Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e bllokuar në Kuvendin e Kosovës dhe vonesat në procesin e konstituimit.

Në një postim në Facebook, Haziri ka shprehur keqardhje që, siç thotë ai, në vend se zgjidhjet të vijnë nga politika dhe deputetët, duhet të ndërhyjë Gjykata Kushtetuese për të zhbllokuar situatën.


“Bllokuesi nuk kalon! Përshkrimi i frymës kushtetuese që Kosova ka vendosur më 17 shkurt 2008, nënkupton që marrëveshjet, mirëbesimi e kompromiset politike janë mjetet e vetme legjitime dhe patriotike në këtë Republikë, e cila themelet i ka më 2 korrik 1990. Nuk ka detyrim,” ka shkruar Haziri.

Ai ka kritikuar përpjekjet për të përdorur shantazhin politik dhe keqpërdorimin e frymës kushtetuese për qëllime partiake.

“Për votim, nuk e lejon shantazhin politik, e aq më shumë, nuk lejon keqpërdorimin e frymës kushtetuese për t’u keqpërdorë për konsum politik. Është për keqardhje që në vend se politikanët, nëpërmjet deputetëve, t’i zgjidhin ngërçet, i duhet Gjykatës Kushtetuese që ta bëjë këtë!”

Haziri thekson se pa konstituimin e institucioneve nuk ka funksionim të shtetit, duke nënvizuar se nuk mund të ketë njëkohësisht edhe deputetë edhe anëtarë të qeverisë.

“Bllokuesi nuk kalon. Nuk kemi Kuvend e as Qeveri, por vetëm deputetë të zgjedhur, sikurse që nuk mundesh me qenë edhe deputet e edhe anëtar i Qeverisë. Republika, mbi të gjitha!” – përfundon ai.