Lewis Hamilton ka marrë një ofertë sensacionale prej 71 milionë eurosh për të nënshkruar kontratë njëvjeçare me Mercedesin, 90 për qind të të cilës do ta paguante blerësi potencial i Manchester Unitedit, Sir Jim Ratcliffe dhe kompania e tij, Ineos.
Shtatë herë fituesi i Formula 1 ka kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm, nga e cila përfiton rreth 46 milionë euro në vit.
Mirëpo, sipas Sportune, britanikut i është ofruar qëndrimi te Mercedesit – pa e përfshirë bonusin prej 25 milionë eurosh për fitimin e titullit – por me një rritje enorme në pagën bazë.
Kjo ofertë vjen pasi Hamilton pati sezonin më të keq në karrierën e tij në Formula 1 duke mos arritur ta fitonte asnjë garë.
Ka pasur spekulime se 38-vjeçari do të largohej nga Mercedesi pas përfundimit të kontratës, megjithëse trajneri ekipor, Toto Wolff, beson në qëndrimin e tij.
Sponsor i Mercedesit është kompania Ineos e Sir Jim Ratcliffe që besohet se do ta paguajë 90 për qind të kontratës së tij. 70-vjeçari i ka kryesuar titujt me lajmin se dëshiron ta blejë Manchester Unitedin nga familja Glazer. /Telegrafi/