LAJMI I FUNDIT:

Haziri: VV-ja po e projekton një krizë, s’ka vullnet për ndërtimin e institucioneve

Haziri: VV-ja po e projekton një krizë, s’ka vullnet për ndërtimin e institucioneve

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar vonesën në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke akuzuar Vetëvendosjen se po projekton një krizë politike.

“Po shihet se nuk ka vullnet nga partia e parë [VV-ja] për të krijuar shpejt institucionet e dala nga zgjedhjet. Dhe kjo mungesë e vullnetit vjen si pjesë e mendësisë”, ka deklaruar Haziri.

“Kjo vonesë nuk mund të quhet vonesë në ndërtimin e institucioneve, por krizë. Hymë në një krizë të projektuar nga partia e parë”, ka theksuar tutje ai.


Ai mes tjerash ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka rënë kurth vetëm nga komedianët rusë, por edhe në Marrëveshjen e Ohrit.

Haziri ka bërë të qartë se LDK nuk do të pranojë të ndjekë VV-në me çdo kusht në formimin e institucioneve, por as nuk do të krijojë bllok opozitar artificialisht.

Ai ka sugjeruar se LDK mund të marrë përgjegjësinë për formimin e qeverisë nëse krijohen rrethanat e duhura.

“LDK-ja si parti e cila mund ta marrë nominimin, mund të krijojë shumicë dhe të formojë qeverinë. Nesër besoj se është e gatshme për zhvillime të tilla”, ka potencuar ai, në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Haziri ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj që po i quan “organik” nuk  i ka numrat e mjaftueshëm të deputetëve për të përmbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Se a mund të merr ndonjë deputet Vetëvendosje nga LDK, Haziri ka thënë se “prostitucionin politik” nuk e favorizon dhe as nuk e pret, por që në krijimin e legjislaturës së kaluar ka ndodh.

“Prostitucion politik është kur ti gjuan pa asnjë kriter, pa asnjë kusht me bind njerëz, me marr në kampin tënd për një numër, se aty nuk merret për dije deputeti, merret për dorë”

“Nëse ne vazhdojmë me udhëheqë politika të numrave, edhe fushata zgjedhore nga Vetëvendosje është udhëheq me numra, me 500 mijë, nuk u fol për diçka tjetër, u fol për 500 mijë, u fol për numër, me ja dhanë duart e lira numrat. Tash nëse vazhdon kjo me bë gjuetinë e deputetëve për numra, është fillim i keq i këtij mandati “, është shprehur Haziri.

Ai ka thënë se në LDK me siguri nuk ka emër të përveçëm i cili lëviz politikisht.

“Në LDK me siguri nuk ka emra të përveçëm i cili lëviz politikisht e mu bë nga një deputet i zgjedhun me mandat mu bë numër i dikujt. Tani interesa politike ka, ofertat politike siç duket kanë fillu në kampe të caktume politike por jo në raport me LDK-në”. /Dukagjini/