Joe Biden thotë se Vladimir Putin ka “qartazi ka kryer krime lufte”, pasi për liderin rus u lëshua një urdhër-arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC).
Presidenti i SHBA e përshkroi gjithashtu vendimin e ICC-së për lëshimin e urdhër-arrestit si “të justifikuar”.
Ai vjen pasi një gjykata ndërkombëtare – me bazë në Hagë – akuzoi Putinin si përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina, raporton skynews.
Një urdhër-arresti u lëshua gjithashtu edhe për Maria Alekseyevna Lvova-Belova, komisionerja e Rusisë për fëmijët, me akuza të ngjashme për krime lufte.
Urdhëresat nënkuptojnë se nëse ndonjëri shkel në një nga 123 shtetet anëtare të ICC-së, atëherë autoritetet në ato vende janë të detyruara t’i arrestojnë dhe transferojnë në Hagë.
Kremlini tha se Rusia, e cila nuk e njeh ICC-në, i konsideroi akuzat e ngritura nga gjykata si “të egra dhe të papranueshme”.
Por, i pari i shtetit amerikan, duke folur në një konferencë shtypi të premten në mbrëmje, tha se “ai [Putini] qartazi ka kryer krime lufte. Unë mendoj se është i justifikuar urdhri. Por pyetja është – ai nuk njihet ndërkombëtarisht as nga ne. Megjithatë mendoj se ka një pikë shumë të fortë”.
Ndryshe, megjithëse Rusia dhe SHBA dikur ishin nënshkruese të Statutit të Romës – traktati që themeloi ICC – SHBA nuk e ka ratifikuar kurrë marrëveshjen, ndërsa Rusia u tërhoq pas kritikave të gjykatës për aneksimin e Krimesë në vitin 2014. /Telegrafi/