Do të jem zëri i rinisë dhe familjeve të të pagjeturve

Hoti: Do të jem zëri i rinisë dhe familjeve të të pagjeturve

Djali i veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, Andin Hoti, i ka hyrë garës për deputet të Kuvendit të Kosovës me qëllim që të jetë zëri i rinisë në institucionin me të lartë ligjvënës, e po ashtu zë i fuqishëm edhe i familjarëve të të pagjetur, të cilët tash e 18 vjet kërkojnë me të dashurit e tyre. Thotë se nga kjo preket edhe ai vet, pasi babi i tij ende është në mesin e 1600 personave të pagjetur.

Në një intervistë për KosovaPress, zëvendëskryetari i Forumit Rinor të PDK-së, Andin Hoti, thotë se garës i ka hyrë si pjesë e PDK-së, për shkak të vlerave që ka kjo parti, e udhëhequr nga parimet që kanë rrënjët tek vlerat e UÇK-së.

“Pse kam vendosur të jem pjesë e listës së PDK-së është për shkak të vlerave, vizionit të qartë që ka PDK dhe për shkak që PDK udhëhiqet nga parimet që kanë rrënjët të vlerat e luftës, vlerat e UÇK-së. Në të njëjtën kohë kam marrë këtë përgjegjësi të jem kandidat dhe shpresoj në të ardhmen edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që në të ardhmen të kontribuoj në çfarëdo forme si pjesë e Kuvendit për qytetarët e Kosovës”, tha Hoti.


Hoti thotë se PDK i ka ofruar gjithmonë mbështetje qysh prej momentit që ka hyrë në PDK në vitin 2012. Derisa beson se të njëjtën mbështetje do ta ketë edhe në Kuvend, nëse arrin ta marrë besimin e qytetarëve.

Ai thekson se në Kuvend do të jetë zëri i të rinjve dhe familjeve të të pagjeturve.

“Do të mundohem që me anë të kontributit tim çdo iniciativë që fillon nga rinia e Kosovës të ecë përpara qoftë në Parlament, do të mundohem që rinia e Kosovës të ketë perspektivë me të mirë në Kosovë dhe të mos kërkoj atdhe të dytë jashtë Kosovës. Në fokus timin do të jenë edhe të pagjeturit. Ne e dimë që në Kosovë janë 1600 persona të pagjetur, unë e kam pjesë familjare këtë, babai im është i pagjetur ende dhe do të jem një zë i fuqishëm jo vetëm si familje por për gjithë 1600 familjet që ende iu mungojnë personat e pagjetur. Por mendoj që kjo nuk është vetëm për neve, pasi as Kosova nuk mund të jetë normale, nuk mund të ecë përpara dhe nuk mund të ketë një proces normal pa e zgjidh edhe këtë pjesë e historisë së saj e cila është e dhimbshme jo vetëm për familjarët e saj por për krejt Kosovën”, u shpreh ai.

Hoti tha se duke qenë i propozuar nga dega e PDK-së në Rahovec, qytet ky që është vendlindja e tij dhe e babait të tij, veprimtarit Ukshin Hoti, qytetarët e asaj ane do t’i përfaqësojë denjësisht dhe t’i ndihmojë me të gjitha mundësitë.

“Krusha në fakt është vendlindja ime, është vendlindja edhe e babait tim, dhe pashmangshëm do të ketë një fokus edhe Komuna e Rahovecit. Unë jam propozuar nga dega e PDK-së në Rahovec unanimisht që të jem kandidat për deputet dhe kjo me ka bërë të ndihem krenar, sepse PDK në Rahovec e ka pa të arsyeshme që unë të jem zëri i tyre. Unë do të jem zëri i tërë Kosovës, meqë jemi me një zonë, por në veçanti do të jem zëri i bashkëqytetarëve të mi të Rahovecit. Rahoveci njihet më shumë për bujqësi dhe do të jetë njëri prej prioriteteve që do ta qoj përpara në bashkëpunim me qytetarët e Rahovecit”, theksoi Hoti.

Hoti beson se Fillimi i Ri është një platformë e shpresës për qytetarët e vendit, pasi vetëm koalicioni PDK-AAK-Nisma mund ta zhvillojë vendin.

“Qytetarët kanë filluar të kuptojnë që platforma e fillimit të ri është e vetmja alternativë që Kosovës i duhet për momentin dhe unë jam në vizitë nëpër Kosovë me strukturat e rinisë, dhe po e shoh një shpresë tek secili qytetarë dhe të rinia që platforma Fillimi i Ri do të jetë adresa e tyre për t’u zhvilluar si ekonomikisht, si në arsim. Mendoj që do ta kemi përkrahjen të qytetarët e Kosovës, e sidomos qytetarët e Kosovës nuk kanë faj, sepse gjatë tri viteve të kaluara e kemi parë çka ka ndodhur, e dimë që nuk ka pasur vendimmarrje, qytetarët e kanë parë se Kosova po vetë shkatërrohet nga disa persona, kështu që alternativë tjetër nuk do të kenë kjo që do ta mbështesin edhe ata”, tha Hoti.

Hoti beson në funksionimin e koalicionit PDK-AAK-Nisma, pasi tek liderët e këtyre subjekteve ka parë një vullnet që interesin e qytetarëve dhe Kosovës ta vënë para interesave të tyre personale e partiake. Këtë koalicion Hoti e quan koalicion të shpresës për qytetarët e vendit./kp/